Koreja e Jugut ka paralajmëruar shtetasit e saj të mos tymosin marijuanë në Kanada, teksa iu ka thënë se, pavarësisht ligjërimit të saj gjatë javës së kaluar atje, përdorimi i hashashit përbën ende shkelje të ligjeve të Seulit.
Konsumimi, zotërimi apo shitja e substancave të paligjshme janë shkelje penale, sipas legjislacionit tejet të ashpër të drogave në Korenë e Jugut, transmeton tch.
Të mërkurën e kaluar, Kanadaja u bë vendi i parë me ekonomi të fuqishme që legalizoi tërësisht kanabisin, përfshi për qëllime rekreative, duke shkaktuar festime masive teksa vendi përqafon këtë politikë eksperimentare kontroverse.
Por, ligjet penale të Koresë së Jugut aplikohen qoftë territorialisht, ashtu dhe personalisht, theksuan zyrtarët, duke lënë të nënkuptohet se shtetasit do të përballen sërish me ndëshkim për tymosje marijuane, edhe nëse e bëjnë këtë gjë në Kanada.
“Qytetarët koreano-jugorë që tymosin marijuanë (përfshi blerjen, zotërimin dhe transportimin), madje edhe në rajone ku veprime të tilla janë të ligjshme, po shkelin ligjin vendas dhe do të ndëshkohen sipas tij”, shkroi Ambasada e Koresë së Jugut në Kanada gjatë javës së kaluar. “Ndaj, ju bëjmë thirrje të jeni të kujdesshëm”.
Në Korenë e Jugut, figura të shquara kanë dalë shpesh në kryetitujt e medieve për konsumim marijuane në vend apo jashtë tij, teksa shkeljet kur je jashtë shteti zbulohen nga policia përmes informacioneve të spiunazhit.
Disa kanë kaluar vite të tëra burgim madje në vitet ’70 apo ’80, kur vendi ishte nën regjimin ushtarak, por në vitet e fundit shumë prej tyre janë gjobitur, apo iu janë dhënë kufizime të ndryshme. Koreja e Jugut nuk është vendi i vetëm që ndëshkon njerëzit për përdorim narkotikësh jashtë vendi.
Edhe Singapori, që ka disa prej ligjeve më të ashpra në botë, qytetarët dhe rezidentët e përhershëm përballen me 10 vite burg, nëse kapen duke konsumuar substanca të paligjshme jashtë qytetit-shtet. Analiza rutinë të urinës zhvillohen në Aeroportin “Changi”, si dhe në pikat e tjera të hyrjes në vend.