-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Komisioni, i gatshëm të rekomandojë ‘ndryshimet’ në histori

Më të lexuarat

Komisioni i ngritur nga ministri i Arsimit, Ramë Buja, për rishikimin e teksteve të Historisë dhe Gjeografisë, ka përfunduar punën e tij. Burime të Radio Kosovës thonë se ky Komision ka përgatitur edhe raportin në të cilin përfshihen rekomandimet se në cilat pjesë duhet të korrigjohen tekstet e historisë.
Por, ministri Buja, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se ende nuk e ka marrë raportin e Komisionit.

Komisioni Evropian ka kërkuar nga vendet e Ballkanit që të korrigjojnë tekstet shkollore të Historisë dhe Gjeografisë, ku ka gjuhë të urrejtjes. Për këtë, ministri i Arsimit, Ramë Buja, pati krijuar një Komision më 5 prill të vitit të kaluar, për të korrigjuar këto tekste.
Komisioni, tashmë, ka përfunduar punën e tij dhe pritet që vitin e ardhshëm shkollor tekstet të jenë me korrigjimet e bëra. Ministri i Arsimit, Ramë Buja, në një intervistë për Radio Kosovën, thotë se çështja e Komisionit Evropian është keqkuptuar dhe keqinterpretuar që nga takimi me Ministrin e Arsimit të Turqisë.

“Edhe pse ne të dy sqaruam në konferencën për media se Ministri i Arsimit të Turqisë nuk kërkoi ndërrimin e historisë, sepse ajo nuk mund të bëhet nga asnjë ministër i çfarëdo përmase, sepse historia është ajo që është. Por, konform kërkesave të KE-së të bëjmë ndryshimin e gjuhës së urrejtjes dhe ne menjëherë kemi ndërmarrë hapat obligues, kemi formuar komisionin e përbashkët që të shohim se çfarë duhet bërë dhe tani unë po pres një raport përfundimtar se çfarë ka bërë”, shpjegon Buja.

Ai tha se nuk e ka parë ende raportin përfundimtar të Komisionit për korrigjimin e teksteve, por nga ajo që është informuar, thotë se është bërë punë këmbëngulëse për të korrigjuar nëse ka pasur ndonjë intonim të tillë: “Unë besoj që ka përfunduar dhe së shpejti më kanë thënë se do ta sjellin në tavolinën time dhe unë do ta bëjë publike atë raport dhe të them se ku është intervenuar. Por, historia as nuk ka insistuar kush për ta ndryshuar dhe as nuk do ta ndryshojnë. Historia nuk do të jetë e rishikuar, do të jetë ndonjë shprehje eventuale e korrigjuar”.

Kërkesa e Komisionit Evropian për largimin e gjuhës së urrejtjes në tekstet shkollore vlen për të gjitha vendet e Ballkanit. Por, në shkollat serbe në Kosovë, tekstet bien ndesh jo vetëm me realitetin historik, por edhe me Kushtetutën e Kosovës. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit