Këshilltari i presidentit të Shteteve të bashkuara të Amerikës, për çështje të sigurisë John Bolton, ka kryesuar një organizatë jo fitimprurëse që ka promovuar lajme të rrejshme kundër komunitetit mysliman sipas NBC News.
Organizata thuhet të ketë pasur lidhje me një fabrikë që është marrë me prodhimin e lajmeve propaganduese të Rusisë.
Autorët e grupit të kësaj organizate thuhet të jenë shfaqur edhe në mediat ruse si Sputnik dhe RT News duke kritikuar liderë evropianë, përfshirë edhe presidentin francez Emmnauel Macron.
“Prej vitit 2013 deri në muajin e fundit, Bolton ka qenë kryesues i Institutit Gatestone, një grup avokues me bazë në New York, grup që ka paralajmëruar “pushtimin nga xhihadistët” dhe ‘vdekjen e bardhë’ në Evropë”
Grupi i njëjtë thuhet të ketë publikuar edhe një numër të artikujve me tema të njëjta.
“Gjermania konfiskon shtëpi për t’i përdorur për emigrantët”, ishte një ndër paralajmërimet nga maji 2017, e që fliste për një apartament që ishte marrë me qira në Hamburg për kujdestari të përkohshmet të emigranteve.
Një tjetër nga shkurti i vitit 2015 kishte pretenduar se emigrantët si somalezët në Suedi po e kthenin këtë shtet në “Qytetin e dhunimeve të perëndimit”.
“Gatestone është një pjesë kyçe e gjithë industrisë islamofobike në internet”, ka thënë Ibrahim Hooper, zëdhënës i Këshillit Islam Amerikan, raporton NBC News.
Hooper ka shtuar po ashtu se Bolton duke qenë i ndërlidhur me Gatestone, dhe “në pozitën më të fuqishme në planet, është me të vërtetë shqetësuese”.
Bolton, gjatë viteve të 90-ta kishte deklaruar se Kosova nuk do të duhej të pavarësohej ngase sipas tij do të rrezikonte shpërndarjen e islamizimit ekstremistë nëpër Evropë. /KP/