0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Kosova e gatshme për realizim

Më të lexuarat

Pas lidhjes përmes autostradës Durrës – Morinë – Merdar, Kosova është e gatshme të ketë një lidhje tjetër me Shqipërinë nëpërmjet një linje hekurudhore, thonë autoritetet në Prishtinë.

Sipas tyre, por edhe ekspertëve të kësaj fushe, me gjithë efektin pozitiv të autostradës, rruga hekurudhore mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të ishte një mundësi e mirë për të ulur edhe më shumë koston, si dhe për të stimuluar zhvillimin ekonomik.

Agron Thaçi, drejtor I Hekurudhave të Kosovës, thotë se ekzekutivi i vendit është i gatshëm për realizimin e këtij projekti. Për këtë qëllim, ai bën të ditur se kanë pasur disa takime me autoritetet në Shqipëri për të shikuar mundësitë financiare për fillimin e ndërtimit të linjës hekurudhore që do të lidhte këto dy shtete.

“Ne kemi biseduar me autoritete nga hekurudhat e Shqipërisë, që të riaktualizojmë, t’i shtrojmë çështjet në tavolinë, t’i shohim me ekspertët, ta shohim fizibilitetin se sa është fizibile dhe cilat janë mundësitë dhe burimet financiare. Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës është shumë i interesuar për t’u lidhur me Shqipërinë edhe me hekurudhë”, thotë Thaçi për Radion Evropa e Lirë.
Megjithatë, Thaçi tregon se kjo gatishmëri duket vështirë e realizueshme për shkak të kostos financiare, terrenit të papërshtatshëm dhe gjatësisë së hekurudhës në shtetin shqiptar.

“Bëhet fjalë nga shteti shqiptar prej 83 kilometra, me një konfiguracion shumë- shumë të vështirë, ndërsa nga ana jonë bëhet fjalë për 17-20 kilometra, me një terren shumë të përshtatshëm. Prandaj, ne jemi në bisedime, është vullneti i Qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare, por të shohim në vitet në vazhdim, ndoshta pas 1-2 vjetësh”, shton Thaçi.

Krijimi i një linje hekurudhore është i domosdoshëm dhe i nevojshëm, thotë edhe Florim Grajçevci, profesor në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, krijimi i infrastrukturës hekurudhore, do të sillte mundësi të reja të zhvillimit të ekonomik ndërmjet këtyre dy shteteve.

“Krijimi i një lidhjeje hekurudhore Kosovë-Shqipëri, ndoshta për momentin duket e pakapshme, por unë shpresoj se një ditë do të jetë domosdoshmëri dhe do të realizohet. Nevoja është jashtë zakonisht e madhe, sepse me hapjen e linjës hekurudhore Kosovë- Shqipëri, krijohet mundësia e daljes së mallrave nga Deti Adriatik përmes Portit të Durrësit, në Evropën Juglindore. Unë me xhelozi e shikoj që ky projekt duhet të realizohet, kurdo që të bëhen kushtet”, shprehet profesori Grajçevci.

Që nga ndërtimi i autostradës Durrës – Morinë nga ana e Shqipërisë, dhe pjesës tjetër të rrugës Morinë- Merdar, të quajtur “ Ibrahim Rugova”, ndërtuar nga Kosova, janë shtuar ndjeshëm marrëdhëniet tregtare dhe fluksi i turistëve ndërmjet dy shteteve.
Ndërkaq, funksionimi i një linje hekurudhore Kosovë – Shqipëri, sipas ekspertëve, do të ulte ndjeshëm kostot, trafikun e automjeteve, si dhe ndotjen e ambientit të shkaktuar nga djegia e karburanteve.

Po ashtu, linja hekurudhore Prishtinë – Prizren – Tiranë – Durrës, i mundëson dalje më të lehtë Kosovës në portet shqiptare, sidomos në Portin e Shëngjinit, port ky që shërben kryesisht për Kosovën.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit