4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kosova, kampione e përdorimit të antibiotikëve

Më të lexuarat

Kosova vazhdon të mbetet kampione në Evropë për përdorimin e antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit (grup antibiotikësh). Ndërkaq, është e dhjeta në Evropë me shkallën e konsumit të përgjithshëm të antibiotikëve të përgjithshëm.

Mikrobiologu Lul Raka, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën evropiane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, shpjegon për Radion Evropa e Lirë detaje të tjera lidhur me këtë problematikë.

“Kosova vazhdon të mbetet e para në Evropë sa i përket përdorimit të llojeve të caktuara të antibiotikëve. Përkundër faktit që grupi i ekspertëve ka përgatitur një draft-vendim, me të cilin do të përkufizohej përdorimi i antibiotikëve në kujdesin parësor edhe në spitale, por ai draft nuk është nënshkruar për më tepër se nëntë muaj nga zyrtarë kompetentë’’, deklaron Raka për Radion Evropa e Lirë.

Raka konsideron që përshkrimi i antibiotikëve do të duhej të ndalohej në shërbimin mjekësor primar, në mënyrë që të evitohet përdorimi i panevojshëm i tyre.

“Ne jemi kampionë evropianë në përdorim të antibiotikëve dhe kjo duhet të ndalohet. Edhe përshkrimi në spitale, pra në shërbime spitalore terciare, do të duhej që antibiotiku të jepet me nënshkrimin e tre profesionistëve shëndetësorë”, vlerëson ai.

Ndryshe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në vitin 2050, shton Raka, njerëzit do të vdesin prej infeksioneve më shumë se nga sëmundja e kancerit dhe HIV/AIDS-it, për shkak të humbjes së efektit të antibiotikëve.

Edhe Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se në bazë të hulumtimeve që kanë realizuar në bashkëpunim me institucionet relevante, del se qytetarët nuk janë vetëdijesuar mjaftueshëm për përdorimin e drejtë të antibiotikëve, i përdorin pa përshkrim të mjekut dhe, siç thotë ai, madje edhe mjekët përshkruajnë antibiotikë pa indikacione të mirëfillta.

“Rekomandimet e OBSH-së për Kosovën, janë që antibiotikët nuk mund të blihen në barnatore, ndërsa kjo ndodh në baza ditore. Nëpërmjet Inspektoratit duhet ndërmerren masa që të ndalohet një gjë e tillë, pastaj përmbajtja strike e përshkrimit të antibiotikëve nga ana e profesionistëve shëndetësorë, duke mos ndërhyrë tek industritë farmaceutike për interesa personale”, thekson Syla.

Sipas një hulumtimi të bërë mes spitaleve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Kosovës, ka rezultuar se në spitalet e Pediatrisë ku trajtohen fëmijët e moshës nën 18 vjet, antibiotikë marrin 36 për qind e fëmijëve në vendet e BE-së, derisa në Kosovë kjo shifër arrin në 67 për qind, kanë deklaruar zyrtarë shëndetësorë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit