Roald A. HYSA
Ngjarjet e fundit në Francë nuk lanë njeri pa prekur në Evropë, madje edhe neve që aspirojmë të hyjmë në Evropë. Ajo që ndodhi i shqetësoi të gjithë pa përjashtim, po normalisht vetë francezët ishin ata u ndjenë më të prekurit. Pasojat e kësaj ngjarjeje ishin nga më të ndryshmet dhe që prej një pjese priteshin të krijoheshin trazira, edhe siç ndodhën në të vërtetë. Gjenerimi i lajmit dhe lidhja që i bëhej me togfjalëshin “terrorizëm islamik” solli krijimin e një vale të vërtetë islamofobie, e cila kaloi jo thjesht në kërcënime verbale, por edhe në sulme drejt xhamive e qendrave islame të pranishme jo vetëm në Francë, ku numërohen deri tashti rreth 50 të tilla, por edhe në Itali e Gjermani. Fatkeqësisht u krijua një atmosferë e rëndë, megjithëse u kërkua të mbrohej liria e shtypit dhe e të shprehurit, saqë pati edhe një kundër-karikaturë, ku pasqyrohej një arabo-mysliman, të cilit i kërkohej fjala magjike “unë nuk jam terrorist” për t’i shitur një kile djathë e një bukë. Komunitetet myslimane kudo që u intervistuan u pyetën pikërisht me këto fjalë, pra, që ta dënonin qysh në fjalë të parë “terrorizmin islamik”. Në një farë mënyre iu kërkua të justifikoheshin dhe të deklaroheshin pa diskutim fare, që “ne nuk jemi terroristë”. Ky është një problem i shteruar prej kohësh, terrorizmi është terrorizëm dhe pa u vërtetuar mirë qëllimet dhe veprimet e dikujt nuk mund të njolloset një komunitet i tërë. Kësaj atmosfere provokative të nxitur edhe nga lajmi i ripublikimit të karikaturave nga Charlie Hebdo iu mëshua me forcë nga Redaksia e kësaj reviste, e cila me sa duket përfitoi nga situata tejet e nxehtë dhe e rriti tirazhin nga disa dhjetëra mijëra kopje fillimisht në 3 milionë e më pas në 5 milionë.
Të vesh në lojë autoritetin, të kritikosh apo të satirizosh është një pjesë e rëndësishme e lojës politike njerëzore, porse të fyesh të gjitha kategoritë njerëzore dhe gjërat e shenjta që kanë ato nëpërmjet fëlliqësirave apo akteve të fëlliqura nuk është normale. Për këtë duhet treguar kujdes dhe të shfrytëzosh më pas situatën për të krijuar komplekse faji kolektive nuk mund të jetë asnjë herë normale. Diskriminimi me bazë feje paraqet një fenomen të dënueshëm sipas ligjeve të ndryshme në vende të ndryshme në Evropë. Në vendet anglo-saksone gjuha e përdorur nga Charlie Hebdo do të shihej si një hate speech e pastër dhe kjo revistë ateiste me komunizmin e saj të pastër nuk ka fyer vetëm profetin Muhamed të muslimanëve, por edhe Jezu Krishtin e të Krishterëve, i cili nuk është vetëm për të Krishterët i shenjtë, por edhe për të gjithë myslimanët. Komunitetet myslimane në të gjithë Evropën janë ndjerë të fyer me ato që ndodhën në Paris, dhe të kërcënuar njëkohësisht. Por është shumë ofenduese kur përpjekjet kryesore bëhen për të njollosur komunitete të tëra dhe për të krijuar tek ata kompleksin e fajit kolektiv. Liria e të shprehurit, shtypi i lirë janë nocione që mbajnë në këmbë një shoqëri të tërë demokratike, por kjo nuk do të thotë, se na jepet e drejta dhe liria për t’i ofenduar njerëzit, në një kohë kur përplasjet e forta sociale sjellin efekte të padëshirueshme. Një grua arabe-myslimane abortoi fëmijën e vet nga sulmet fizike, që pësoi nga disa ekstremistë nacionalistë. Revista me karikaturat e shumëpërfolura të ribotuara doli në shitje me një kapacitet prej milionë kopjesh dhe njerëzit zunë radhë për ta blerë atë. Mirëpo presioni i madh mediatik solli një valë të madh sulmesh islamofobike në të gjithë Francën, çka e detyroi shtetin të vejë në qarkullim 10,000 policë pranë xhamive, sinagogave e aeroporteve kryesore. Franca përjetoi ngjarje shumë të vështira me gjithë thirrjet për qetësi e tolerancë edhe nga komunitetet fetare, që iu bashkuan “marshimit të paqes” në Paris të organizuar nga presidenti Hollande. Muslimanët nuk mund të ndjehen fajtorë, kur prej kohësh e kanë dënuar terrorizmin dhe në këtë rast edhe ata e kanë pësuar nga këto veprime terroriste.
Myslimanëve po ju kërkohet të tregojnë se si nuk janë, kur në fakt ata kanë shumë për të treguar se kush janë. Ata janë një faktor paqeje nëpër komunitetet ku jetojnë dhe këtë e vërtetoi edhe polici i vrarë 42-vjeçari mysliman Ahmed, që u vra gjatë asaj përplasje fatale. Prej krerëve evropianë po kërkohet tashmë, që termi terrorizëm të disociohet nga ai islamik. Ndërkaq një deputet i Dumës ruse ka kërkuar ndalimin e togfjalëshave “terrorist islamik” e “militant islamik” në mediat e ndryshme dhe ka gjetur një përkrahje të gjerë në parlamentin rus. Këtu duhet të përqendrohemi dhe të përpiqemi dhe jo sa herë që del ISIS apo ndonjë emërtesë tjetër e ngjashme na duhet të shpjegojmë “pse nuk jemi terroristë islamikë”?
Terrorizmi është terrorizëm kudo ku ai shfaqet dhe kudo ku ai vepron. Janë një numër organizatash terroriste në vitet 1970-1980, të cilat shkaktuan tragjedi të mëdha në të gjithë Evropën. Bader und Meinhoff në Gjermani, Action Directe në Francë, Prima Linea e Brigate Rosse në Itali, Harri Batasuna i ETA-s në Spanjë, e cila vazhdon të jetë pjesërisht aktive edhe sot në rajonet baske etj. IRA në Irlandë, janë disa nga organizatat që mbollën terror në ato vite të trishta.