-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kosova do t’i përmbush obligimet e Udhërrëfyesit

Më të lexuarat

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, të enjten para ligjvënësve ka falënderuar Bashkimin Evropian, i cili ka dhënë udhërrëfyesin për liberalizim të vizave, duke thënë se Kosova do të përmbush të gjitha ato obligime që dalin nga ky udhërrëfyes.

Ndërkohë ka vlerësuar lartë tri vendime që janë marr brenda një viti, siç është momenti i 25 korrikut, organizimi i zgjedhjeve serbe nga ana e OSBE-së në Kosovë, si dhe momenti i tretë, vendimin për hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës.

Këtë të fundit, hapjen e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, e ka kritikuar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se themelimin e ndonjë institucioni, në veri, duhet ta bëjnë institucionet e sigurisë dhe jo Qeveria e Kosovës, njofton “KosovaPress”.

“Ky është lajm i vonuar, por i shumëpritur. Dje u hapë një etapë e re me BE-në. Të gjitha që dalin nga ky proces, Qeveria do t’i trajtojë me seriozitet, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në BE. I falënderoj kryetarët e komunave, gjithë partitë politike për përkrahjen e vazhdueshme që po i japin këtij procesi, OJQ-të dhe mediat”, ka theksuar Thaçi, duke thënë se Kosova do t’i plotësojë të gjitha obligimet që dalin nga udhërrëfyesi, qoftë në legjislacion, ekonomi apo politikë.

Duke folur për vendimin për hapjen e Zyrës Administrative, në veri të Mitrovicës, ai tha se ajo zyrë do të jetë funksionale në veri, do të ketë rol ekzekutiv dhe do të ketë 7 drejtori dhe 90 punëtorë.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se këto ditët e fundit u prezantua me shumë bujë hapja e Zyrës Administrative në veri, përpjekje kjo që u duartrokit edhe nga disa parti opozitare.

Konjufca ka thënë se krijimi i kësaj zyre është gabim, pasi që siç ka thënë ai qeveria po mundohet të bëjë integrimin për këtë pjesë, nëpërmjet garës me Beogradin se kush mund të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët e asaj pjese.

“Nëse ka nevojë për themelimin e ndonjë institucioni në veri, këto janë institucionet e sigurisë së Kosovës. Të krijosh zyre atje, kur edhe Beogradi ka institucionet e MUP-it është sikur Bajram Rexhepi që vendosi kontejner plastike”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, pa shpërbërjen e strukturave paralele, çdo përpjekje për integrimin e kësaj pjese do të mbetet vetëm dëshirë.

Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se marrja e udhërrëfyesit është një lajm i mirë për Kosovën. Por, sipas tij, udhërrëfyesi ka me përmend dukurinë e korrupsionit të lartë në vend, papunësinë dhe dukuri të tjera.

“Udhërrëfyesi definitivisht ka me të thënë: uleni korrupsionin, uleni papunësinë, uleni krimin e organizuar, ndreqni spitalet, ndreqni shkollat, punësoni njerëzit. Kjo është rruga, ky është udhërrëfyesi”, ka theksuar Gjini./kohaislame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit