-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Koalicioni PDK – LDK pranon se ka nevojë të riformatohet

Më të lexuarat

Koalicioni qeverisës, ndërmjet dy partive më të mëdha në Kosovë, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike pas më gjatë se dy vite qeverisje, po paralajmëron një lloj riformatimi dhe ristrukturimi.

Ky koalicion, bashkë me pakicat, përbën shumicën parlamentare, por përkundër proklamimit, nuk ka arritur ende të përmbushë disa nga vendimet kryesore që i ka premtuar me synimet dhe programin qeverisës. Këtë fakt, e thonë edhe vet udhëheqës nga këto dy subjekte politike.

Kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh edhe i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se duhet të pranohet fakti që ka vonesa në disa në fusha në drejtim të realizimit të kërkesave të qytetareve.

Ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka kritikuar qeverisjen për ritmin e ngadaltë të punës dhe moszhvillimin e duhur socio-ekonomik të vendit.

“Ka nevojë për ndryshime, ka nevojë për riformatim, jo vetëm të numrave qeveritarë, të emrave qeveritarë, por edhe të funksionalitetit të politikave të cilat kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me përmirësimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë, në fushën e atraktimit të investitorëve të huaj duke pasur parasysh se shumë investitorë potencial po kalojnë anash e nuk po ndalen në Kosovë”, ka deklaruar Veseli.

Tutje, Veseli ka theksuar se në fushën e politikave ekonomike duhet shumë shpejtë të ketë përmirësim për bizneset vendore, pasi që sipas tij ato nuk e kanë përkrahjen adekuate stimuluese nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu, tha për Radion Evropa e Lirë se kritikat që janë dhënë nga Kryetari i Kuvendit dhe njëherësh edhe kryetari i PDK-së janë normale në një vend demokratik. Ai ka hedhur poshtë pohimet për mos qëndrueshmëri të koalicionit.

“Palët në këtë koalicion kanë raporte ekskluzivisht të mira. Pajtohen me zhvillimet nga më të ndryshmet. Ka një program qeveritar. Ka agjendë ku ata pajtohen plotësisht si për Demarkacionin, Asociacionin, qoftë për riformatimin, për çështjen e Trepçës e të tjera, gjë që e bën këtë koalicion të qëndrueshëm”, thotë Abdullahu.

Dështimi i deritashëm për të ratifikuar marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, si kushti i fundit për liberalizimin e vizave, sipas Abdullahut, nuk ka ndodhur për fajin e qeverisë.

“Çështja e liberalizmit të vizave është e ndërlidhur. Pra, është si kusht edhe me Demarkacionin. Pse nuk kalon çështja e Demarkacionit nuk është faji i qeverisë, është thënë nga miqtë tanë ndërkombëtar se një pengës e tillë që i behet demarkacionit është sajesë opozitare”, tha Abdullahu.

Analistët politik konsiderojnë se qeveria e kryeministrit Isa Mustafa deri më tash në mandatin e saj nuk ka arritur që të realizojë shumë prej projekteve të rëndësishme për qytetarët dhe vendin në përgjithësi.

Analisti politik Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se nga mos interesimi i qeverisë për të ndryshuar gjendjen, qytetaret janë duke u përballur me shumë probleme, duke u nisur nga ato elementare si arsimi, shëndetësia e të tjera.

Ai thekson se Kosova ka probleme shumë të mëdha sidomos në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Gjatë gjithë kësaj kohe Qeveria e Kosovës është marrë kryesisht me dy tema – Asociacioni i komunave dhe Demarkacioni. Ndërkohë, të gjitha temat tjera kanë mbetur nën hijen e këtyre dy temave, e ndonjëherë kjo i ka shërbyer qeverisë edhe për t’i kamufluar dështimet e veta ne fushat e ndryshme. Ndërkohë në fushat në të cilat do të duhej që të ketë zhvillime pozitive në mënyrë që jeta e qytetareve të përmirësohet është bërë fare pak”, tha Mushkolaj.

Po ashtu, Mushkolaj thotë se liderët e partive politike dhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës, në vazhdimësi kanë përmendur para qytetarëve se do të arrijnë që të realizojnë shumë projekte, por ato nuk janë realizuar. Sipas tij, çështjet që qytetarët kanë pritur shumë, kanë qenë ulja e shkallës sëpapunësisë, liberalizmi i i vizave si dhe shndërrimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

“Shndërrimi i FSK-së në ushtri dhe çështja e liberalizimit të vizave me shumë ka shërbyer si mundësi edhe zotit Thaçi atëherë dhe koalicionit qeveritar tash edhe zotit Mustafa si kryeministër, më shumë për qëllime politike në kuptimin që qytetareve të Kosovës ua kanë shitur këto si të arrira në ndërkohë që në asnjërën nuk është kryer puna siç duhet”, tha Mushkolaj.

Sidoqoftë, koalicioni qeverisës përveç agjendës dhe programit qeverisës, është përballur edhe me rezistencën e vazhdueshme të opozitës për zbatimin e shumë politikave.

Opozita, në disa raste, kishte si qëllim ta shtynte vendin edhe drejt zgjedhjeve te parakohshme, por deri më tani, koalicioni arriti që t’u mbijetoj këtyre përpjekjeve. Ndërkaq së fundi, koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së i është shtuar edhe një problem tjetër politik, ai i bojkotimit të Listës Serbe.

Andaj, mbetet të shihet nëse ky koalicion do ta mbijetoj edhe këtë sfidë të radhës dhe ta kthej Listën Serbe sërish në Qeveri dhe në Kuvend. (REL)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit