-1 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Këshillo e mos skandalizo

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.
Këshillimi i muslimanëve dhe udhëzimi i tyre në të vërtetën dhe qortimi i tyre për të pavërtetën është pjesë e fesë sonë. Kështu na mëson Islami nëpërmjet librit të Allahut dhe Sunetit profetik.

Të këshillosh do të thotë t’i japësh dikujt një porosi duke e ndihmuar për t’u përmirësuar që t’i zhdukë të metat dhe të ndreqë gabimet, do të thotë ta paralajmërosh nga rreziqet, të sillet mirë dhe të veprojë si duhet.

Pa dyshim që njeriu nuk është i pagabueshëm, por ka mundësinë e hapur për pasaktësi, devijim e shtrembërim dhe e gjithë kjo mund të ndodhë për shkak të mosnjohjes së rregullave ose nga pakujdesia. Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Çdo bir i Ademit mund të gabojë, por më i miri prej të gabueshmëve është pendimtari.”1 

E drejtë e çdo muslimani është që të shohë të metat, gabimet e vëllait të vet musliman me qëllim këshillimi dhe udhëzimi. Por t’i japësh dikujt këshillë do të thotë t’u përmbahesh rregullave të caktuara të tërësisë së normave të sjelljes, me mjaft butësi dhe urtësi, duke iu shmangur përbuzjes, përçmimit, paragjykimit.
Në momentet kur dëgjon diçka për vëllanë tënd, diçka jo të mirë, mos nxito ta besosh menjëherë. Je i detyruar ta verifikosh e ta saktësosh derisa të sigurohesh për vërtetësinë e asaj që ke dëgjuar.

Shumë njerëzit janë mësuar me fjalët e pathemelta, me thashethemet në gjëra të gabuara. Shumë prej tyre kanë më të shpejtë paragjykimin sesa mendimin e mirë. Nuk duhet të besohet çdo gjë që thuhet e dëgjohet edhe nëse përsëritet, derisa të faktohet.

Allahu i Lartësuar na urdhëroi që të largohemi nga paragjykimet, dyshimet, hamendjet, mendimet e gabuara e të pambështetura.
“O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah. Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i pendimit dhe Mëshirëplotë.”2

“Ata nuk kanë asnjë njohuri për këtë, por ndjekin vetëm hamendjen, ndonëse hamendja nuk mund ta zëvendësojë aspak të vërtetën.”3

Kur dëgjoni për një vëlla besimtar ndonjë fjalë, ajo ka mundësi të ketë dy kuptime, atëherë etike është që ta mbartësh në vetvete si një të mirë.

Të nderuar besimtarë!

Kur shihni gabimin e bërë nga një musliman dhe nuk ka hapësirë për falje dhe arsyetim, atëherë jeni të detyruar ta këshilloni dhe ta drejtoni, por kjo gjithsesi të behet në vetmi, jo në mënyrë publike para njerëzve. Çdo njeri nuk pranon që të publikojë gabimin, e të kenë qasje edhe të tjerët. Atëherë kur këshilla jepet fshehtas, ka shpresa se mund të pranohet, pasi është më afër sinqeritetit dhe më larg dyshimeve.

Por kur tërhiqet vërejtja dhe jepet këshilla publikisht, në kë rast paraqitet dyshimi ndaj këshilluesit për urrejtje, xhelozi apo epërsi në dituri. Atëherë këto mundë të jenë pengesa për mospranimin e këshillave dhe në fakt ai që gabon nuk e pranonin porosinë. Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, me edukatën dhe sjelljen më të lartë dha shembullin më të mirë në përmirësimin e gabimit. Ai nuk i përmendte emrat hapur dhe botërisht kur individi ose grupi gabonte, por shprehej në këtë mënyrë: “Si është puna e disa njerëzve që veprojnë kështu apo ashtu?”

Ai që kishte gabuar e kuptonte se kujt i drejtohej porosia. Kjo është mënyra më e shkëlqyer dhe më e vlerësuar e këshillimit dhe edukimit. Imam Shafiu thotë: “Ai që e porosit (e mëson) vëllanë në vetmi, e ka këshilluar dhe admiruar. Por kur e porosit hapur, e ka zemëruar dhe turpëruar.”

Besimtari këshillues asnjëherë nuk ka për qëllim përgojimin dhe publikimin e të metave. Synimi është eliminimi i gabimit, i mëkatit. Ai dëshiron për vëllanë e tij në fe atë që do edhe për veten. Asnjëri nuk dëshiron që t’i duket haptas mëkati. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.”4

Ka dallim mes këshillës së dhënë me të gjitha normat etike dhe skandalit duke bërë zhurmë të madhe për gjërat e papëlqyera që janë në kundërshtim me normat morale.

Prej pamjeve të talljes, ironisë, shpotisë, gojosjes është paraqitja publike e një këshilluesi i cili pretendon të jetë i sinqertë, por në Dijen e Allahut është ai që në brendësi ka të akumuluar urrejtjen. Ai këshillon të tjerët për një njeri të caktuar duke gojosur dhe duke tërhequr vëmendjen si njeri i dëmshëm për shoqërinë, pa dyshim që këtë e bën në emër të parimeve dhe vlerave.

Këta tipa njerëzish kanë për qëllim vetëm qërim hesapesh të interesave të dynjasë. Kështu ai fyen dhe cenon nderin duke prekur në sedër. Ai që vepron kështu ka sëmundje zemre, edhe nëse betohet se dëshiron vetëm të mirën. Allahu i Lartësuar dëshmon se ata janë rrenacakë dhe dredhia e njerëzve të tillë i kthehet vetvetes. Allahu i Lartësuar thotë: “…dredhitë e shëmtuara godasin vetëm atë që i bën (i kurdisë).”5

Të nderuar muslimanë!

Kini frikë Allahun e Lartësuar dhe gjithashtu kini parasysh se disa këshillëdhënës dhe kritikë nëpër tubime, forume, takime, libra e gazeta bien në gabime të ndryshme. Kështu që këshilla po skandalizohet, përkujtimi po bëhet me nam, por këtë nuk e do Islami.

Besimtari duhet të jetë mburojë për besimtarin duke mos cenuar sedrën e tij. Çdo herë fjalët dhe veprat e tij duhet të arsyetohen sipas mundësive. Pa dyshim që besimtari gabon dhe rrëshqet, por ai vazhdimisht duhet të jetë i kujdesshëm në pendimin dhe kthimin e tij.

Këshilloj së pari veten dhe lus Allahun të më falë për gabimet e mia dhe që të më falin edhe ata muslimanë që janë ndier të zemëruar dhe të turpëruar nga lajthitjet e mia, të cilat kanë qenë rezultat i mosdijes apo nxitimit. Allahu më mëshiroftë me Mëshirën e Tij të pakufishme. Po ashtu, ju këshilloj edhe ju besimtarë të përkushtuar që të bëni të njëjtën gjë që bëri shkruesi i këtyre rreshtave. E përmbyll hytben me lutjen:
Allahu im! Më fal mua, prindërit e mi dhe të gjithë besimtarët.
Allahu im! Pastroji zemrat tona nga urrejtja, xhelozia dhe smira. Bëji zemrat tona të shëndosha dhe gjuhët e sinqerta. Na furnizo me dije të dobishme dhe prano veprat tona!
Përgatiti: Ulvi Fejzullahu
3.5.2009

 

1 Transmeton Termidhiu.

2 Huxhurat, 12.

3 Nexhm, 28.

4 Nur, 19.

5 Fatir, 43.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit