Në tokën që ia kishte lënë trashëgim i ati, Imer Rrahimi, në gusht të vitit të kaluar me miq e bashkëfshatarë kishte vendosur për ndërtimin e një xhamie të re në fshatin Revuçë, fshat ky rreth 10 kilometra larg Podujevës.
Disa javë pas këtij vendimi, Rrahimi, i cili jeton në Gjermani, i kishte kërkuar Komunës së Podujevës dhe Bashkësisë Islame të Podujevës në një letër jozyrtare leje për ta nisur ndërtimin, raporton KTV.
Pavarësisht kësaj, Rrahmani kishte nisur ndërtimin pa pritur përgjigjen e autoriteteve komunale.
Për këtë ndërtim Rrahmani thotë t’i ketë kursyer 15 mijë euro, ndërsa për të tjerat priste donacione.
Mungesa e lejes e ka shtyrë Inspektoratin komunal t’i ndërpriste punimet.
Kundër ndërtimit të xhamisë thotë se nuk është as Bekim Jashari, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Podujevës. Por, halli i tij është ndërtimi pa leje dhe se kush do të bëhet në të ardhmen imam i xhamisë, transmeton koha.net.
Rrahimi thotë se do t’ia lërë në dorë Bashkësisë Islame të Podujevës zgjedhjen e imamit. Ndërkaq, pranon që i ka miq hoxhë Shefqet Krasniqin e Fatmir Latifin.