2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

KONSTRUKTI PSIKOLOGJIK I SHQIPTARËVE DHE NDIKIMI I TIJ NË SHTETFORMIM

Më të lexuarat

Shkruan: Granit Shatri, psikolog

Po sikurse individi, i cili që nga momenti i lindjes e deri të pleqëria kalon nëpër faza të veçanta të zhvillimit të tij psiko-fizik, po kaq ngjashëm zhvillohet edhe formësohet edhe një grup ne përgjithësi, dhe një popull në veçanti. Lidhshmëria e gjakut, përkatësisht lidhshmëria gjenetike, predisponon që një komb, gjatë evoluimit të vet psikologjik, të ketë një kohezion vlerash, qëndrimesh e ambiciesh shumë të ngjashme ndërmjet anëtarëve të tij.

Nëse kthehemi në historinë e evoluimit të shqiptarëve si komb, atëherë, do ta kemi mundësinë e gjetjeve të shumë faktorëve të cilët kanë ndikuar në formimin e një psikologjie të veçantë të këtij populli dhe, rrjedhimisht nga këto gjetje do të mund të shpjegonim gjendjen e tashme faktike të popullit tonë, dhe pjesërisht do të na jepej e drejta për ta parashikuar të ardhmen, gjithnjë ne kontekstin vet organizues, duke përjashtuar këtu ndikimet që mund t’i kenë interesat e politikave globale.

Që nga prejardhja e jonë e lashtësisë, mandej me mesjetën dhe deri në kohët moderne, ne gjeografikisht, edhe në rrafshin social, kemi qenë të pozicionuar në mes të grupeve të tjera sociale, të cilat gjithherë kanë qenë armik i kombit tonë, kjo armiqësi e shumanshme na ka detyruar ne si komb, që në një formë të izolohemi, duke krijuar në psikologjinë tonë një përgatitje për luftë defanzive. Dhe ky rrezikim i ekzistencës sonë nga shumë anë, ka mbytur ambicien që, ne si popull të pushtojmë, ose të zgjerohemi teritorialisht. Askujt s’do ti bije ndërmend ideja për zgjerim përderisa rrezikohet me ekzistencë. Mirëpo, përgatitjet që ne çdo moment mund të sulmohemi nga të tjerët, kanë gdhendur në psikologjinë tonë si popull, një temperament pak sa më shpërthyes dhe luftarak. Kushtimisht, nëse do më lejohej të thoja se, është shkaktuar një traumatizëm i shpirtit tonë të përbashkët.

Pushtimet e kohëpaskohshme, të cilat i kemi përjetuar, kanë qenë gjithherë një portë e hapur përmes së cilës janë krijuar mundësitë e prurjeve të vlerave të reja, dhe të ndryshme nga ato tonat. Edhe përkundër rezistencës sonë, për të mos i pranuar, ato shpeshherë kanë depërtuar deri në traditën dhe jetën tonë të mëtutjeshme. Mirëpo, kjo rezistencë, të cilën ne e kemi ushtruar ndaj këtyre prurjeve, padyshim se ka qenë ilaç me efekte anësore për gjendjen tonë. Duhet t’i kujtojmë kohërat kur, shqiptarët shpeshherë janë distancuar edhe nga çështjet dobiprurëse, vetëm nga frika se mos ato po e cenojnë identitetin e tyre moral dhe etnik, të veçantë dhe të pastër krahasuar me popujt e rajonit. Të izoluar nga shumë prurje të kohës, ne arritëm në një masë ta mbrojmë identitetin tonë kombëtar, por ne e dëmtuam rënd nivelin tonë intelektual kolektiv, duke mbetur jo rrallë here të pashkolluar e painformuar me rrjedhojat e politikave botërore. Mungesa e shkollimit për ne u bë efekt anësor i rezistencës sonë për mos-asimilim dhe, niveli i shkollimit të popullsisë është në proporcion të drejtë me nivelin e vetëdijes së këtij populli.

Të izoluar, të rrezikuar, dhe të pa shkolluar ne masë, ne mbetëm mbrapa në të gjitha aspektet, krahasuar me popujt e botës dhe të rajonit, e në veçanti ne mbetëm mbrapa në zhvillimin e vetëdijes kolektive. Dhe, në ato kohë krize për identitetin tonë si komb, i vetmi element kyç që ka ndikuar në ruajtjen e tonë, ka qenë përkatësia e jonë fetare, e dallueshme fuqishëm nga ajo e popujve që na rrethojnë.

Në strukturën psikike të individit, përkatësia fetare, në shumicën e rasteve, është ndër elementet bazë mbi të cilën ngritët e tërë platforma e vlerave dhe qëndrimeve të tij. Kështu ajo bëhet determinantja kryesore e idealeve dhe botëkuptimeve të tij. Këto elemente religjioze, tashmë të integruara në psikologjinë tonë të përbashkët, kanë ndikuar drejtpërsëdrejti që ne mos të krijojmë lidhje familjare, gjegjësisht, martesa me popujt përreth, gjë që kishte për të ndikuar fuqishëm, fillimisht në zbehjen dhe me vonë edhe në humbjen e identitetin tonë kombëtar.

Rastet konkrete për ta ilustruar këtë janë grupet shqiptare, në jugun e thelle të trojeve shqiptare, por edhe ata në veriun e këtij trualli të cilat, patën përkatësi fetare të njëjtë me popujt që i rrethonin, përkatësish, me greket dhe malazezet dhe, rrjedhimisht ata nuk ju shmangen martesave mes vete për shkak të përkatësisë fetare të njëjtë, dhe ne sot jemi dëshmitar të dëmtimit të rënd të identitetit kombëtar në ato vise.

Tashmë si një grup etnik i dallueshëm, dhe me elemente të forta kombëtare e fetare, ne e rritëm etjen e popujve fqinjë, e veçanërisht të sllavëve, për të na asimiluar, ose edhe eliminuar me çdo kusht. Dhe ne, si grup relativisht i vogël, tmerrësisht i coptuar e i ndarë, dhe i ndodhur në një pikë të pashpresë, përkundër përpjekjeve tona vetanake, ne u dorëzuam në ‘’mëshirën’’ e superfuqive. Derëhapur ndaj të huajve shpëtimtar, ne harruam se i huaji është i huaj, pa marrë parasysh qasjen që ka ndaj nesh. Ky pranim i elementeve perëndimore pa ndonjë filtër brenda psikologjisë tonë si popull, po shkakton një ballafaqim në mes instiktive, vlerave, traditave e besimeve tona shpirtërore, të rrënjosura thellë, dhe vlerave e antivlerave perëndimore që po na servohen me bollëk.

Psikologjia individuale, po edhe ajo kolektive, në këso raste ballafaqimesh brenda saj është e detyruar që ta gjejë një zgjidhje imediate. Rezultatet e zgjidhjes janë të varura drejtpërsëdrejti nga niveli i vetëdijes tonë kolektive, element ky për të cilin me lartë konstatuam se është i lënduar rëndë.

Rrjedhimisht, në sisteme demokratike, niveli i vetëdijes kolektive është përcaktues direkt i nivelit të elitës politike. Dhe, elita politike mbetet lokomotiva e orientimeve sociale e ekonomike të një vendi. Kështu që përgatitja profesionale, oratoria, dhe pamja moderne e politikanëve mbarë-shqiptarë, tregon vetëm njërën anë të medaljes. Atyre u mungojnë elementet bazë, të cilat duhet t’i posedoj personaliteti i një udhëheqësi. Ata fillimisht duhet të kenë njohuri mbi jetën si koncept, mbi shkakun e ekzistencës së tyre në këtë gjithësi, dhe mandej të marrin timonin e udhëheqjes së kombit.

Me një vetëdije kolektive të dëmtuar, me një përshesh vlerash, me ndikimin e shfrenuar të mediave, me mungesë e edukatës fetare të mirëfilltë, me një varësi të verbër nga të huajt, dhe me një arsimim jo cilësor, trojet shqiptare po vazhdojnë ta gjenerojnë formimin e gjeneratave të reja, të papërgatitura psikologjikisht, dhe të pa afta politikisht, për të bërë përzgjedhjen e njerëzve më të mirë ekzistues nga mesi, dhe kështu për të nxjerr një elitë politikë, të aftë për t’i menaxhuar krizat multidimensionale që kanosin mirëqenien e kombit shqiptar. Përderisa tâmli ashtë i lig, mos prit me tu nxan maza e mirë.

Data 23/02/2011

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit