-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Këto janë dëshirat e të vdekurve

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut të Lartësuar, ndërsa përshëndetjet ia dërgojmë të Dërguarit të fundit, Muhamedit (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të).

Çdo njeri në këtë botë ka dëshira, aspirata të shumta e të ndryshme të cilat ndryshojnë nga shumë aspekte, prej tyre mund të përmendim: rrethi dhe ambienti në të cilin jeton individi, ideologjia mbi të cilën është zhvilluar dhe edukuar ai, si dhe shoqërinë në të cilën jeton.

Po ta pyesësh një njeri se cila është dëshira jote në këtë botë, nëse ka jetuar në një rreth dhe ambient të varfër dhe e ka shijuar atë, do të dëshironte të jetonte i pasur, të posedonte pallate të larta, vetura luksoze, me një fjalë, të jetonte një jetë të begatshme, sikur jetojnë shumica e njerëzve.

Nëse e takon një të sëmurë të shtrirë në shtrat, të cilit i janë paralizuar pjesët e trupit, e është i privuar nga kënaqësitë e ushqimit dhe fjetjes dhe ta pyesësh se cila është dëshira jote, ke për të parë se dëshira e tij do të ishte të shërohej nga kjo sëmundje sa më shpejtë, madje duke shpenzuar tërë pasurinë e tij që posedon.

Nëse i pyet disa të pasur për dëshirat e tyre, do të vëresh se dëshira e tyre do të ishte t’u shtohet pasuria edhe më shumë, në mënyrë që të jenë më të pasur se filani e filani. Në këtë mënyrë, i varfëri nuk kënaqet, i pasuri nuk ngopet dot me pasurinë e tij e dëshirat në këtë botë asnjëherë nuk përfundojnë.

Të vërtetën e ka thënë i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) në hadithin të cilin e transmeton Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Sikur biri i Ademit të kishte një luginë me ar, do të dëshironte të ketë dy; e atë nuk e ngop asgjë vetëm toka. Allahu e fal atë që pendohet.’’Do të thotë se njeriu kujdeset për këtë botë derisa të vdesë e ta mbulojë brendinë e tij dheu i varrit.

Edhe përkundër dëshirave të ndryshme të atyre njerëzve, megjithatë i sheh ata duke bërë përpjekje gjatë tërë jetës së tyre në realizimin e ëndrrave dhe aspiratave të tyre, e Allahu do t’i ndihmojë në realizimin e dëshirave të tyre, përderisa ata i marrin shkaqet për to.

Mirëpo, ka një grup të njerëzve të cilët nuk kanë mundësi realizimin e dëshirave të tyre e as nuk shqyrtohen kërkesat e tyre, a thua cili është ai grup dhe për çfarë arsye nuk mund të realizohen kërkesat e tyre dhe, a thua vallë mund t’i ndihmojmë ata, ose së paku tua lehtësojmë dhimbjet e vuajtjet e tyre?

Sa i përket këtij grupi, të cilit nuk mund t’i realizohen dëshirat e tyre, ata janë udhëtarë që nuk priten më, janë të vdekurit.

Por, çfarë janë dëshirat e tyre? A thua kush ka mundësi të na flasë rreth dëshirave të tyre, na është ndërprerë lajmi nga ata e përmendja e tyre është harruar.

Le të flasim pak rreth këtij grupi të njerëzve të harruar, në mënyrë që të mësojmë se cilat janë dëshirat e tyre, të cilët tashmë kanë parë xhenetin dhe xhehenemin, kanë parë engjëjt e Allahut, e gajbi (e fshehta) është bërë realitet. Tashmë kanë kuptuar realitetin e kësaj dhe botës tjetër, u bindën duke qenë në jetën ‘berzah’(jeta në varre) se ata do të ringjallen në një ditë të madhe. A thua shpresojnë të kthehen në këtë botë e të i shijojnë kënaqësitë e kësaj bote? Apo të posedojnë pallate të larta e të shëtisin e të zbaviten?

Dëshirat e shumicës së njerëzve në këtë botë nuk janë më tepër se një vend pune prestigjioz, bashkëshorte të bukura, makinë luksoze, pallat luksoz…

Por, a thua të vdekurit çfarë dëshirojnë nga kjo botë, nga e cila kanë ikur, me të cilën janë mashtruar dhe kuptuan realitetin e saj duke e lënë pas shpine për të mos u kthyer në të asnjëherë?

Le të lexojmë se çfarë ka përmendur libri i Allahut të Lartësuar, Kurani dhe Suneti i të Dërguarit të Tij rreth dëshirave të besimtarëve dhe mëkatarëve.

Dëshirat e besimtarëve

Besimtari kur vdes dhe bartet mbi shpina, ai thërret që të nxitojnë me bartjen e tij në varr, në mënyrë që të shijojë kënaqësitë e përjetshme.

Ebu Seid el Huderi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kur të vendoset kufoma mbi krahët duke e bartur atë, nëse ka qenë i mirë thotë: ‘Nxitoni, nxitoni!’; e nëse nuk është i mirë thotë: ‘Mjerë për të, ku janë duke shkuar me të?’ Çdo gjë e dëgjon zërin e tij, përveç njeriut, po ta dëgjonte njeriu do të tronditej’’.

E kur të hyjë në varr e të përgëzohet me xhenet, kur e sheh vendin e tij në të, ai nuk shpreson të kthehet në këtë botë, por shpreson që të bëhet Kiameti e sa më shpejt të hyjë e të shijojë kënaqësitë e pafundme, të cilat e presin atë. I Dërguari i Allahut na ka lajmëruar se kur besimtari iu përgjigjet dy engjëjve duke qenë në varr, …thërret një thirrës nga qielli, e thotë: “Të vërtetën e ka thënë robi Im, shtrojini atij shtroje nga xheneti, mbulojeni me të dhe hapjani atij derën për në xhenet” I vijnë mirësitë nga xheneti dhe i zgjerohet vendi në varr. I vjen një njeri në formë të bukur, me rroba të bardha dhe aromë të këndshme dhe e përgëzon duke i thënë: “Kjo është dita që të është premtuar” E njeriu i thotë: “Kush je ti?” Unë jam vepra jote e mirë- i përgjigjet. Atëherë thotë: “O Zot, shpejtoje Kiametin, o Zot shpejtoje Kiametin, që të kthehem tek familja ime, pasuria ime…’’.

Kjo, pra është dëshira e këtij njeriu të mirë duke qenë në varr, të shpejtohet Kiameti, ndërsa jobesimtari ose hipokriti, edhe përkundër vështirësisë së dënimit që po përjetojnë në varret e tyre ata luten: “O Zot, mos e përshpejto Kiametin”, sepse ai e di se pas varrit e presin vështirësitë më të mëdha e më të rënda.

Ashtu siç transmetohet nga i Dërguari i Allahut se besimtari kur përgëzohet me xhenet në varrin e tij, shpreson të kthehet tek familja e tij t’i përgëzojë ata për shpëtimin e tij nga zjarri dhe shpërblimin me xhenet, siç transmeton Xhabir bin Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur sheh besimtari se varri i tij është zgjeruar, thotë: ‘Lërmëni të përgëzoj familjen time’”. Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Lërmëni që të shkoj e të përgëzoj familjen time’’e i thuhet: “Bano aty.”

Allahu i Lartësuar na ka lajmëruar në suren Jasin në tregimin e personit i cili bënte përpjekje në udhëzimin e popullit të tij, mirëpo ata e vranë atë, ndërsa ai ftonte në besim në Allahun dhe të dërguarve të Tij, pasi e nderoi Allahu atë duke e shpërblyer me xhenet, shpresonte që populli i tij të dinte për këtë, në mënyrë që të besonin. Allahu i Lartësuar thotë: “Atij i është thënë: ‘Hy në xhenet!’ e ai tha: ‘Ah, sikur ta dinte populli im, për çka më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!’’. Jasin, 26-27.

Shpresonte që populli i tij, i cili e luftonte fenë e Allahut dhe refuzoi t’i përgjigjet urdhrave të Allahut, të dinin se si e shpërbleu Allahu i Madhërishëm.

Ndërsa dëshmori, me gjithë pozitat e larta që i ka në xhenet, shpreson të rikthehet në këtë botë, me qëllim që të luftojë në rrugën e Allahut e të vritet me dhjetëra herë, duke e parë shpërblimin e madh e nderet që kanë shehidët tek Allahu.

Transmeton Enes bin Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Asnjë njëri nuk hyn në xhenet e dëshiron të kthehet në këtë botë, vetëm shehidi, shpreson të rikthehet e të vritet me dhjetëra herë, duke ditur shpërblimin që ka tek Allahu’’.

Ndërsa Xhabir bin Abdullah transmeton se i Dërguari i Allahut e takoi dhe i tha: “Po të shoh të brengosur, o Xhabir, çfarë ke?’ O i Dërguar i Allahut, babai im ka rënë shehid, është vrarë në Uhud, e ka lënë familjen dhe borxhe- iu përgjigja. Atëherë i Dërguari i Allahut i tha: ‘A të të përgëzoj se si e ka takuar Allahu babanë tënd?’ Gjithsesi-thashë. ‘Allahu, askujt nuk i ka folur përveç pas mbulesës, e ringjalli babanë tënd e i foli dhe i tha: ‘O robi im, shpreso diçka, të jap’ E ai tha: ‘O Zot, më ringjall e të vritem përsëri për hir Tëndin’. Allahu i thotë: ‘Kam premtuar se nuk ka kthim më’.” Pastaj zbriti ajeti uranor: “Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e Allahut.’’Ali Imran, 169.

Dëshirat e mëkatarëve

Ai i cili nuk i zbaton urdhrat e Allahut të Lartësuar, i kalojnë orë e ditë të tëra në zbavitje, lojë e në pakujdesi, e shtyn pendimin dhe shpreson një jetë të gjatë, e nuk e din se vdekja mund t’i vijë papritmas, e kur vjen, nuk i lejon personit të kompensojë atë që ka kaluar. Kështu mbetet në varr në përkufizimin e veprave të tij, pendohet për atë që i ka kaluar, shpreson shumë gjëra, të cilat nuk i bëjnë dobi në këto çaste, a thua se çfarë shpreson dhe cilat do të ishin dëshirat e tij në këto momente (duke qenë në varr)?

1. Faljen, qoftë edhe dy rekatë.

I vdekuri, i cili ka lënë mangët respektimin e Allahut, shpreson të rikthehet në këtë botë që t’i fal qoftë vetëm edhe dy rekatë. Transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut kaloi pranë një varri e tha: “Kush është pronari i këtij varri?’’ Filani- i thanë. Atëherë tha: “Dy rekatë namaz për të janë më të dashura se kjo botë’’. Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet: “Dy rekatë të shkurtra t’i shtojë në veprat e tij, të cilat ju i nënvlerësoni, janë më të dashura se kjo botë’’.

Ndaj, dëshira më e madhe e këtij personi është t’i zgjatet jeta që t’i fal qoftë edhe dy rekatë, në mënyrë që t’i shtohen veprat e tij të mira, ta kompensojë atë që i ka kaluar nga jeta e tij, duke mos punuar për Allahun.

A nuk dëgjon porosinë e të Dërguarit duke na u drejtuar neve të gjallëve?

“Namazi është puna më e mirë, ndaj kush ka mundësi, të shtojë, le të shtojë’’.

Personi i tillë, duke qenë në varr, kuptoi shpërblimin e namazit dhe ndien keqardhje për ato ditë që i ka kaluar jo në zbatimin e urdhrave të Allahut, për ato kohë që ka kaluar në lojë, zbavitje e pakujdesi.

Ja, pra, vërejmë se i Dërguari i Allahut na lajmëron për dëshirën e këtij të vdekuri duke qenë në varr, shpreson të falet, shpreson që të kthehet në këtë botë, qoftë edhe për pak kohë, që të fal qoftë edhe dy rekatë e jo me shumë, nuk dëshiron nga kjo botë vetëm faljen e dy rekatëve. Subhanallah! Sepse ato dy rekatë tani janë më të dashura se çdo gjë.

Dëshira më e madhe e atyre që janë në varre, është të rikthehen në këtë botë, të jetojnë qoftë dhe një orë, madje një minutë, të kompensojnë atë që u ka kaluar, pendimin dhe veprat e mira, ndërsa ne jemi të pakujdesshëm në kohën tonë, madje jetën tonë kërkojmë se si ta e kalojmë kohën, si të na shkojë jeta më shpejt, e madje duke bërë mëkate, e nuk dimë se çfarë na është fshehur në varr.

2. Dhënia e lëmoshës.

Të vdekurit shpresojmë të kthehen në këtë botë, qoftë edhe momente të caktuara që të japin sadaka për Allahun e Lartësuar, ashtu siç na lajmëron në fjalët e Tij: “Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja, e atëherë të thotë: ‘O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!’ Po, Allahu kurrsesi askënd nuk e shtyn për më vonë, kur atij t’i vijë afati i vet. Allahu hollësisht është i njohur me atë që ju punoni’’. Munafikun, 10-11.

Po, kuptuan, por vonë, se lëmosha është prej veprave më të dashura tek Allahu i Lartësuar dhe largon hidhërimin e Tij. Njeriu do të pyetet rreth pasurisë së tij se si e ka fituar e harxhuar, do të shpresojnë kthimin në këtë botë që të japin lëmoshë pasi e penguan ndaj të varfrit dhe e harxhuan atë në kënaqësi të ndryshme.

“O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja lëmoshë e të bëhesha prej të mirëve!”

Shpreson kthimin në këtë botë se e kuptoi se lëmosha është prej veprave më të mira, siç na tregon Umer bin Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i është thënë se veprat do të krenohen e lëmosha do të thotë: “Unë jam më e mira”.

3. Veprat e mira.

Ndërsa, dëshira e tretë e të vdekurve, është kthimi i tyre në këtë botë, qoftë edhe për pak çaste, që të punojnë vepra të mira, të përmirësojnë atë që kanë prishur, të respektojnë Allahun në tërë atë që kanë bërë mëkat ndaj Tij, ta përmendin Atë qoftë edhe njëherë, shpresojnë të shqiptojnë qoftë edhe njëherë fjalën ‘subhanallah, la ilahe il Allah’, por atyre nuk iu mundësohet realizimi i kësaj dëshire.

“E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: ‘O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!’ Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.” Muminun, 99-100.

Kjo është gjendja e tij me Allahun e Lartësuar, kur e godet vdekja, thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!”

Të vdekurve, u kaluan rastet në këtë botë, pasi e panë botën tjetër dhe kuptuan se çka i pret ata. Arritën të kuptojnë se ata kanë humbur kohën e tyre në ato gjëra që nuk kanë dobi, kanë qenë në begati të shumta, por nuk ditën t’i shfrytëzojnë, e tani shpresojnë qoftë edhe për një vepër të mirë që t’u peshojë në peshojën e veprave të mira, t’u zbusë vuajtjet e tyre, ta kënaqin Allahun, por nuk u mundësohet.

E ne, përderisa shpirtrat tanë janë në trupat tanë, të shpeshtojmë përmendjen e Allahut.

A nuk e di, lexues i nderuar, se i Dërguari i Allahut na urdhëroi me rastin e ngritjes nga gjumi ta falënderojmë Allahun, sepse Ai na ngjalli pas vdekjes dhe na mundësoi ta përmendim? Sepse gjumi është ndërprerje e jetës dhe, njëkohësisht, përmendjes së Tij.

