1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

KOMUNA E PRISHTINËS E SHPENZOI BUXHETIN VETËM 9.3 %

Më të lexuarat

Rritja e numrit të familjeve me asistencë sociale në Komunën e Prishtinës mbetet shqetësuese. Po ashtu gjendja ekonomike dhe sociale në këtë komunë, në përgjithësi është e mjerueshme. Kështu u tha në mbledhjen e shtatë të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, në të cilën u shqyrtua Raporti i kryetarit të Komunës për situatën ekonomike dhe financiare të Komunës dhe për zbatimin e planeve investuese për periudhën janar-qershor 2012.

Sadri Ramabaja, nga grupi parlamentar i “Vetëvendosjes”, tha se ky raport paraqet gjendjen e mjerë ekonomike dhe sociale në Komunën e Prishtinës. Sipas tij, ajo çka ndodh me Prishtinën, nuk flet në dobi të një qeverisje të shëndetshme. Sipas tij, gjendja e paraqitur në këtë raport nuk është reale, pasi që raporti është falsifikim i realitetit social.

“Ky raport na shpërfaq gjendjen ekonomike të mjerë dhe gjendjen sociale gjithnjë e më të mjerë të qytetarëve të Kosovës. Nëse kryetari dhe bashkëpunëtorët e tij, janë për të forcuar këtë mirëqenie, ky raport nuk dëshmon se punët po na ecin mirë. Madje, para këtij fakti, se është bërë përpjekje që të prezantohet çdo gjë e mirë e mundshme, të prezantohet edhe projektet që financohen nga donacionet e mundshme, për shkollat që financohen nga MASHT, kapaciteti i zhvillimit ekonomik të kryeqendrës sonë, lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar. Kjo ndodh sepse menaxhimi i atyre resurseve të Komunës, është sikur të ishte mall i huaj” , tha ai.

Mirëpo, kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, iu përgjigj këtyre akuzave, duke pohuar se gjendja ekonomike dhe sociale në Prishtinë, është e kënaqshme, por është e rëndë si në të gjithë Kosovën, pasi që norma e papunësisë është e lartë.

“Situata është e rëndë këtu, siç është në të gjithë Kosovën, por nuk qëndron fakti që unë të kem premtuar ndonjëherë sepse po përsëritet që do të punësohen 50 mijë vetë në Prishtinë, sepse për 50 mijë vet nuk ka punë dhe as nuk jemi ne komuna punëdhënësi. Kjo është një gjë iluzore dhe e paqëndrueshme. Nëse ne i kemi 350 mijë të punësuar zyrtarisht, 50 mijëshi do të nënkuptonte 16 për qind më shumë. S’ka normë të punësimit 16 për qind, që mund të realizohet në Kosovë, që të mund të realizohet në asnjë vend. Janë çështje të paqëndrueshme. Sepse ne kemi normën e rritjes ekonomike prej 3.7 për qind dhe kësaj rritje nuk mund t’i përgjigjet një normë punësimi prej 16 për qind”, tha Mustafa.

Mustafa më tej pohoi se ka lëvizje të mira sa i përket përmbylljes së tenderimeve të të gjitha investimeve kapitale për këtë vit, përveç disa ngecjeve në fushën e arsimit, e që kanë qenë më tepër të lidhura me hapësirat për ndërtimin e shkollave. Ai tha se po shikojnë mundësinë e ndërtimit të një pishine të mbyllur tek Pishina e Gërmisë. Mustafa foli për shumë projekte që Komuna po i realizon, e të cilat sipas tij do ta përmirësojnë pozitën e qytetarëve si me furnizim me ujë dhe ngrohje.

Edhe Tefik Mehmeti, në emër të grupit të këshilltareve të LDK-së , përgëzoi kryetarin Mustafa për punën e bërë në këtë gjashtëmujor. Mirëpo, sipas tij, shqetësues mbetet numri i madh i familjeve me asistencë sociale.

“Tek mirëqena sociale mbetet shqetësuese rritja e numrit të familjeve, përfitues të asistencës sociale. Komuna në këtë aspekt mendojmë se ka bërë aq sa ka pasur kompetenca, në drejtimin e dhënies së banesave dhe rastet e tilla duhet të jenë në prioritet”, tha ai.

Ndërsa, Shemsi Veseli, nga PDK tha se përqindja e vogël e të hyrave vetanake nga inspeksioni dhe nga inkasimi i licencave në komunën e Prishtinës mbetet shqetësuese. Ai tha se duhet një planifikim më i qëndrueshëm, profesional dhe më real, në mënyrë që buxheti i komunës së Prishtinës të shkojë në dobi të qytetarëve të saj. Sipas tij, shqetësuese mbeten edhe investimet kapitale, pasi që vlera e shpenzuar vetëm prej 9.28 për qind është tregues i dobët i ekzekutimit të buxhetit dhe tregon se në gjashtëmujorin e parë, kemi një ritëm tejet të ngadaltë të projekteve.

“Është e tmerrshme që tremujorin e fundit, të harxhohet mbi 40 për qind të buxhetit që na lë me kuptu se nuk po bëhet planifikimi si duhet dhe nuk po menaxhohet. Madje, nga ai planifikim, po bëhen projekte kuturu, që po na imponon për të mos dalë suficiti”, tha ai.

Ndërsa, Shefqet Sylejmani, nga grupi parlamentar i AAK-së kërkoi nga komuna, që duke parë gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, që të bëjë zbritje edhe më të madhe të shkallës së tatimit. Në këtë takim pati vërejtje edhe sa i përket ndërmarrjeve publike. Në lidhje me këtë u tha se në raport, nuk është paraqitur gjendja reale e ndërmarrjeve publike, të cilat nuk janë në gjendje aq të mirë sa janë paraqitur në raportin në fjalë./KP/.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit