-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar marrëveshje për luftën e përbashkët të krimit të organizuar

Më të lexuarat

Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Agjencia Kombëtare për Krime e Mbretërisë së Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, sot në Prishtinë kanë nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunim në luftë kundër krimit të organizuar, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Në emër të MPB-së së Kosovës, memorandumi është nënshkruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni dhe nga ana tjetër, Stephen (Steve) Bennett, ka nënshkruar si Drejtor i Agjencisë Kombëtare për Krime në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.
 
Pas nënshkrimit të memorandumit, ministri Hyseni deklaroi se Republika e Kosovës, në veçanti MPB dhe Policia e Kosovës janë të përkushtuar fuqishëm, në luftimin e të gjithë llojeve të krimeve, e në veçanti të krimit të organizuar trans-nacional, të korrupsionit dhe korrupsionit me përmasa ndërkombëtare, siç është shpërlaja e parave.
 
“Është qëllimi i jonë që të dërgojmë mesazhe të qarta në botë se Kosova është e vendosur që të krijojë një hapësirë shumë të sigurt për investime nga jashtë, për fuqizimin e sektorit privat, që ne e shohim si zgjidhje afatgjatë për problemet socio-ekonomike me të cilat përballet vendi ynë”, tha ministri Hyseni.
 
Në emër të Agjencisë  Kombëtare për Krime në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, drejtuesi i këtij institucioni, Stephen (Steve) Bennett, u shpreh se me nënshkrimin e memorandumit hapët rruga që, dy shtetet nënshkruese, në të ardhmen të kenë një bashkëpunim edhe më të mirë në luftimin e krimit të organizuar.
 
“Është porosi e qartë që Kosova dhe Britania e Madhe janë të vendosura dhe të bashkuara për t’i luftuar kriminelët që veprojnë në rajon dhe këtë e dëshmon edhe ky memorandum” tha Bennet.
 
Memorandumi i nënshkruar nga dyja shtetet, parashikon luftimin e përbashkët të krimeve, në veçanti trafikimin e drogës, trafikimin e armëve, trafikimin me njerëz, emigrimin ilegal, pastrimin e parave, krimin kibernetik dhe krimet tjera të rënda dhe të organizuara./AA
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit