3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Këshilla të arta për zgjidhjen e problemeve bashkëshortore

Më të lexuarat

Falënderimi i takon Allahut dhe përshëndetjet qofshin mbi Muhamedin sal-lAllahu alejhi ve se-lem dhe gjithë pasuesit e tij.

Thonë se parandalimi është më i mirë sesa shërimi dhe ashtu është. Këto këshilla të arta që do të lexoni janë rezymeja e asaj që kemi arritur të nxjerrim nga problemet e shumta që na janë paraqitur dhe më pas u kemi dhënë këshillat tona të mira personave të cilëve u kanë ndodhur problemet. Këto këshilla dhanë frytet e tyre pozitive si në afat të shkurtër kohor edhe në afat të gjatë, prandaj falënderimi dhe mirësia për këtë i takon Allahut.

Këshilla e parë: Mosteprimi në shpenzimin e pasurisë

Po të flisnim për problemet që lindin mes bashkëshortëve për shkak të shpenzimit të pasurisë, do të kishim nevojë për një libër të posaçëm. Pasuria ashtu siç është mirësi, është edhe ndëshkim, për këtë arsye Allahu na ka treguar si të veprojmë me të. Nuk ka dyshim se teprimi në shpenzime dhe ajo çka ngërthen në vetvete ky kuptim është nga sëmundjet shoqërore të cilat rrezikojnë jetën bashkëshortore, ngase shpenzimi i tepërt dhe luksi është fillimi i fundit.

Nga format e harxhimit të tepërt nga ana e burrit është shpenzimi i pasurisë në pirjen e duhanit dhe në gjëra të tjera që janë të ngjashme me të, ndaj më mirë për të do të ishte që me atë pasuri të nderonte gruan dhe fëmijët e tij. A nuk ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Një dinar të cilin e shpenzon në rrugën e Allahut, tjetrin e shpenzon në lirimin e një robi, një tjetër ndaj ndonjë të gjori, ndërsa një tjetër e shpenzon për familjen tënde, dije se dinari të cilin e ke shpenzuar për familjen tënde ka më së shumti shpërblim.” Transmeton Muslimi.

Dihet se pirja e duhanit është nga gjërat e ndaluara dhe të ndyra. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju: “Nuk barazohet e keqja me të mirën, edhe sikur të të habisë bollëku i së keqes. Prandaj kijeni frikë Allahun, o njerëz me intelekt, me qëllim që të shpëtoni.” (El-Maide: 100)

Pirja e duhanit së pari është shpenzim i kotë, së dyti e keqja e tij për shëndetin është shkatërruese si në afat të shkurtër edhe në afat të gjatë. Duhani i përngjan vetëvrasjes së ngadalshme. Pirja e duhanit shkakton prishjen e dhëmbëve dhe zverdhjen ose nxirjen e tyre, ulcerën e gojës dhe të gjuhës, ngushtimin e frymëmarrjes, pështymën, humbjen e efikasitetit të mushkërive, tretjen e keqe, prekjen e arterieve të trurit me sklerozë e shumë sëmundje të tjera. Të gjitha këto sëmundje burri detyrohet t’i shërojë, gjë që do ta prekte në mënyrë të dukshme pasurinë e tij dhe nuk ka dyshim se për dëmin e duhanit në fenë dhe në jetën e burrit apo të gruas -se ndoshta edhe gruaja pi duhan- nuk polemizon vetëm se ai që mohon realitetin, që është zemërprishur e mendjekrisur. Ajo që u tha për harxhimin e tepërt në pirjen e duhanit thuhet edhe për teprimin në ushqim dhe pirje dhe në blerjen e rrobave e kështu me radhë.

Këshilla e dytë: Të kënaqurit me pak dhe miratimi

Miratimi, bindja e të kënaqurit me pak është shërimi më i mirë i teprimit të tepërt, të cilin e përmendëm më herët, mirëpo realizimi i këtyre cilësive kërkon mund të madh nga të dy bashkëshortët. E, kush i posedon këto cilësi, kjo është shenjë e dashurisë dhe kujdesit të tij ndaj Allahut, është shenjë e kërkimit të dashurisë së Allahut, gjithashtu tregon për përmbajtjen e tij ndaj rregullave të fesë, e cila e urdhëron për thjeshtësi e asketizëm, edhe pse nuk ia ndalon atij kënaqësinë me të mirat prej rizkut përderisa nuk del nga binarët e mesatares, siç thotë Allahu: “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu. Mos kërko ngatërresa në tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët.” (El-Kasas: 77)
Ibën Kethiri në “Tefsirin” e tij thotë: “Domethënë përdore atë që të ka dhënë Allahu nga pasuria e madhe dhe dhuntitë e shumta në nënshtrim ndaj Zotit tënd dhe në afrim tek Ai me llojet e adhurimeve me të cilat arrin shpërblimin në botën tjetër “…dhe mos e harro pjesën tënde në këtë botë” nga ajo që ta ka lejuar Allahu prej ushqimeve, pijeve, veshmbathjes, banimit e martesës. Zoti yt ka të drejta, edhe vetja jote ka të drejta, por edhe familja e gruaja jote ka të drejta, andaj jepja çdonjërit të drejtën që i takon.”[1]
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ka shpëtuar ai që është bërë musliman, që është furnizuar sa i mjafton dhe e ka miratuar Allahu me atë që e ka furnizuar.”[2]
Nga realiteti i njerëzve që kam dëgjuar nuk ka dyshim se nga shkaqet kryesore që çojnë deri te shqetësimet e brengat që kaplojnë shumë prej shtëpive të muslimanëve është pakënaqësia ndaj asaj që u ka dhënë Allahu, lëvdatat mes tyre duke shpenzuar me çmenduri duke pasur për qëllim me këtë garimin dhe teprimi vetëm në dukje. Kjo më pas i ka shtyrë të hyjnë në borxhe, përkundër pamundësisë materiale të disave prej tyre, gjë që çon deri tek grumbullimi i borxheve. E më pas këto borxhe bëhen barrë e rëndë për ta, ua prishin moralin e etikën, i shtyjnë në rrugët e këqija ose së paku i bëjnë të jenë të mangët në të drejtat e Allahut e mëkatarë ndaj Tij, të gjitha këto mjaftojnë si injorancë e marrëzi.
Sikur ta shikojmë realitetin e shpenzimeve të panevojshme nëpër familjet mesatare, do të habitemi prej manifestimeve e gazmendeve të shumta, qofshin ato martesa për fëmijët e tyre nëpër restorante ose festime të datëlindjeve e të ngjashme, të gjitha këto kanë nevojë për shuma marramendëse parash dhe bëhen vetëm për shkak të dukjeve gënjeshtare, që nuk kanë fare lidhje me fenë.

Këshilla e tretë: Vetëdija se Allahu i mbikëqyr

Gabojnë çdonjëri nga bashkëshortët nëse mendojnë se kanë mundësi ta mashtrojnë palën tjetër, për çfarëdo shkaku qoftë, ngase gjërat zbulohen qoftë edhe pas një kohe, e mbi këtë zbulim të së vërtetës ndërtohet një pengesë që vështirë se mund të mënjanohet për një kohë të gjatë. Për këtë shkak kjo këshillë –pasja parasysh e mbikëqyrjes së Allahut- për të dy bashkëshortët është tepër e rëndësishme dhe mospërfillja e saj do të çojë në probleme të mëdha.
Shumë prej këtyre problemeve që lindin nga mosbesimi në palën tjetër kanë si shkak mungesën e frikës nga Allahu dhe mosmarrjen parasysh të faktit se Allahu i mbikëqyr.
Allahu thotë: “Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra.” (Gafir: 19). Ibën Kethiri në “Tefsirin” e tij thotë: “Allahu tregon për diturinë e Tij të plotë gjithëpërfshirëse të të gjitha gjërave, qofshin të vlefshme apo të pavlera, të mëdha apo të vogla, në mënyrë që t’i frikësojë me diturinë e Tij mbi ta e të turpërohen nga Ai, t’i frikësohen me frikë të denjë, të jenë të vetëdijshëm se Ai i mbikëqyr, ngase Allahu e di kur syri vjedh edhe nëse ai duket i qetë dhe gjithashtu di çfarë fshehin brendësitë e gjokseve prej fshehtësive.[3]”
Edhe Sunneti nxit që të jemi të vetëdijshëm se Allahu ka mbikëqyrje të plotë. Transmeton Muslimi në hadithin e Xhibrilit alejhi selam, nga Omeri radijAllahu anhu, ku Xhibrili i thotë: “O Muhamed, më trego se çfarë është ihsani (virtyti).” Ai tha: “Ta adhurosh Allahun sikur ti ta shohësh Atë, edhe pse ti nuk e sheh, Ai të sheh ty.”
Ibën Kajim el-Xhevzije thotë: “El-Murakabe, mbikëqyrja, do të thotë kur robi në çdo çast e di dhe është i bindur se Allahu është duke e parë si atë që e shfaq edhe atë që e fsheh në brendinë e tij. Kjo është fryt i dijes së tij se Allahu është Mbikëqyrësi i tij, e sheh atë, e dëgjon atë, e sheh çdo vepër të tij në çdo kohë dhe çdo çast, në çdo frymëmarrje e çdo lëvizje të syrit.” Dikush ka thënë: “Ai që e ka në vetëdije mbikëqyrjen e Allahut gjatë mendimeve të tij, Allahu e mbron në lëvizjet e gjymtyrëve të tij.” Junusi alejhi selam ka thënë: “Shenjë se mbikëqyrja është reale është dhënia përparësi asaj që ka zbritur Allahu, madhërimi i asaj të cilën e ka madhëruar Allahu dhe nënçmimi i asaj të cilën e ka nënçmuar Allahu.”[4]
Nga kjo që u tha, bashkëshortët nuk duhet ta tradhtojnë e mashtrojnë njëri-tjetrin ngase humbja e besimit mes tyre do të thotë shkatërrim i jetës bashkëshortore.

