-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kosova hap Konsullatë të Përgjithshme në Strasburg

Më të lexuarat

Ministria e Punëve të Jashtme, pas konsultimeve me presidenten dhe me instancat tjera kompetente për politikën e jashtme, ka vendosur të hap Konsullatën e Përgjithshme në Strasburg, qytet francez në të cilin ndodhet selia e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Evropës.
Burime të Telegrafit brenda MPJ-së, bëjnë të ditur se tashmë ekziston pajtueshmëria ndërmjet ministrit Hoxhaj dhe presidentes Jahjaga, për hapjen e kësaj Konsullate, e cila përveç shërbimeve të tjera diplomatike e konsullore, pritet të ketë rëndësi të posaçme, sidomos në fazën e integrimeve evropiane të Kosovës.

Tashmë, MPJ ka dorëzuar kërkesën në presidencë dhe pritet që brenda pak ditësh Jahjaga ta dekretojë hapjen e Konsullatës në Strasburg, në mënyrë që më pas të procedohet me hapat e mëtejshëm.

Artan Behrami, këshilltar për medie i ministrit Hoxhaj, theksoi se MPJ në koordinim të plotë me presidenten dhe institucionet tjera kompetente, po bën të gjitha përgatitjet për hapjen e saj si dhe për krijimin e kushteve për funksionimin e suksesshëm të saj.

Behrami tha se duke pasur parasysh përgatitjet që po bëhen, Konsullata e Kosovës në Strasburg mund të hapet në shtator të këtij viti.

“Hapja e Konsullatës së Përgjithshme në qytetin ku ndodhen selitë e Këshillit të Evropës dhe Parlamentit Evropian, ky i fundit përgjegjës për çështjet legjislative të BE-së, institucion i cili në vazhdimësi ka shprehur përkrahjen e tij rreth perspektivës evropiane të Kosovës, padyshim se paraqesin një mundësi shumë të mirë për një interaksion të shtuar të përfaqësuesve të Kosovës me këto institucione të rëndësishme”, tha Behrami. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit