3.7 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Koment – Manifesti zgjedhor i Presidentit Erdogan dhe politika e jashtme

Më të lexuarat

Analizë nga Can ACUN, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme në Fondacionin për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA), në Ankara…

 

*Can ACUN

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan publikoi manifestin zgjedhor të tij dhe të Partisë AK për zgjedhjet presidenciale dhe të përgjithshme që do të mbahen më 24 qershor. Manifesti zgjedhor i Presidentit Erdogan dhe Partisë AK përmban një numër të madh të premtimeve për fushat e ekonomisë, shëndetësisë dhe politikave të brendshme. Mirëpo ky manifest gjithashtu hedh dritë edhe në objektivat dhe metodat e politikës së jashtme të Turqisë në qoftë se Presidenti Erdogan rizgjidhet për president të Turqisë.

Është e qartë se njëra prej çështjeve më të rëndësishme të politikës së jashtme të Turqisë gjatë periudhës sëardhshme patjetër do të jetë lufta kundër terrorit. Në deklaratën e bërë pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik 2016, Presidenti Erdogan ka thënë se lufta kundër terrorit nuk do të kufizohet vetëm brenda kufijve të Turqisë, por do të ndërmerren operacione ndaj objektivave terroriste në burim edhe jashtë vendit. Forcat e Armatosura të Turqisë dhe Ushtria e Lirë Siriane që me anë të operacionit “Mburoja e Eufratit” fillimisht spastruan vijën kufitare të Turqisë nga elementët e DAESH-it, më pas me operacionin “Dega e Ullirit” spastruan edhe zonën e Afrinit nga elementët e organizatës separatiste terroriste PKK/PYD-YPG. Posaçërisht operacioni “Mburoja e Eufratit” tregoi se sa në vend ishte qasja e re e Turqisë në luftën kundër terrorit që u pasqyrua edhe në ndaljen për një kohë të gjatë të sulmeve terroriste të DAESH-it në Turqi. Në të njëjtën kohë forcat e sigurisë dhe të inteligjencës me operacionet antiterror të ndërmarra në fushë të plotë në Turqi parandaluan një numër të madh të sulmeve të mundshme të terrorit. Në të njëjtën kohë me operacionin “Dega e Ullirit” u parandaluan edhe infiltrimet e organizatës separatiste terroriste në Hatay të Turqisë nëpërmjet maleve Amanos. Sipas manifestit të publikuar zgjedhor të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, pritet që pas 24 qershorit të ndërmerren operacione të reja antiterror matanë kufirit. Mund të themi se operacionet ushtarake, të cilat aktualisht zhvillohen brenda Irakut kundër organizatës separatiste terroriste PKK, do të vazhdojnë duke u rritur gjatë periudhës së ardhshme.

Në kuadër të luftës kundër terrorit Turqia gjithashtu ka bërë plane për një operacion të ri ushtarak kundër organizatës terroriste YPG/PKK në veri të Sirisë. Në manifestin zgjedhor të Presidentit Erdogan theksohet se Turqia nuk pranon zotërimin e askujt dhe nuk zotëron askënd. Edhe pse kjo qasje e Turqisë ka shqetësuar shumicën e vendeve perëndimore, ajo do të vazhdojë me politikat e saj të jashtme të pavarura që në rend të parë do të ketë mbrojtjen e interesave të saj kombëtare në botë dhe rajon. Posaçërisht përkufizimi i Turqisë si një aktore globale nga ana e Presidentit Erdogan tregon qartë objektivat e Turqisë në këtë drejtim. Mirëpo ashtu siç Turqia nuk pranon zotërimin e askujt, ajo nuk zotëron askënd. Treguesi i qartë i kësaj është politika e Turqisë ndaj Afrikës, e cila nuk bazohet në kolonizim, por në marrëdhënie me respekt reciprok dhe për qëllime të ndihmave. Dëshmia e politikës së jashtme humanitare e Turqisë është se ajo, duke e marrë për bazë Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), është vendi që jep më së shumti ndihma në botë.

Me qëllim që politikat efikase të  jashtme të Turqisë të jenë të vazhdueshme dhe të zgjerohen është e nevojshmeqë Turqia të ulë vartësinë e saj dhe të rritë rëndësinë e saj strategjike. Në këtë kontekst industria e mbrojtjes së Turqisë ka rëndësi të veçantë. Kështu që në manifestin zgjedhor të Presidentit Erdogan industria e mbrojtjes zë vend të rëndësishëm. Turqia prej vitit 2011 e këtej, duke e shtuar për 90 për qind eksportin e industrisë së mbrojtjes u radhit në vendin e 18-të në mesin e vendeve që eksportojnë më së shumti armë. Në të njëjtën kohë Turqia uli nga 80 për qind në 30 për qind vartësinë e saj në industrinë e mbrojtjes. Pritet që gjatë periudhës së ardhshme industria e mbrojtjes së Turqisë të vazhdojë duke u rritur. Turqia ka arritur sukses të veçantë në botë posaçërisht në çështjen e avionëve të telekomanduar. Ajo është njëra prej gjashtë vendeve të botës, e cila prodhon avionët e saj të telekomanduar. Gjithashtu deklarata e Presidentit Erdogan se do të prodhohen edhe tanket e telekomanduara, janë tregues se Turqia është njëra prej aktoreve që prodhon ide dhe sjellë risi në teknologji të rëndësishme.

Forcimi i industrisë së mbrojtjes së Turqisë rrit edhe ndikimin e saj në politikat e jashtme. Turqia, e cila është kthyer në alternativë të rëndësishme për vendet mike dhe aleate në pikën e blerjes së armëve, ka zënë vendin e saj në tregun ndërkombëtar. Eksporti i saj i autoblindave shtrihet prej Afrikës, vendeve të Gjirit dhe Azisë Qendrore e deri tek Malajzia. Krahas shitjes së helikopterëve ATAK dhe të luftanijeve Pakistanit, Turqia shiti edhe avionë të telekomanduar të armatosur të tipit “Bayraktar TB2” në Katar. Kjo gjallëroi ekonominë e Turqisë, forcoi punimet e kërkim-zhvillimit dhe rriti ndikimin e Turqisë në politikën e jashtme.

*Ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të jashtme pranë Fondacionit për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale (SETA) në Ankara.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit