1.6 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Korrupsioni në polici, pasojë e emërimeve politike

Më të lexuarat

Korrupsioni shfaqet atëherë kur politika mundohet të ndikojë në radhë të parë në emërimin e zyrtarëve operativë, në mënyrë që ata të jenë të nënshtruar ndaj objektivave të tyre politike dhe në momentin kur politika mundohet që të diktojë operacionet, apo hetimet e policisë. Kështu është thënë në tryezën e organizuar nga Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), me ç’rast u publikua Pakoja e Instrumenteve mbi Integrimin e Policisë.

Darko Stancic, ndihmësdrejtor dhe Shef i Operativës të Evropës Juglindore, ka thënë se duke rritur aftësinë e policisë në luftën kundër krimit, përmirësohet siguria publike dhe forcohet sundimi i ligjit dhe besimi i publikut tek policia.

Sipas tij, ndikimi politik, posaçërisht gjatë procesit të emërimeve, të përzgjedhjes ndër forcat policore është shumë i fuqishëm dhe se kjo është arsyeja kryesore pse në polici ka afera korruptive. Stancic ka thënë se për të parandaluar këtë dukuri duhet të ketë një agjenci monitoruese, mbikëqyrëse që merret edhe me emërimin e niveleve të pozitave në këtë organizatë policore dhe se procedurat duhet të jenë të qarta dhe të zbatueshme për të ndihmuar reduktimin apo uljen e këtyre rreziqeve.

“Korrupsioni shfaqet atëherë kur niveli politik mundohet që të ndikojë në radhë të parë emërimin e zyrtarëve operativ në mënyrë që ata të jenë të nënshtruar ndaj objektivave të tyre politike dhe në momentin kur niveli politik mundohet që të diktojë operacionet apo hetimet e policisë. Siç e thash, e keni në kaptinën 3 dhe ne mendojmë se ekzistojnë mundësitë të reduktimit të këtyre rreziqeve nëse kemi një qasje pjesëmarrëse dhe një involvim të shoqërisë civile, e cila është shumë e rëndësishme”, ka thënë Stancic, raporton Kosovapress.
Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se publikimi i DCAF ndihmon në avancimin e mëtutjeshëm të Policisë së Kosovës, porse ai është shprehur i kënaqur me performancën aktuale të Policisë së Kosovës.

“Kjo është organizuar nga Qendra për Kontrollim Demokratik të Policisë dhe Zhvillim të Sektorit të Sigurisë nga Gjeneva dhe e financuar nga qeveria Norvegjeze, ku e kanë bërë një publikim shumë të rëndësishëm për policinë tonë që të avancohet edhe më shumë. Ne jemi të kënaqur me performancën që ka deri më tani Policia e Kosovës dhe mund të them se është më e avancuar se disa në rajon, mirëpo ky publikim dhe ky bashkëpunim do të ndihmojë që edhe më tutje atë respekt që e gëzojnë nga qytetarët ta zbatojnë në mënyrën më të mirë dhe të jenë më profesional dhe më të kujdesshëm”, ka thënë ai.

Shpend Maxhuni, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se kjo punëtori do t’i ndihmojë Policisë së Kosovës për të krijuar qasje të reja me synimin e parandalimit dhe luftimit, çdo herë kur paraqiten dyshimet për përfshirjen e ndonjë zyrtari policor në afera korruptive.

Ky publikim, që vlerësohet si shumë i rëndësishëm për ngritjen e cilësisë së shërbimeve brenda policore, është financuar nga Ministria e Norvegjeze e Punëve të Brendshme.

Ndryshe, Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF), u themelua nga qeveria zvicerane në tetor të vitit 2000. Misioni i Qendrës është të promovojë qeverisjen e mirë dhe reformimin e sektorit të sigurisë në përputhje me standardet demokratike. /Telegrafi /kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit