BRUKSEL (AA) – Komisioneri Evropian për Ndihma Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Christos Stylianides, ka deklaruar se përfaqësuesit në konferencën për Sirinë kanë premtuar ndihmë prej 4,4 miliardë dollarëve këtë vit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Stylianides, pas konferencës dyditore në Bruksel me temë “Mbështetja e së ardhmes së Sirisë dhe Rajonit”, njoftoi premtimet që janë bërë nga pjesëmarrësit për ndihma për refugjatët e Sirisë.
Ai ka tërhequr vëmendjen se të gjithë pjesëmarrësit në konferencë kanë rënë dakord se zgjidhja e vetme e luftës siriane do të jetë një zgjidhje politike nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Stylianides ka thënë se në konferencë janë bërë përpjekje po ashtu për të gjetur zgjidhje konkrete ndaj problemeve humanitare themelore në Siri
“Duke diskutuar kontributet e vendeve fqinje të Sirisë, si Turqia, Libani dhe Jordania, kemi biseduar se si komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të sigurojë ndihma për këto vende”, ka deklaruar Stylianides.
“Përfaqësuesit këtu kanë premtuar një ndihmë prej gjithsej 4,4 miliardë dollarësh për këtë vit”, ka theksuar Stylianides, duke shtuar se pjesëmarrësit kanë premtuar ndihmë tjetër prej 3,4 miliardë dollarësh për vitin e ardhshëm.
Stylianides tha se BE dhe vendet anëtare do të mbajnë premtimin për refugjatët sirianë në Turqi do të mbledhin tre miliardë euro për dy vitet e ardhshme.
Duke theksuar se duhet të përmbushen në mënyrë të shpjetë të gjitha premtimet, Stylianides ka rikujtuar se në konferencën e Sirisë të zhvilluar vitin e kaluar u mblodhën gjithsej 7,5 miliarë dollarë.
Në konferencë morën pjesë institucione të ndryshme të OKB-së dhe përfaqësues nga 85 vende. Siç mësohet, Britania për vitin 2018 ka premtuar ndihmë prej 515 milionë eurosh, Gjermania një miliardë euro, ndërsa ende nuk ka deklaratë në lidhje me SHBA-të.