Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, ka bërë thirrje për sanksione më të rrepta ndaj Sirisë nga Kombet e Bashkuara, nëse ajo nuk zbaton planin e paqes të mbështetur nga OKB-ja për zgjidhjen e çështjesh së kryengritjes një vjeçare në vend.
Klinton e bëri këtë thirrje dje në Paris, në takimin e diplomatëve më të lartë të më shumë se dhjetë vendeve, një grup që është vetquajtur “Miqtë e Sirisë” dhe që mbështet revoltën e opozitës siriane kundër regjimit autokratik të Presidentit Bashar al-Asad.
Zonja Klinton tha se Uashingtoni beson se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të zbatojë një embargo armësh ndaj Sirisë dhe të vërë sanksione për udhëtimet dhe financat e zyrtarëve sirianë, me qëllim që të dobësojë pozitat e zotit Asad. Ajo tha gjithashtu se një rezolutë e tillë duhet të miratohet në bazë të Nenit 7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, e cila autorizon masat, përfshirë edhe veprimet ushtarake.
Rusia ka përdorur dy herë të drejtën e veton në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar propozimet e perëndimorëve dhe arabëve për sanksione ndaj qeverisë së Asadit, aleat me rëndësi i Rusisë. Sekretarja Klinton tha se ajo është përpjekur ta bindë Rusinë të heqë dorë nga kundërshtimet për sanksione në një takim që pati dje më herët me homologun e saj rus, Sergei Lavrov, në Bruksel. Ajo tha se zoti Lavrov e pranoi se Siria nuk është në gjendje të njejtë, por në një gjendje që po përkeqësohet.kohaislame