Transmeton Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur dikush ngrihet nga gjumi le të thotë: ‘Falënderimi i takon Atij i cili ma ktheu shpirtin tim, më begatoi në trupin tim dhe më mundësoi përmendjen e Tij’’’.

Kurse ne, e kemi begatinë e jetës, andaj le t’i shtojmë të mirat e të largohemi nga të këqijat, sepse me vdekjen tonë do të pendohemi për çdo çast që kemi kaluar pa përmendjen e Tij, ndaj të shfrytëzojmë çdo rast e çdo moment të jetës sonë, para se të pendohemi, para se të shpresojmë për atë që shpresojnë të vdekurit.

Ibrahim bin Jezid el Abdij (Allahu e mëshiroftë!) thotë se më erdhi Rijah el Kajsij e më tha: “O Ebu Is’hak, eja e t’i vizitojmë banorët e botës tjetër” Shkova me të dhe arritëm tek varrezat, u ulëm, e më tha: Ç’po mendon, sikur t’u mundësohej, çfarë do të shpresonte?” Thashë: “Për Zotin, do shpresonte të kthehej në këtë botë e të kënaqej me respektimin e Allahut dhe të kompensojë atë që i ka kaluar” Më tha: “Po ja, ne jemi në këtë botë, ndaj të respektojmë Allahun e të përmirësojmë” Pastaj zbriti dhe angazhohej, nuk jetoi gjatë derisa vdiq.

Me rastin e vizitës së varrezave, ndalu para varrit të hapur dhe kujto këtë varr të ngushtë, imagjino se je brenda tij, të është mbyllur dera, të lëshohet dheu, kthehen familja dhe fëmijët, varri të ka mbuluar me errësirën e tij, nuk sheh vetëm veprat e tua, a thua vallë çfarë shpreson në këto çaste të pakëndshme?

A nuk shpreson të rikthehesh në këtë botë që të punosh mirë, të falësh qoftë një namaz, shqiptimin e fjalës ‘subhanallah’, e ti vëlla i dashur akoma je në jetë, je i shëndoshë, ndaj puno mirë, para se të vijë vdekja, para se të dëshirosh e s’ka kush të përgjigjet.

Kur të vendosesh në varr, as nuk ke për ty kthyer në këtë botë, as nuk do të shtohen të mirat e tua, vetëm nëse ke bërë ndonjë vepër që vazhdon shpërblimi i saj edhe pas vdekjes tënde.

O rob i Allahut, ne jemi në botën në të cilën punohet, ndërsa ahireti është botë e shpërblimeve, andaj kush s’punon këtu ka për t’u penduar atje. Çdo ditë më tepër që jeton është begati e madhe për ty. Mos e humb atë në gjëra që nuk është i kënaqur Allahu i Lartësuar, sepse dëshira më e madhe e të vdekurve në varre është të rikthehen në këtë botë e të jetojnë vetëm një çast e të kompensojnë atë që u ka kaluar, por kjo assesi nuk do të ndodhë.

Vëlla i dashur, nëse i viziton varrezat, apo e përcjell kufomën, mos u bë prej atyre të pakujdesshmëve, por përkujtoji dëshirat e atyre të vdekurve rreth teje, të cilëve u është ndërprerë puna, prandaj shfrytëzo momentet e jetës në vepra të mira, për të mos u bërë nesër prej të vdekurve e të dëshirosh sikur dëshirojnë disa prej tyre. Nëse të shkon mendja për të bërë mëkat, përkujtoi ata, përkujtoi dëshirat e tyre të rikthehen në këtë botë e të bëjnë mirë;e ti si mendon të bësh mëkat?!

Kur je i vetmuar, përkujtoji dëshirat e tyre…

Kur të kaplon lodhja nga adhurimet, përkujtoi dëshirat e tyre…

Rebi bin Hejthem (Allahu e mëshiroftë!) gropoi një varr brenda shtëpisë së tij, e kur zemra e tij jepej pas kësaj bote, kur i ngurtësohej zemra, zbriste në të, e kur shikonte errësirën e saj, fillonte të bërtiste: “O Zoti im, më kthe!’’ Familja e tij e dëgjonte dhe ia hapnin, e dilte nga gropa.

Një natë, zbriti në të, e mbuloi veten, e kur e pa errësirën filloi të bërtiste: “O Zot, më kthe!’’, por askush nga familja e tij nuk e dëgjoi, pas një kohe e dëgjoi gruaja e tij, shpejtoi dhe e nxori. Me këtë rast tha: “Puno, o Rebi, para se të thuash: ‘O Zoti im, më kthe!’ e nuk ka kush të përgjigjet.”

Vërtet, njeriu gëzohet kur i vijnë të mirat, duke qenë në varr, nga i afërmi, miku apo shpërblimet e ndonjë diturie që ka lënë pas, ose për shkak të dhënies së lëmoshës, e i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të!) ka përgëzuar se një grup i njerëzve i arrijnë shpërblimet edhe pas vdekjes së tyre.

Ebu Umamete transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Katër personave u arrin shpërblimi edhe pas vdekjes së tyre: kush vdes duke luftuar në rrugën e Allahut, ai që mëson ndonjë dije e punohet sipas saj, sadakaja e përhershme, dhe ai i cili lë pas tij fëmijë që luten për të’’. Ata kanë vdekur, por veprat e tyre nuk kanë vdekur.

I lumtur është ai që ka vdekur e me të kanë përfunduar edhe mëkatet, ndërsa i mjerë është ai që ka vdekur, por mëkatet i vazhdojnë edhe pas vdekjes.

O rob i Allahut, fjalën ‘dëshirat e të vdekurve’, gjithmonë përkujtoje, të jetë në imagjinatën tënde, sepse është ndihmës më i mirë për vepra të mira dhe shtimin e tyre.

Dije, se çdo çast që të kalon nga jeta jote, me miliona të vdekur e shpresojnë atë, që ta shfrytëzojnë në vepra të mira, duke u penduar tek Allahu, madje duke përmendur Atë vetëm edhe njëherë, por …

Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe të mos thotë ndokush: ‘O i mjeri unë që kam lënë mangët respektimin ndaj Allahut dhe kam qenë prej atyre që talleshin!’ Ose të thotë: ‘Ah, sikur të më kishte udhëzuar Allahu (në rrugë të drejtë) e të kisha qenë prej atyre që janë të ruajtur!’ Apo, kur ta shohë dënimin të thotë: ‘Sikur të isha kthyer edhe njëherë e të isha bërë prej atyre bamirësve!’ Jo, ty të patën ardhur argumentet e Mia, e ti i përgënjeshtrove ato, u bëre kryeneç dhe ishe prej atyre që nuk besuan. E ata që bënë gënjeshtër ndaj Allahut, do t’i shohësh në Ditën e Kiametit, fytyrat e tyre të nxira. A nuk është në xhehenem vendi i arrogantëve? Ndërsa Allahu do t’i shpëtojë me atë suksesin e tyre ata që kishin qenë të ruajtur. Ata nuk do t’i kapë e keqja e as nuk do të jenë të shqetësuar’’. Zumer, 56-61.

Po, si t’ua lehtësojmë, së paku, vuajtjet e dhimbjet e të vdekurve? Duke bërë dua (lutje), të kërkojmë falje për ta, të japim lëmoshë. Këto janë dhurata më të mira që mund t’u dhurojmë e t’u arrijnë atyre. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriut do t’i ngrihet pozita në xhenet, e do të thotë: ‘Si ndodhi kjo?’ Do t’i thuhet: ‘Me lutjen e fëmijës tënd’”.

Bëj lutje për ata të vdekur, e sidomos për prindërit, me shpresë se do të ketë kush të lutet edhe për ty pas vdekjes tënde.

E lusim Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të bukur, me cilësitë e Tij të larta që të na mundësojë të përgatitemi për botën tjetër e mos të na bëjë prej atyre që do të pendohen në varret e tyre!

Përktheu: Almedin Ejupi

/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit