Këto ditë është rishfaqur i restauruar filmi “Koncert në Vitin 1936”, film ky, i stisur e i trilluar nga i ati i Ben Blushit, Kiço Blushi, bazuar në motivet e novelës së vjehrrit të tij, Dhimitër Shuteriqi: “Nëpër Baltërat e Myzeqesë”.
Por, së fundmi edhe pinjolli i tyre Beni, paska zografitur një shkrim, ku tregon se prapaskena ideologjike e atij filmi, sajuar nga paraardhësit e tij, në thelb ka përplasjen mes Perëndimit dhe Lindjes, mes përparimtares oksidentale dhe prapambetjes osmane…
Në fakt, kjo duket qartësisht në film, mjaft ta shikosh atë me syrin e qëmtimit kritik dhe kjo që rrëfen Blushi i ri, kuptohet pa ndonjë vështirësi. Por ajo që Blushi nuk thotë në shkrimin e tij, dhe që filmi e tregon qartësisht është se, “përparimtarët”, “revolucionarët”, “të shkolluarit” dhe “pozitivët” përfaqësohen të gjithë me emra ortodoksë, ndërsa “të prapambeturit”, “dallkaukët” dhe “negativët” përfaqësohen të gjithë me emra muslimanë.
Pra, qartësisht dy botët që kacafyten mes tyre, ku sipas të atit dhe gjyshit të Benit, nuk janë thjesht Lindja Osmane dhe Perëndimi, por Islami dhe Krishterimi i laicizuar, të cilin e përfaqësojnë të gjithë personazhet me emra ortodoksë në film. Kështu që filmi nuk është tallje vetëm me mendësinë osmane lindore, por me vetë Islamin dhe muslimanët shqiptarë, nga dy ateistë me origjinë ortodokse.
Veprat e realizmit socialist janë krijuar me shumicë nga kjo frymë orientaliste, ku Lindja muslimane stigmatizohet përmes një karikature të tillë, si kjo e këtij filmi. Në thelb, kjo forcon tezën se komunizmi ideologjikisht u mbështet më së shumti mes shqiptarëve nga shtresa me origjinë vlleho-ortodokse, e cila edhe pse qe shkëputur nga origjina e saj etnike dhe fetare, në nënvetëdijen e saj gëlonte urrejtja dhe smira e trashëguar e hyzmeqarit ndaj beut dhe agait të tij.
Filmi në fjalë, në fakt deformon edhe historinë, duke ia atribuuar këngën e Kongresit të Lushnjës një personazhi me emrin ortodoks Mihal, që ishte “edhe muzikant, edhe vjershëtor”, ndërkohë që në të vërtetë siç dihet mirë, atë e ka shkruar një nga organizatorët kryesorë të Kongresit, Ferid bej Vokopola, që jo vetëm ishte musliman, por ishte edhe teolog islam. Kjo nuk është ndonjë habi nga këta ateistë jabanxhinj, që kanë helmatisur gjakun dhe ndërgjegjen e shqiptarëve për gjysmë shekulli, sepse ata edhe vetë tekstin e këngës e kanë gjymtuar, duke hequr fjalën Zot prej tij në vargjet:
Më sa humbet drejtësi e Zotit,
aq dhe humbet shpresa jonë.
Nuk pushtohet tokë e Kastriotit,
trimërinë e kanë zakon, e kanë zakon.
Duke vazhduar më pas tek dy personazhe imagjinare të trilluara, njëri Pandeli Prokopi, që del të ketë qenë delegat i Korçës në Kongres, dhe njëkohësisht i ati i këngëtares dhe Nuri Beu, një nga çifligarët e fortë vendas, i cili sipas trillimit të Dhimitrit dhe Kiços, paska dashur të vrasë Ismail bej Qemalin! Filmi tregon se ashtu siç Pandeliu e përdhosi Nuriun në ditët e Kongresit në 1920-n, ashtu ai u riposhtërua nga e bija dhe publiku, duke i kënduar këngën e Kongresit, që Nuri beu e kishte aq zët.
E lexuar pikërisht me “boshtin ideologjik” të çelësit që na jep Ben Blushi, filmi në fakt nuk është gjë tjetër, veçse një akt përdhosjeje që i bëhet në vazhdimësi dhe historikisht muslimanëve shqiptarë nga protokomunistët dhe komunisto-ateistët me origjinë vlleho-ortodokse.
Edhe pse kohërat dhe njerëzit duket sikur ndryshojnë, trashëgimia nuk humbet, dhe ashtu si babai dhe gjyshi i Blushit, apo dhe soji i tij ideologjik deformuan dhe baltosën historinë e muslimanëve të këtyre trojeve, ashtu edhe pasardhësit muslimanë shqiptarë të atyre që kontribuuan për këtë vend dhe në atë Kongres, do të jetojnë për t’iu kundërvënë zeherit të kuq të jabanxhinjve.
P.s. në linkun më poshtë, mund të lexoni një analizë të shkurtër kritike rreth këtij filmi:
Justinian Topulli