Khabib Nurmagomedov e ka ripërsëritur betimin e tij se nuk do të ndeshet kurrë më në Nevada.
Komisioni Atletik i Shtetit të Nevadës e ka pezulluar për nëntë muaj yllin nga Dagestani dhe e ka gjobitur me 500.000 dollarë (437.600 euro) për përfshirjen e tij në incidentet në UFC 229.
Pas fitores ndaj Conor McGregor, 30-vjeçari doli nga ‘Tetëkëndëshi’ dhe sulmoi pjesëtarët e stafit të irlandezit, derisa edhe ky i fundit u përfshi në një përleshje me anëtarët e ekipit të Khabibit brenda kafazit.
Nurmagomedov ka reaguar ndaj këtij vendimi, si dhe për dënimet që iu janë dhënë kushëririt të tij, Abubakar Nurmagomedov dhe pjesëtarit të ekipit, Zubaira Tukhugov, saqë është zotuar se asnjëherë më nuk do të ndeshet në Nevada.
Fillimisht shumëkush nuk e mori serioze deklaratën e Khabibit, mirëpo duket se ai është i vendosur në qëndrimin e tij.
“Kërkuan që të marr pjesë në një fushatë sociale… shteti i Nevadës është një vend ku lejohet droga, prostitucioni dhe bixhozi”.
“Le të merren me veten (dhe sjelljen) e tyre. Ka pasur sportistë që nuk kanë luftuar për dy vite dhe nuk iu janë marrë titujt për një vit e gjysmë. Jam i gatshëm të ndeshem, ata më ndalën”, ka thënë Nurmagomedov në një konferencë shtypi në Rusi, transmeton express.co.uk.
Mungesa e Khabibit në ‘Tetëkëndësh’ mund të bëjë që t’i merret titullin në kategorinë e peshave të lehta. Ai nuk është i sigurt nëse do të ndodhë kjo, por pret që të ndodhë një duel për titullin e përkohshëm.
“Mendoj se do ta krijojnë një titull të përkohshëm. Mund të jetë ndërmjet (Dustin) Poirier dhe (Tony) Ferguson. Cilido që e fiton do të bëhet kampion i përkohshëm dhe pastaj në fund të vitit do të ndeshemi për titullin e vërtetë”.
“Besoj se kjo mund të ndodhë. Por, tash për tash nuk e di me siguri”, është shprehur Nurmagomedov.