3.4 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Klasifikimi i ushqimit

Më të lexuarat

Një faktor i rëndësishëm për të pasur shëndet të mirë është të hash gjërat e duhura në masën e duhur. Prandaj, është e rëndësishme të jetosh dhe të hash shëndetshëm. Zakoni i të ushqyerit të shëndetshëm i formuar herët në fëmijëri ka më shumë gjasa të mbahet gjatë gjithë jetës.

Ushqimi duhet të jetë i rregullt dhe të sigurojë energjitë e nevojshme për kryerjen e punëve mendore dhe fizike.Ushqimi i shëndoshë është një ndër faktorët që ndikon në rritjen normale. Për këtë ushqimi duhet të jetë i llojllojshëm dhe i përbërë nga artikuj të ndryshëm.
Ushqimi klasifikohet në disa grupe, e ato janë:

1. Karbohidratet: buka, drithërat, biskotat e thata, brumërat, orizi, patatet, gështenja, etj.
2. Pemët: ananasi, bananja, pjeshka, boronica, pjepri, dredhëza, portokalli, limoni, etj.
3. Perimet: lakra, trangulli, speci, qepa, karrota, kërpudha, etj.
4. Prodhimet e qumështit: qumështi, jogurti, kosi, djathi, gjiza, gjalpi dhe margarina.
5. Proteinat: mishi, peshku, vezët, bishtaja, arra, lajthia, bajamet, etj.
6. Yndyrat: gjalpi, vajrat, etj.
7. Sheqeri dhe koncentrati i sheqerit: mjalta, reçeli, xhemi, çokollata.

Lëndët e lartpërmendura janë lëndë ushqyese që i japin trupit energji ndërsa lëndët që e ndihmojnë trupin që të funksionojë më mirë janë vitaminat dhe kripërat minerale. Këto lëndë janë përshkruar shkurtimisht më poshtë.

Karbohidratet
Karbohidratet gjenden në formë nishesteje dhe sheqeri. Niseshteja gjendet në perime, si: në patate dhe drithëra (në drithëra përfshihet: buka, orizi, makaronat).
Perimet, patatet dhe drithërat janë të shëndetshme sepse ato përmbajnë shumë karbohidrate në formë nishesteje dhe njëkohësisht kanë përmbajtje të ulët dhjamore. Këto lloj karbohidratesh quhen karbohidratet “e mira” dhe duhet t’i hamë shumë.
Gjenden edhe karbohidrate “të këqija” nga të cilat nuk duhet të hamë shumë. Karbohidratet e “këqija” vijnë nga të gjitha produktet që përmbajnë sheqer, si: ëmbëlsirat, çokollata, akullorja dhe pijet freskuese. Së bashku me sheqerin nga të gjitha këto ne marrim gjithashtu shumë lëndë ngjyruese dhe lëndë shijuese për të cilat ne nuk kemi nevojë.

Proteinat
Proteina është një lëndë ushqyese shumë e rëndësishme sepse ajo përdoret pjesërisht për të krijuar energji dhe pjesërisht për të ndërtuar gjithë organizmin. Për shkak të funksionit ndërtues të proteinave është shumë keq që të kesh mungesë proteinash kur je në rritje e sipër. Proteinat mund të jenë me prejardhje shtazore ose bimore. Proteinat shtazore vijnë nga kafshët dhe gjenden në: vezë, qumësht, djathë, mish dhe në peshk.
Proteinat bimore vijnë nga bimët dhe gjenden në: bizele, fasule (fasule soje, fasule të bardhë dhe të errët), oriz, miell dhe në drithëra.
Proteinat marrin pjesë në mirëmbajtjen e indeve të lëkurës. Prandaj është e rëndësishme që ato të përfshihen në të gjitha racionet tona ditore.

Yndyrat
Yndyra është një lëndë ushqyese që përmban më shumë energji. Në 100 gramë yndyrë ka dyfish më shumë energji se sa në 100 gramë karbohidrate. Mishi, djathi, vaji i palmës, vaji i arrës së kokosit, dhjamrat e kafshëve, vezët, peshqit, arrat, kanë yndyrna të tretshme.
Yndyra është shumë e pashëndetshme kur grumbullohet në muret e enëve të gjakut sepse në këtë mënyrë rritet rreziku për bllokimin e enëve të gjakut, prej të cilave njeriu mund të vdes.

Vitaminat
Vitaminat janë të rëndësishme për shumë funksione në trup, midis të tjerash, për metabolizmin. Ne nuk mund të prodhojmë vetë vitamina në trup, prandaj duhet t’i marrim ato nëpërmjet ushqimit. Disa vitamina si A, D, E, K, mund të maganizohen, kurse vitaminat C dhe B kompleks duhen marrë rregullisht. Mungesa e vitaminës A shkakton shkurtpamësi dhe verbimin e natës. Andaj, pos të tjerash duhet të hamë majdanoz të freskët i cili është i pasur me vitaminën A, por përmban edhe kalcium të nevojshëm për elasticitetin e muskulaturës së syve. Gjysmë filxhani majdanoz plotëson nevojën ditore të organizmit me vitaminë A.
Mineralet
Mineralet janë lëndë bazë që janë me rëndësi jetësore për ne. Ashtu si vitaminat edhe mineralet ne i marrim nga ushqimi që hamë, sepse ato nuk krijohen në trupin tonë. Minerale janë: natriumi, kaliumi, kalciumi, magneziumi, hekuri, jodi, mangani, bakri, zinku, kromi, fluori, seleni dhe siliciumi.

Nga të gjitha grupet e lartpërmendura duhet që gjatë ditës të konsumohet së paku një artikull sipas zgjedhjes, në mënyrë që të sigurohen të gjithë përbërësit dhe të arrihet llojllojshmëri ushqimi.

Përgatiti: Fexhrie Kaçiu/pertymoter/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit