-0.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

KMDLNJ në Ditën e të Drejtave të Njeriut rikujton shkeljet në Kosovë

Më të lexuarat

KMDLNj, në kuadër të aktiviteteve monitoruese i përkrahur nga KFOS po e përcjell integrimin e të riatdhesuarve të komunitetit romë, ashkalinj dhe egjiptas në disa komuna të Kosovës duke identifikuar problemet me të cilat ballafaqohen të kthyerit e të cilat nuk janë të pakta marrë parasysh gjendjen e përgjithshme ekonomiko-sociale, papunësinë e madhe, varfërinë e madhe e cila së paku 60% të qytetarëve të Kosovës i ka shndërruar në kategorinë sociale e cila siguron mbijetesën vetëm në saje të ndihmave sociale. Riatdhesimi i pjesëtarëve të komunitetit RAE shpeshherë bëhet në kundërshtim të plotë me dinjitetin njerëzor dhe paraqet shkelje drastike të drejtave të njeriut, thuhet në një deklaratë të KMDLNJ.

Kthimi i dhunshëm i një numri të këtij komuniteti pas qëndrimit të tyre 10,20 dhe 30 vjeçar në shtetet perëndimore shkakton trauma te të kthyerit të cilët në ndërrimin e mjedisit ku kanë jetuar me një standard relativisht të mirë në një ambient ku as për së afërmi nuk i plotëson nevojat e tyre për sigurimin e kushteve minimale për ekzistencë është pengesa e parë për integrimin e tyre apo është shkëputje e hallkës së parë të zinxhirit të procesit të integrimit që është proces shumë i ndërlikuar. Mungesa e dokumentacionit për pronën është problem që përcjell shumicën e të riatdhesuarve të këtij komuniteti. Përfshirja e fëmijëve në procesin arsimor është sfidë jashtëzakonisht e madhe sidomos për fëmijët e komunitetit rom të cilët, në pamundësi të sigurojnë shkollimin në gjuhën amtare detyrohen të shkollohen në gjuhën shqipe apo serbe. Të riatdhesuarit ndonëse i përfundojnë disa trajnime për rikualifikim nuk mund të sigurojnë një vend të përhershëm pune por, një numër shumë i vogël i tyre e siguron një vend pune (me pagë të ulët) falë disa projekteve të OJQ-ve, ajo e UNDP-së vetëm në kohëzgjatje prej 3 deri në 6 muaj. Të riatdhesuarit përfitojnë një pako ushqimore modeste e cila shpeshherë nuk shpërndahet me kohë duke i vënë në pozitë të rëndë përfituesit.

Me rastin e 10 Dhjetorit – Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, shoqëria kosovare duhet të bashkëndjejë dhe solidarizohet në këtë kategori të qytetarëve që janë kthyer kundër vullnetit të tyre dhe të cilët jetojnë në kushte të padinjitetshme, varfëri të skajshme, pa përkujdesje shëndetësore, pa mundësi shkollimi dhe pa mundësi qasje në shërbime publike.

Kjo do të duhet të trokas edhe në ndërgjegjen e autoriteteve shtetërore si palë përgjegjëse për integrimin e të riatdhesuarve të komunitetit RAE si dhe në ndërgjegjen e atyre që kanë vendosur t’i kthejnë në Kosovë pjesëtarët e këtij komuniteti përkundër faktit se nuk janë plotësuar as kushtet elementare për integrimin e tyre.

Se në çfarë gjendje janë të drejtat e njeriut për personat e riatdhesuar të komunitetit RAE në Kosovë është lehtë të bindeni nëse vizitoni lagjen ku jetojnë pjesëtarët e këtij komuniteti në Fushë Kosovë dhe qytete tjera! Aty, koha është ndalur duke krijuar një situatë tmerri, jetës nën çdo dinjitet njerëzor për krejtësisht të margjinalizuar të qytetarëve duke ua mohuar ardhmërinë! Aty të kthyerit jetojnë vetëm për një ditë! Për ditën e sodit pa llogaritur ditën që vjen! Dje turpëroheshim për kampin e Plemetinit, kampin në Osterode dhe Çeshme Llug. Sot duhet të turpërohemi për kushtet e komunitetit RAE në Kosovë! E nesër?! A do të vazhdojmë ende të turpërohemi apo do ta shënojmë 10 Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut me kokteje , dreka dhe darka! – përfundon deklarata e KMDLNJ-së./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit