Megjithëse marrëdhëniet ekonomike të Turqisë me vendet e Ballkanit rriten nga viti në vit, ato ende nuk kanë arritur nivelin e dëshiruar.
Me përfundimin e periudhës së Luftës së Ftohtë nisën të zhvillohen edhe marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike të Turqisë me vendet e Ballkanit. Edhe pse marrëdhëniet ekonomike rriten nga viti në vit, ato ende nuk kanë arritur nivelin e dëshiruar. Përveç kësaj, luftërat në gjeografinë e ish-Jugosllavisë kanë bërë që biznesmenët turq të përqendrohen më shumë në Rumani, Bullgari dhe Shqipëri sesa në vendet e tjera të rajonit. Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme të vendeve të Ballkanit në drejtim të zhvillimit dhe privatizimit vazhdojnë të ofrojnë mundësi ekonomike për botën turke të biznesit.
Investimet e huaja direkte të Turqisë gjatë viteve të fundit ka qenë një nga temat që është ndjekur me më shumë kureshtje në median ballkanike. Përpjekjet bëhen për të kuptuar se në cilat vende të Ballkanit ka bërë më shumë investime Turqia. Por për shkak të mungesës së të dhënave, çështja e investimeve të Turqisë në vendet e Ballkanit nuk është edhe aq e qartë.
Në përgjithësi, është e vështirë të gjesh të dhëna të plota për investimet e huaja direkte të një vendi jashtë shtetit. Lidhur me përsenë e kësaj, të dhënat zyrtare të vendit që është në pozicionin e investitorit marrin parasysh vetëm eksportin e kapitalit. Investimet e bëra përmes vendeve të treta nuk pasqyrohen në të dhënat zyrtare të vendit investues. Për shembull, investimet e huaja direkte që bën në Rumani një biznesmen turk rezident në Holandë përmes këtij vendi (Holandës) nuk pasqyrohen në statistikat zyrtare të Turqisë. Nga ana tjetër, në statistikat zyrtare rumune, ky investim llogaritet si investim holandez, e jo si investim turk.
Për këtë arsye, nuk ka konsensus mbi investimet e huaja direkte të Turqisë në vendet e Ballkanit. Burime të ndryshme ofrojnë shifra të ndryshme, që në shumicën e rasteve nuk i afrohen fare njëra-tjetrës.
Shifrat e përcaktuara nga Ministria e Ekonomisë së Republikës së Turqisë nëpërmjet përfaqësive të saj tregtare në vendet përkatëse marrin në konsideratë edhe investimet e bëra përmes vendeve të treta. Për këtë arsye, Turqia ofron parashikimet më të mira në lidhje me investimet e huaja direkte jashtë vendit.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë së Republikës së Turqisë, shuma kumulative e investimeve direkte të Turqisë në vendet e Ballkanit në vitin 2007 ishte 3,5 miliardë dollarë. Kurse deri në fund të vitit 2016, vlera kumulative e investimeve të huaja direkte të Turqisë në vendet e Ballkanit arriti rreth 10 miliardë dollarë. Kjo tregon se gjatë dekadës së fundit Turqia i ka forcuar marrëdhëniet e saj ekonomike me vendet e Ballkanit në aspektin e investimeve. Sot, firmat turke prodhojnë një gamë të gjerë produktesh në vendet e Ballkanit, duke filluar që nga prodhimi i letrës dhe kartonit, e deri tek biskotat dhe pajisjet elektro-shtëpiake. Gjithashtu firmat turke ofrojnë në vendet e Ballkanit shërbime në shumë sektorë, duke filluar nga komunikimi e deri në sistemin bankar e transmetimet televizive.
Rumania dhe Bullgaria ishin vendet e para të rajonit, ku firmat turke shkuan jashtë vendit me qëllim për të investuar. Në të vërtetë Rumania sot është vendi ballkanik, në të cilin firmat turke janë më aktive në aspektin e investimeve. Në vitin 2016, vlera e përgjithshme e kapitalit turk në këtë vend ishte rreth 4 miliardë dollarë. Kjo shifër korrespondon me 39% të totalit të investimeve të drejtpërdrejta turke në vendet e Ballkanit. Vendet e tjera të Ballkanit që kanë arritur të thithin më shumë investime turke janë Bullgaria me 2,2 miliardë dollarë dhe Shqipëria me 2 miliardë dollarë.
Gjatë viteve të fundit ka pasur gjithashtu një rritje të konsiderueshme të investimeve turke edhe në Maqedoni, Kroaci dhe Kosovë. Në fakt, vlera e përgjithshme e investimeve të drejtpërdrejta turke në këto tre vende nga 235 milionë dollarë që ka qenë në vitin 2011, është rritur në 1,3 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2016. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë së Republikës së Turqisë, deri në fund të vitit 2016, vlera kumulative e kapitalit turk në Maqedoni vlerësohet të jetë 500 milionë dollarë, në Kroaci 430 milionë dollarë dhe në Kosovë 341 milionë dollarë.
Në Malin e Zi, vendi më i vogël në Ballkan në aspektin e popullsisë, investimet turke kanë mbetur në një nivel relativisht më të ulët, 39 milionë dollarë. Nga ana tjetër, investimet turke janë gjithashtu në nivel të ulët edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Deri në fund të vitit 2016, vlera kumulative e investimeve të huaja direkte turke në Bosnjë-Hercegovinë ishte 197 milionë dollarë. Megjithatë, sipas konstatimeve të ambasadës turke në Sarajevë, kontributi material që i është dhënë Bosnjë-Hercegovinës nga periudha pas vitit 1995 e deri më sot llogaritet në rreth 1 miliardë euro, duke përfshirë këtu edhe mundësitë që kanë ofruar institucione të ndryshme të Turqisë, me në krye Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit Serbia me Greqinë kanë tregje relativisht më të mëdha. Por duke qenë se marrëdhëniet e tyre politike me Turqinë kanë ndjekur në të kaluarën një kurs të luhatshëm, këto dy vende nuk kanë arritur të thithin mjaft kapital turk. Deri në fund të vitit 2016, vlera kumulative e kapitalit turk në Serbi ka qenë rreth 113 milionë dollarë, ndërsa në Greqi rreth 100 milionë dollarë.
Paralelisht me afrimin politik ndërmjet Ankarasë dhe Beogradit vitet e fundit, vihet re edhe një rritje e interesimit të biznesmenëve turq ndaj Serbisë. Dhe për sa kohë që nuk do të ketë ndonjë anormali në marrëdhëniet dypalëshe, në vitet e ardhshme mund të presim një rritje të vlerës totale të kapitalit turk në Serbi.
Po të shikojmë investimet e vendeve të Ballkanit në Turqi, me përjashtim të investimeve greke dallohet që ato mbeten në nivele simbolike. Megjithatë, duhet pasur parasysh se investimi i drejtpërdrejtë i huaj nga Greqia me vlerë 6,3 miliardë dollarë në Turqi deri në fund të vitit 2016, korrespondon me 64% të investimeve totale që ka barë Turqia në Ballkan deri në fund të vitit 2016.
Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR
Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