1.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Kosova e Emiratet e Bashkuara Arabe përfunduan negociatat për transportin ajror

Më të lexuarat

Më 17 dhe 18 shtator, me qëllim të negocimit të një marrëveshjeje bilaterale të transportit ajror, në Prishtinë u mbajtën takimet në mes të delegacionit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe atij të Emirateve të Bashkuara Arabe. Delegacionet u kryesuan nga drejtorët e përgjithshëm të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj, si dhe Saif Mohammed Al Suwaidi, nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pas diskutimeve u arrit pajtimi i dyanshëm për tekstin e marrëveshjes, i cili u parafua nga kryesuesit e delegacioneve të qeverive të të dy vendeve. Marrëveshja e parafuar pritet të nënshkruhet nga ministrat e dikastereve përkatëse në një moment të përshtatshëm protokollar.

Përmes kësaj marrëveshje krijohet baza ligjore për fillimin e fluturimeve të drejtpërdrejta midis Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe aeroporteve në Emiratet e Bashkuara Arabe. Marrëveshja është e frymës liberale, pa asnjë kufizim në numrin e fluturimeve, numrin e kompanive ajrore apo kapacitetin që do ta ofrojnë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Palët negociuese veç marrëveshjes ndërshtetërore e nënshkruan edhe një memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit marrin përsipër ta implementojnë përkohësisht tekstin e dakorduar të marrëveshjes, deri në kompletimin e kërkesave të brendshme ligjore të të dy shteteve për nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjes.

Autoritetet e aviacionit civil të të dy vendeve gjithashtu u dakorduan të fillojnë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e mbikëqyrjes së sigurisë së aviacionit civil.

Para fillimit të negociatave, delegacioni i EBA-së u prit nga ministri Fehmi Mujota, i cili, përveç tjerash, vlerëson se lidhja e marrëveshjes së transportit ajror në mes të Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, jo vetëm që do të krijojë bazë ligjore për zvogëlimin e largësisë midis dy vendeve tona, por gjithashtu do të hapë perspektiva të reja për thellimin e bashkëpunimit të shkëlqyer në të gjitha fushat. “Kjo do të jetë një mundësi e mirë për afrimin e popujve tanë dhe rritjen e nivelit të shkëmbimeve tregtare”, ka thënë ministri Mujota.koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit