0.8 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Kisha në Siri ishte inspirim për ndërtimin e katedrales Notre Dame

Më të lexuarat

Në pjesën e skajshme të Sirisë veriperëndimore ndodhet fshati Qalb Loze, ku ndodhet edhe kisha me të njëjtin emër nga shekulli i V, e cila ishte inspirim për ndërtimin e Notre Dame në Paris, si dhe një numër kishash të tjera në Evropë të kësaj periudhe, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky monument i trashëgimisë botërore në qarkun e Idlibit, përsëri është kthyer në vëmendjen e opinionit botëror, në kontekstin e paralajmërimit për rindërtimin e katedrales Notre Dame, e cila u dëmtua në masë të madhe nga zjarri të hënën.

Fshati dhe kisha Qalb Loze ndodhen vetëm 5 kilometra nga kufiri turko-sirian në Harem, i cili banohet nga grupi fetar dhe etnik Druzët. Ky lokalitet është përfshirë në listën e Trashëgimisë Kulturore të Botës me titull “Fshatrat antike në Sirinë veriore”.

Kisha është ndërtuar në shekullin e pestë dhe të dyja kullat dhe katër muret qëndrojnë pingul dhe i bëjnë ballë viteve. Objekti është shembur dhe ka nevojë për një restaurim, por në saje të afërsisë me kufirin turk, në luftën aktuale në Siri, kisha nuk është dëmtuar.

Historiani sirian Fayez Kavsari për AA tha se kisha Qalb Loze është një nga tempujt më të rëndësishëm për krishterët në veri të Sirisë, por edhe më gjerë.

“Kisha përbëhet nga tre pjesë, kurse në drejtimin e jugut i ka dy dyer. Një për burrat dhe një për gratë. Në pjesën perëndimore është edhe një derë me një pjesë të pjerrët dhe çojnë në një hapësirë të veçantë”, ka thënë Kavsari.

Historiani Kavsari thotë se të krishterët dhe arkitektët e shekullit 11 dhe 12 e kanë parë këtë kishë si inspirim për ngritjen e kishave në mbarë Evropën.

“Në Evropë u shfaq periudha e ndërtimit gotik, ku inspirimi kryesor ishte pikërisht kjo kishë në Idlib. Këtë në librin e tij e konfirmon edhe hulumtuesi francez Melchoir de Vogue, i cili vizitoi Sirinë në vitin 1862. Po ta shikosh Notre Dame nga para, duket qartë ngjashmëria me kishën Qalb Loze. De Vogue në dy librat e tij të vitit 1965 përshkroi veprat historike në Siri. Unë këtë libër e kam përkthyer në arabisht. Aty kishte 150 fotografi, ku në shtatë prej tyre ishte kisha Qalb Loze”, tha Kavsar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit