Nga: Halid ibnu Salih Hedhlul
Kordoni politik
Tregon Abdullah ibnu Selam, Zoti qoftë i kënaqur me të:”Kur mbërriti i dërguari i Zotit a.s në Medine, vajta ta shoh dhe vura re që fytyra e tij nuk përkonte me fytyrën e një mashtruesi. Fjalët e tij të para ishin:”O njerëz! Përhapni paqen, ushqeni nevojtarët, shkoni mirë me farefisin dhe faluni natën kur të tjerët flenë, që të fitoni xhenetin paqësisht!”
Në pamje të parë, këto fjalë të lënë përshtypje se janë tërësisht fetare dhe propagandistike, por nëse thellohemi pak më shumë, do të vërejmë se ato hyjnë në kuadrin politik. Gjithçka që përmendet aty, përveç namazit të natës, kontribuon në forcimin e lidhjeve të umetit.
Aktiviteti politik i imponohej profetit Muhamed a.s me të vënë këmbë në qytetin e Medines, pasi ai tashmë kishte pushtetin dhe shtetin në dorë, jo siç ishte në Mekë ku persekutohej ai bashkë me mbështetësit e tij. Me fjalët me të cilat iu drejtua banorëve të Mekës, u parapriu të gjitha procedurave politike dhe ushtarake nga ana e tij, karshi idhujtarëve dhe hebrenjve të Medines. Me këto fjalë, ai vendoste domosdoshmërinë e lidhjes së fortë të brendshme, para aktivitetit politik të jashtëm.
Falë gjenialitetit dhe aftësive të tij komunikuese, profeti Muhamed a.s arriti të miqësojë dhe vëllazërojë muhaxhirët e ardhur nga Meka, me vendasit e Medines. Falë kësaj lidhje vëllazërore, Sad ibnu Rebi nga Medina, i ofroi Abdurrahman ibnu Auf nga Meka, ndarjen përgjysmë të pasurisë, shtëpisë dhe gjithçkaje tjetër. Kjo ndodhi para se Profeti a.s të fillojë misionin e tij politik karshi atyre që jetonin jashtë Medines dhe brenda saj. Nga një popull i përçarë dhe në armiqësi me njëri-tjetrin, nuk pritet ndonjë e mirë prej tij.
Ky bashkim mes muhaxhirëve të ardhur nga Meka dhe mikpritësve medinas, ishte një nga faktorët që e forcoi lidhjen mes umetit. Kjo, përveç ajeteve dhe haditheve që e mbështesnin këtë koncept.
Përçarja dhe shpërbërja vijnë si rezultat i konflikteve ideologjike, produkt i sektarizmit të verbër. Kjo mund të luftohet veçse me njohjen dhe pranimin e ligjit të diversitetit.
Përkushtimi i mirë fetar pasqyrohet në kontributin ndaj shtresave të varfra dhe përhapjen e paqes, pa njohur kufi dhe duke i kapërcyer barrierat e ngjyrës dhe racës. Kështu mund të arrijmë në forcimin e lidhjeve mes bijve e bijave të umetit.
Historikisht, nuk mund të gjendet sekt më të përkushtuar dhe me gatishmëri për të sakrifikuar, si havarixhët, pavarësisht ideologjisë së tyre. Veçse, me gjithë sakrificën dhe përkushtimin e tyre, ata kurrë nuk ia arritën të kenë rol në skenën politike. Në kohën e Ali ibnu Ebi Talib, ata pothuaj u shuan plotësisht dhe në kohën e dinastisë omejade, nuk u bënë për së gjalli. Të gjitha orvatjet për të rrezuar pushtetin, kishin të njëjtin fund, dështimin total. E gjitha kjo, pasqyronte një realitet të brishtë në mesin e tyre, përçarjen dhe dezertimet e njëpasnjëshme të radhëve. Nëse dikush mendonte diçka të kundërt me shumicën, ai dezertonte dhe ndahej prej tyre, duke formuar një grupacion të vetin, i cili i nxirrte nga feja gjithë të tjerët.
Ndikimi më i madh i tyre politik, mund të citohet ai gjatë dinastisë omejade dhe kjo falë disa ushtrive të formuara për të rrëzuar pushtetin e omejadëve, por që të gjitha këto ushtri u shpartalluan, pasi ishin të përçara dhe aspak të bashkuara.
Leximi i historisë e mbështet një fakt të tillë. Kalifati i Ali ibnu Ebi Talib, Zoti qoftë i kënaqur me të, nuk njeh zgjerime territoresh, pasi u karakterizua nga trazira dhe mungesë lidhjesh mes umetit me të gjithë territoret e tij. Kështu, pjesa e Shamit ndiqte Muavijen, një territor tjetër ndiqte Talhan, Zubejrin dhe Aishen kundër Aliut të cilit i kërkonin të hakmerrej me vrasësit e Othmanit. Një pjesë tjetër dezertoi, ndërkohë që Aliu po luftonte me havarixhët në Saffin. Sigurisht që kjo përçarje dhe hapërdaje s’ka lidhje me Aliun Zoti qoftë i kënaqur me të, por një gjendje e tillë nuk mund të prodhonte një umet të fortë, me aktivitet politik dhe ushtarak normal.
Leximi me vëmendje i historisë, e mbështet këtë që themi, edhe në periudhën që pasoi kalifatin e Aliut, pra atë të Muavijes. Ai – Muavija – arriti ti heqë qafe havarixhët dhe i shuajti kryengritjet e tyre. Falë politikave të tij largpamëse, ai arriti ti bindë edhe ndjekësit e Aliut, duke u bërë dhurata të majme. Në kohën e Muavijes, umeti u bashkua dhe ushtria myslimane u nis drejt Kostandinopojës, Horasanit dhe Afrikës. [1]
Me vdekjen e Muavijes, zgjerimi i territoreve myslimane u ndërpre, gjë e cila ndodhi si një pasqyrim normal i pëçarjes së umetit, si pasojë e trashëgimit të pushtetit nga i biri, Jezidi, i cili kishte kundërshtarë politikë në mejdan. Husejn ibnu Ali, baskë me Abdullah ibnu Zubejr, kryesonin opozitën dhe kishin mbështetjen e banorëve të Irakut dhe një numri jo të vogël të Mekës dhe Medines. Ndërkohë, banorët e Shamit mbështesnin fuqishëm pushtetin e omejadëve.
Vetëm në kohën e Abdul Melik ibnu Mervan, u vendos një strategji lidhur me zgjerimin territorial, si lokal ashtu dhe rajonal, vetëm atëherë kur shoqëria islame ishte unike, nën një flamur dhe larg përçarjes.
Historia na tregon pasojat e rënda të përçarjes në prapambetjen tonë, ajo na tregon sa ka humbur bota nga rënia dhe kolapsi që pllakosi myslimanët. Nga ana tjetër, ajo na tregon kontributin tonë në të gjitha fushat, sa herë që jemi bashkuar dhe unifikuar.
Shoqëria e sahabëve, si një dëshmitar historik pozitiv, mjafton të merret si model për ndërtimin e shoqërisë së ardhshme, me gjithë diversitetin në mendime mes individëve. Diversiteti i tyre në mendime, nuk ishte përjashtues për njëri-tjetrin dhe nuk i injoronte bazat e përbashkëta. Këtu mund të përmendim mospajtimet mes Aishes dhe Ibnu Umerit, mes Ibnu Abasit me Misver ibnu Mahzeme etj… Shoqëria e sahabëve e pranonte diversitetin në mendime si pasuri e cila i shërbente çështjes islame. Ne shohim që Misver ibnu Mahzeme, hoqi dorë nga mendimi i tij, pasi debatoi me Ibnu Abasin dhe pasi u sqarua se Ibnu Abasi kishte argumentet e nevojshme.
Umeti islam sot, e sidomos ata që i kanë hyrë mejdanit të ftesës, mendimit dhe shkrimit, janë të ftuar të aktivizojnë fikhun e diversitetit, me të cilin duhen edukuar dhe kultivuar brezat e rinj, tek të cilët shpresohet triumfi i islamit.
“Binduni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin e do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.” (Enfal, 46)
[1] Këtu duhet bërë dallimi mes vlerave dhe pozitës që secili ka tek Zoti dhe mes aftësive politike. Nga Ibnu Umer, transmetohet të ketë thënë:”Muavije ishte më i afti në pushtet.” Dikush i tha:”Po Ebu Bekri dhe Umeri?” Ai u përgjigj:”Ebu Bekri dhe Umeri ishin më të mirë, kurse Muavija më i aftë.” Gjithashtu, duhet marrë parasysh situata politike e Aliut si kalif, periudha e shkurtër e pushtetit të tij, krahasur me Muavijen etj…
Perktheu: Elmaz Fida
…