8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Koordinatorët antitrafikim të Evropës Juglindore takim në Tiranë

Më të lexuarat

Pjesë e këtij takimi ishin koordinatorët kombëtarë dhe përfaqësues të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me çështjet e antitrafikimit nga Evorpa Juglinore.

Sot në Tiranë është zhvilluar takimi i koordinatorëve kombëtarë të Evropës Juglindore kundër trafikimit të personave, i kryesuar nga zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë dhe njëkohësisht koordinatorja kombëtare antitrafikim në Shqipëri, Elona Gjebrea, raporton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e këtij takimi që mbahet për herë të parë në Shqipëri ishin koordinatorët kombëtarë dhe përfaqësues të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me çështjet e antitrafikimit nga Kosova, Maqedonia, Sllovenia, Kroacia, Bosnjë dhe Hercegovina, Serbia, Malit i Zi, Moldavia, Rumania, Bullgaria, si dhe komisioneri i Mbretërisë së Bashkuar për çështjet e trafikimit, Kevin Hyland.

Në fjalën e saj Gjebrea u shpreh se në bashkëpunim me vendet e rajonit, por edhe më gjerë mund të ndërmerren hapa për zhdukjen e këtij fenomeni.

“Trafikimi i personave është një krim kompleks dhe kostot e tij përjetohen jo vetëm në nivel individual, por edhe në atë kombëtar, rajonal dhe global. Ky fenomen është një kërcënim për shtyllat e demokracisë. Shtylla ku ne bazohemi është strategjia kundër trafikimit të personave. Ky takim do të na ndihmojë të nxjerrim disa plane pune ku do të bazojmë punën tonë gjatë vitit 2016 në luftën kundër trafikimit. Bashkëpunimi ndërmjet strukturave ndërton një sistem të mirë dhe të unifikuar veprimi për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit. Bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar ka marrë një dimension të ri me takimet me homologët e Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë, Italisë, Gjermanisë, etj, për të intensifikuar përpjekjet në luftën kundër trafikimit të personave”, u shpreh Gjebrea.

Një fjalë përshëndetëse në këtë takim ka mbajtur edhe ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig, i cili theksoi se duhet të rritet më tej koordinimi ndërkombëtar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, sidomos në luftën kundër trafikimit të fëmijëve.

“Fenomeni i të miturve të pashoqëruar paraqet sfida të reja alarmante, siç konfirmojnë shifrat e fundit të EUROSTAT-it. Në vitin 2015 më shumë se 88 mijë azilkërkues në BE kanë qenë të mitur të pashoqëruar. Këta të mitur janë pre e lehtë për trafikantët dhe kontrabandistët e qenieve njerëzore”, u shpreh Raunig.

Qëllimi i takimit është për të diskuar për situatën dhe sfidat e hasura në identifikimin e fëmijëve të pashoqëruar në vendet e Evropës Juglindore, identifikimin e masave të marra për mbrojtjen dhe asistencën ndaj viktimave të mundshme të trafikimit, mënyrat e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në rajon e më gjerë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit