5.9 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

A lexojnë të rinjtë tanë? – Klementin Mile

Më të lexuarat

Klementin Mile
A lexojnë të rinjtë tanë?

Është krijuar ideja se shumica e të rinjve shqiptarë nuk lexojnë thuajse fare. Në fakt është e zakonshme që në shtëpitë shqiptare të mos gjesh asnjë libër. Është po aq e zakonshme të shohësh se bibliotekat janë bosh. E megjithatë, të rinjtë shqiptarë sot lexojnë shumë më tepër se dje. Pamja e zakonshme e të riut të sotëm është ajo e një njeriu të përhumbur në celularin apo kompjuterin e vet, duke lexuar pafundësisht shumë statuse, komente, lajme, artikuj e blogje. Po t’i shtojmë këtyre edhe titrat televizive që kapin vëmendjen e shqiptarit gjatë 24 orëve, domosdo duhet të arrijmë në konkluzionin se i riu i sotëm është një animal lectorem, kafshë që lexon.

Por kjo leximtari e të rinjve nuk është shkas për t’u gëzuar. Përkundrazi, ajo zbulon një tragjedi të ekzistencës sonë. Kjo tragjedi ravijëzohet sapo shtrojmë pyetje për karakterin e shkrimeve që lexohen më së shumti nga shqiptarët. Dhe këto janë shkrimet informative, jo ato kuptimore. Rendja pas shkrimeve informative nuk mund të shpjegohet vetëm me thjeshtësinë e tyre, me faktin që edhe një njeri i pakultivuar apo i patrajnuar në gjëra abstrakte arrin t’i lexojë pa vështirësi. Sigurisht, si rregull njeriu duket të preferojë të lehtën para së vështirës. Por preferenca për shkrimet informative dhe refuzimi i shkrimeve kuptimore ka arsye të rrënjosura thellë në strukturat psikike të njeriut.

Informacioni dhe kuptimi nuk janë vetëm gjëra të ndryshme – ato janë gjëra të kundërta. Informacioni është një përzgjedhje ndërmjet alternativave që përmban realiteti. Në këtë mënyrë informacioni e redukton kompleksitetin e realitetit, duke na i zhdukur të gjitha alternativat e tjera. Për shembull, të informohesh për motin do të thotë të marrësh mesazhin se “nesër do jetë kohë me diell”. Ky informacion ka eleminuar alternativat e tjera, të cilat janë po aq reale: shiun, borën, erën, vranësirat etj.

Kuptimi, përkundër informacionit, i ruan të gjitha alternativat e realitetit. Kuptimi nuk shpreh vetëm atë që ndodh, por edhe atë që mund të kishte ndodhur. Kështu, të lexosh një shkrim kuptimor do të thotë të lexosh për diçka që ka ndodhur në kontekstin e alternativave të tjera që nuk ndodhën, por që mund të kishin ndodhur. Andaj një shkrim kuptimor për motin do përmendte edhe diellin, edhe shiun, edhe borën, edhe erën, edhe vranësirat.

Dallimi i informacionit nga kuptimi e ekspozon qartë joshjen e lexuesit shqiptar ndaj shkrimeve informative. Informacioni, duke i reduktuar alternativat e realitetit në vetëm një, njëkohësisht redukton edhe pasigurinë e njeriut për realitetin ku gjendet. Realiteti bëhet i qartë, i thjeshtë dhe i parashikueshëm. I riu shqiptar shfaqet si njeriu që dëshiron qartësi, thjeshtësi dhe parashikueshmëri.

Por bashkë me to vijnë disa elemente negative, të cilat karakterizojnë situatën tragjike të të riut shqiptar. Çështja është se qartësia, thjeshtësia dhe parashikueshmëria vijnë me kosto të lartë – ato paguhen duke sakrifikuar lirinë dhe aktivitetin. Shkrimet informative krijojnë idenë se nuk ka alternativa: ajo që ndodhi nuk mund të ndodhte ndryshe, ajo që ndodhi mund t’i ndodhte vetëm atij lloj personi, por jo ne. Për shembull, ndërsa informohemi për blerjen e një kështjelle nga një VIP i botës së spektaklit, ne konkludojmë se kjo është një botë tjetër, “marsiane”, pa asnjë lidhje me njerëz si ne as sot dhe as mot.

Mund të zilepsemi ose irritohemi për padrejtësinë e fateve, por kjo na bën veçse të ndihemi të pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen dhe na shtyn drejt mendimeve deterministe.
Apatia që rezulton është fenomeni që ushqehet nga pasiviteti dhe konceptimi determinist i botës. Por realiteti është kompleks – ai mbart shumë më tepër alternativa se ajo që kemi zgjedhur, ka brenda vetes shumë më tepër jetë se ajo që jetojmë. Kurthi i shkrimeve informative është të na verbojnë në mënyrë që të mos shohim alternativat. I riu i sotëm, ai që nuk lexon shkrime kuptimore, është njeriu pasiv dhe fatalist, njeriu i gatshëm ta sakrifikojë lirinë e vendimarrjes sipas motos “në fund të fundit, gjërat nuk ndryshojnë!”
(Pjese nga shkrimi në Medius 7 “Mësuesi akrobat”)


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit