0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kosova dënon dhunën në Siri

Më të lexuarat

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare “Miqtë e Popullit të Sirisë” në Paris, ka mbajtur një fjalim para mbi 100 liderëve botërorë.

Në fjalën e tij para liderëve botërorë, ministri Hoxhaj, në emër të institucioneve të Kosovës ka shprehur shqetësim të madh për situatën në Siri.

Hoxhaj tha se përgjigja brutale e regjimit të Sirisë ndaj kërkesave të popullit nuk mund të prodhojë asgjë tjetër “përveç më shumë viktima”, dhe se ajo që po ndodhë në Siri është vuajtja e popullit sirian, dhe kërcënim i paqes regjionale.

“Republika e Kosovës dënon ashpër fushatën gjakderdhëse të regjimit të Assadit ndaj aspiratave të opozitës siriane për të transformuar vendin e tyre në një shtet të hapur dhe pluralist. Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e plotë me kërkesat e popullatës për ndryshime politike në Siri, dhe ne përkrahim angazhimet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki – moon, dhe të të dërguarit të KB-së dhe të Ligës Arabe, Kofi Annan”, ka theksuar Hoxhaj.

Para të pranishmëve të nivelit më të lartë të diplomacisë botërore, ministri i Jashtëm i Kosovës, ka thënë se regjimi i Assadit e ka humbur legjitimitetin e tij në momentin kur kërkesat legjitime të qytetarëve sirianë u ndeshën me bombardime artilerish, tankesh dhe me vrasjen masive të civilëve.

Ministri Hoxhaj, po ashtu ka evokuar ngjarjet e trembëdhjetë vjetëve më parë në Kosovë, kur populli i Kosovës përjetoi një gjenocid, duke theksuar se në atë kohë, gjenocidi në Kosovë nxiti NATO-n që të veprojë dhe të intervenojë për të parandaluar një Bosnje të re.

“Në Siri, sot, edhe njëherë, njëjtë si në Bosnje dhe Kosovë vite më parë, komuniteti ndërkombëtar është para një dileme për të ndërmarrë aksionin e duhur për të parandaluar dhunën dhe viktimat. Aspiratat e opozitës siriane për të transformuar Sirinë në një shtet demokratik, të hapur dhe pluralist, janë të ngjashme me ato të popullit të Kosovës të para disa viteve. Ne ishim viktimë e një spastrimi etnik dhe të shkeljes së të drejtave të njeriut nga logjika e një tirani siç ishte Sllobodan Milosheviqi. Sot, Kosova është një vend demokratik, i pavarur dhe një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan dhe në Evropë”, tha Hoxhaj.

Ai po ashtu ka shprehur besimin e fuqishëm që Komuniteti Ndërkombëtar është në gjendje t’i përgjigjet në mënyrë efektive krizës së Sirisë.

Në konferencën ndërkombëtare “Miqtë e Popullit të Sirisë” në Paris, përveç autoriteteve më të larta shtetërore të Francës, kanë marrë pjesë edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Gudio Westerwelle dhe më se 100 udhëheqës të tjerë të diplomacive të shteteve demokratike anekënd botës./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit