Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka sqaruar se regjimi i vizave për hyrje në Kosovë për qytetarët e 87 vendeve të botës, nuk hyn në fuqi nga data 1 janar, por nga 1 korriku i vitit 2013.
“Nga data 1 korrik, 2013, Republika e Kosovës do të aplikojë regjimin e vizave ndaj shtetasve të 87 vendeve të botës, të cilëve nga kjo datë do t’iu nevojitet pajisja me vizë hyrëse në njërin nga misionet diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, me qëllim që të hyjnë në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MPJ-ja.
Në mesin e qytetarëve që duhet të kenë viza për të hyrë në Kosovë, janë ata të Rusisë, Kinës dhe Indisë. Ndërkaq, ky regjim i vizave nuk vlen për pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën: Spanjën, Greqinë, Qipron, Rumaninë dhe Sllovakinë.
Më herët, disa raporte, duke cituar autoritetet vendore, kanë thënë se regjimi i vizave ka hyrë në fuqi nga 1 janari.