Korrupsioni në gjykatat shqiptare vazhdon të mbetet problem kryesor. Këtë përfundim e kanë pohuar së fundi edhe vetë gjyqtarët në një sondazh të Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre pohojnë se sistemi gjyqësor është i korruptuar dhe pa integritet. Po ashtu pjesa dërrmuese e gjyqtarëve pohojnë se janë të pakënaqur nga pagat.
Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë publikoi sot një sondazh me gjyqtarët e shkallës së parë ku ata vetë e cilësojnë sistemin e drejtësisë shqiptare si të korruptuar dhe pa integritet. Në sondazhin që përfshiu më shumë se gjysmën e gjykatave të vendit, kryesisht në qytetet e mëdha, gjyqtarët deklarojnë se korrupsioni dhe mungesa e integritetit vijnë nga joshja e madhe për të favorizuar njërën palë në gjyq dhe nga ndërhyrjet e shumta të deputetëve, zyrtarëve të lartë qendrorë dhe vendorë për të ndikuar në vendimet e gjykatave.
Në sondazhin e Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë morën pjesë rreth 60 për qind e gjyqtarëve; ose 177 gjykatës nga 305 gjithsej, të anketuar në 14 gjykata nga 23 gjithsej. Ekspertët mendojnë se përfundimet e studimit janë përfaqësuese për opinionin kritik që ata vetë kanë shprehur për gjendjen e sistemit të drejtësisë.
Rreth 25 për qind e të anketuarve deklarojnë se gjyqësori në Shqipëri është i korruptuar, ndërsa 58 për qind thonë se ky është vetëm perceptim, ndërsa rreth 18 për qind deklarojnë se gjyqësori nuk është i korruptuar. Gjysma e të anketuarve, 57 për qind, janë shprehur se sistemi gjyqësor është pjesërisht i varur nga politika, ndërsa 33 për qind e gjyqtarëve të pyetur mendojnë se ai është i pavarur prej politikës. Në po këto raporte janë edhe mendimet e tyre edhe lidhur me integritetin e sistemit gjyqësor.
Lidhur me rryshfetet, rreth 30 për qind e gjyqtarëve deklaruan se një herë, disa herë dhe shumë shpesh kanë patur oferta për pagesa për të favorizuar me vendime një palë në gjyq, ndërsa rreth 60 për qind e tyre deklaruan se nuk kanë pasur oferta të tilla. Por nga vijnë ndërhyrjet për favorizime në procesin gjyqësor? Gjyqtarët e anketuar thonë se ato vijnë 5 për qind nga qeveria, 5 për qind nga deputetët, 4 për qind nga presidenca, 31 për qind nga avokatët, 16 për qind nga zyrtarë të pushtetit vendor.
Dështimi apo zvarritjet e gjyqeve vijnë kryesisht nga mungesat e avokatëve si dhe nga mungesa e dëshmitarëve, ndaj ata kërkojnë ngritjen e një strukture të posaçme që t’i sjellë ata në gjyq. Gjyqtarët vlerësojnë se shoqëria civile nuk i ka ndihmuar aspak në punën e tyre, ndërsa media përbën presion në shumë raste.
Gjyqtarët e anketuar janë të pakënaqur me pagën, rreth 70 për qind e tyre, dhe të kënaqur janë vetëm 7 për qind. Po ashtu mbi 75 për qind e tyre ndjehen të pasigurtë dhe pak të sigurtë në vendin e punës. Gjatë anketimit gjyqtarët kanë treguar se si ata japin pagesa për të marrë shërbime mjekësore, administrative etj, duke rënë edhe vetë pre e korrupsionit.
Sondazhi i Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë është i pari që sjell të dhëna, vlerësime dhe propozime nga vetë gjyqtarët për gjendjen e sistemit të drejtësisë, i cili perceptohet masivisht në opinionin publik si fusha më e korruptuar e jetës shqiptare, pas doktorëve dhe doganierëve.