1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi kërkon të hetohen polici dhe prokurorja, shkelën të drejtat themelore të njeriut

Më të lexuarat

Këshilltari politik, Shkëlzen Gashi gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti sqaroi rreth “kanosjes” që kinse kishte bërë përmes postimit në rrjetin social Facebook, e për të cilën ishte ftuar për tu intervistuar në polici.

Gashi për një postim në rrjetin social Facebook me titull “Ne do të rezistojmë”, ishte thirrur nga Policia e Kosovës.

Ai tha se shpreson që kryeprokurori i Kosovës të inicioj procedurën disiplinore ndaj policit hetues, Ali Berisha dhe prokurores, Nebahate Selimi për këtë rast, pasi ia kanë shkelur të drejtën e shprehjes.

Gashi këtë postim e kishte bërë më 19 prill, ku shkruante “NE DO TË REZISTOJMË! Këta po duan të pranojnë shkëmbim territorial; komuna të reja me shumicë serbe e asociacion të tyre; si dhe eksterritorialitet për kishat e manastiret ortodokse në Kosovë. Nuk do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia e as anëtarësim në OKB. Këta do të marrin amnisti për pasurim të paligjshëm për dy dekada në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe amnisti nga Gjykata Speciale. NE DO TË REZISTOJMË!”

Gashi tha se pas këtij postimi, dhe një komenti tjetër të bërë, ku kishte sqaruar çfarë kishte menduar ai është telefonuar nga një polic, hetues për tu paraqitur në polici.

“Dje rreth orës 1, kam marrë një telefonatë nga policia, përkatësisht prej policit hetues, Ali Berisha, i cili më ka kërku që të paraqitem menjëherë në polici për shkak se ka një rast për mu për kanosje, unë e pyeta kë e kam kanos. Përgjigja e tij ka qenë se përmes një statusi në Facebook, keni bërë thirrje për rezistencë edhe duhet me ardh në polici. I thashë që nuk mundem sepse kisha një takim në ora 2 me kryeministrin dhe i kërkova që ftesën për paraqitje me emrin e policit hetues, arsyen pse po më ftojnë dhe emrin e prokurorit, që ishte Nebahate Selimi me mi dërgu të shtypuna dhe m’i kanë dërgu në email adresë”, sqaroi Gashi.

Lexo po ashtu:
Prokuroria mbyll rastin e “kanosjes” nga ana e këshilltarit të Albin Kurtit
Prokuroria mbyll rastin e “kanosjes” nga ana e këshilltarit të Albin Kurtit
Ai tha se në momentin që e ka marrë ftesën, e ka postuar në rrjetin social Facebook, ndërsa pas publikimit atë e kanë kontaktuar nga kabineti i kryeprokurorit.

“Jam kontaktu prej kabinetit të kryeprokurorit, më thanë se e kanë pa rastin dhe kanë kuptu që ky rast nuk përbën kurrfarë vepre penale. Ata e kanë kontaktuar Prokurorinë Themelore edhe i kanë kërku me mbyllë këtë rast sepse nuk paraqet vepër penale”, tha Gashi.

Këshilltari i kryeministrit tha se beson, shpreson dhe kërkon që kryeprokurori i Kosovës, të inicioj procedurën disiplinore dhe të ndërmarrë masa ndaj policit hetues, Ali Berisha dhe prokurores, Nebahate Selimi.

Gashi tha se kjo është një shkelje shumë e rëndë, pasi e drejta e shprehjes është e garantuar me Konventa Ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Ndërsa, kryeministri Kurti, nuk komentoi gjatë për rastin e Gashit, por vetëm tha se ai gjendet në kryeministri e jo në polici apo prokurori, ku ishte i ftuar një ditë më parë.

“Aktivisti dhe këshilltari, Shkëlzen Gashi nuk gjendet as në ndonjë podrum të errët të policisë, e as në ndonjë zyrë të ngushtë të prokurorisë, ai është këtu në kryeministri. Ai ka pasur të intervistohet sot për një postim në rrjete sociale, por pastaj është hequr dorë nga një thirrje e tillë”, tha Kurti shkurt, para se t’ia kalonte fjalën Gashit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit