Të dhënat personale të të paktën 20 milionë përdoruesve të kartave bankare ose të kreditit në Korenë e Jugut janë vjedhur nga punonjës të pandershëm ose nga piratë informatikë këto vitet e fundit, konfirmuan sot rregullatorët financiarë, pas hapjes së një çështjeje të re.
Policia arrestoi një punonjës të Korea Credit Bureau (KCB), një kompani që vlerëson kapacitetin e individëve për të rimbursuar. Ai dyshohej se kishte vjedhur të dhënat konfidenciale të klientëve të tri shoqërive të kartave të kreditit që përdornin shërbimet e saj.
Më tej ai i shiste këto të dhëna tek shoqëri marketingu telefonik, drejtorët e të cilëve janë arrestuar gjithashtu, bëri të ditur policia dhe Shërbimi i mbikëqyrjes financiare (FSS), rregullatori kombëtar.
Në dhjetor, një punonjës i Citibank Korea ishte arrestuar për vjedhjen e të dhënave personale të 34 000 klientëve të institucionit.
Dhe në 2012-n, policia kishte ndaluar piratë informatikë koreanojugorë, të cilët kishin arritur të vidhnin të dhënat personale të 8,7 milionë klientëve pranë numrit dy të operatorëve celularë të vendit.
Të dhënat e vjedhura përfshijnë në përgjithësi emrat, numrin e sigurimeve shoqërore, numrin e telefonit, shifrat e kartës së kreditit si dhe datën e skadimit të saj, shtoi FSS sot. /Telegrafi/