TIRANË (AA) – Kombëtarja e Shqipërisë në Futboll do të luajë një ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Jordanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Konfirmimi për ndeshjen është bërë nëpërmjet një njoftimi nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), e cila njofton se miqësorja do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan, më 10 tetor të këtij viti.
“Përballë do të jetë përfaqësuesja e Jordanisë e cila vjen në Shqipëri për t’u ndeshur me ekipin e drejtuar nga Christian Panucci. Federatat përkatëse kanë gjetur akordin dhe zyrtarizojnë zhvillimin e ndeshjes Shqipëri-Jordani”, theksohet në njoftimin FSHF-së.
Kujtojmë se Përfaqësuesja e Shqipërisë në Futboll do të luajë një ndeshje miqësore edhe me Uellsin, më 20 nëntor në “Elbasan Arena”.
Sipas FSHF-së, sikurse edhe ajo me Uellsin do të luhet në periudhën kur zhvillohen takimet e grupeve për Ligën e Kombeve.