Shkup, 10 gusht – Njëri nga liderët e grupit të Kumanovës, Muhamet Krasniqi i njohur me nofkën Komandant Malisheva ka tentuar të bëjë vetëvrasje, mëson Alsat M nga burime jozyrtare. Sipas informacioneve deri tani të pakonfirmuara tentimin për të vrarë veten e ka kryer duke pirë acid sulfurik.
Informacionet flasin se megjithatë, në një moment të caktuar ai është penguar në qëllimin e tij. Supozohet se ka pirë një pjesë të tretjes por është shpëtuar. Nuk ka ende informacione të konfirmuara lidhur me gjendjen shëndetësore të Krasniqit, por as për motivet e këtij veprimi.
Ky rast ndodh në një periudhë kur pjesëtarët e dyshuar të “Grupit të Kumanovës” japin deklaratat e tyre përpara Prokurorit kompetent publik. Sipas burimeve të afërta me të arrestuarit, ata kanë pasur një ndjenjë të pasigurisë, ndërsa kanë kërkuar që edhe deklaratat që do t’i japin para prokurorit të jepen para kamerave, përkatësisht të xhirohen.
Para vetëm disa ditëve avokatët e tyre ankoheshin se në kundërshtim me Ligjin për procedurë penale, klientët e tyre, nuk kanë pasur qasje në dëshmitë kundër tyre, para se ti jepnin deklaratat. Nga Prokuroria publike sot kanë theksuar se do t’ua japin dëshmitë, por vetëm pasi të njëjtat të kompletohen.
“Në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit, marrja në pyetje e të dyshuarve është në fazën finale, disa prej të dyshuarve gjatë ditëve në vijim duhet të merren në pyetje. Pas kompletimit të dëshmive, para përfundimit të procedurës hetuese të njëjtat do t’ju jepen për shqyrtim personave të dyshuar dhe mbrojtjes”, njoftojnë nga Prokuroria Publike e Maqedonisë.
Nga Prokuroria publike, megjithatë nuk ka dhanë një numër të saktë edhe sa të dyshuar do të merren në pyetje dhe kur mund të pritet propozimi për aktpadinë. Për ngjarjet e Kumanovës, ku e humbën jetën 8 policë, ndërsa u vranë edhe 10 pjesëtarë të grupit, gjithsej të dyshuar janë 33 persona.