Këshilla e katërt: Mosvazhdimi në xhelozi dhe shfaqje të saj

Xhelozia e matur nga të dy bashkëshortët është e lavdërueshme në Islam dhe argument për të është fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Allahu xhelozon, gjithashtu edhe besimtari xhelozon, ndërsa Allahu xhelozon kur besimtari vepron atë që ka ndaluar Allahu.”[5]
Transmetohet nga Enesi të ketë thënë: “Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ishte tek njëra prej grave të tij, njëra nga nënat e besimtarëve dërgoi një pjatë në të cilën kishte ushqim tek gruaja tek e cila ishte i Dërguari. Ajo ia mëshoi në dorë shërbëtorit i cili solli ushqimin, pjata i ra nga dora dhe u thye. I Dërguari filloi t’i mbledhë pjesët e pjatës, gjithashtu mblodhi edhe ushqimin dhe thoshte: “Xhelozoi nëna juaj.” Pastaj e ndali shërbëtorin derisa i solli një pjatë nga shtëpia e gruas tek e cila ishte, ia dha shërbëtorit pjatën e re që t’ia jepte asaj që i ishte thyer pjata, ndërsa të thyerën e ndali tek gruaja e cila e kishte thyer.”[6]
Hafidh ibën Haxheri kur komenton këtë hadith thotë: “Xhelozoi nëna juaj”, ligjërimi është për atë që ishte prezent, ndërsa me “nënën” është për qëllim ajo që theu pjatën, ngase ajo është nga nënat e besimtarëve…” Pastaj thotë: “Të gjithë komentatorët e hadithit kanë thënë se në të ka shenjë se nuk merren masa ndaj gruas që xhelozon, ngase ajo në atë gjendje nuk di se çfarë vepron nga hidhërimi i tepërt si rezultat i xhelozisë.”

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Xhelozia ka një masë, nëse tejkalohet atëherë shndërrohet në shpifje dhe mendim të keq mbi njeriun e pafajshëm, e nëse nuk ekziston atëherë konsiderohet pakujdesi dhe parim djallëzor…” Rregulli i krejt kësaj është drejtësia, pra marrja e gjërave me mesatare në çdo gjë mes dy këndeve ekstreme, pasi mbi këtë ndërtohen interesat e kësaj bote dhe të botës tjetër.”[7]

Bashkëshortët duhet ta dinë se xhelozia e matur është e kërkuar, është edhe shenjë e dashurisë dhe nëse nganjëherë tejkalohet ndonjë gjest, ai është i falur për shkak të mospasjes së qëllimit të keq, mirëpo nëse del nga binarët e drejtësisë në dyshime e shpifje e ndoshta edhe në spiunim e përcjellje ndaj palës tjetër, atëherë ajo konsiderohet xhelozi e keqe dhe e refuzuar sepse sigurisht që e prish jetën bashkëshortore.

Këshilla e pestë: Fshehja e sekreteve bashkëshortore

Shumë burra dhe gra të martuara e anashkalojnë këtë këshillë madhështore. Shtëpitë dhe dyert janë vendosur për mbulimin e gjërave të turpshme të njerëzve, për ruajtjen e gjërave personale të tyre, që të mos i dijë askush përveç tyre.

Nëse turpi, etika i ndalon ta shfaqin jetën e tyre duke përfshirë këtu edhe gjërat personale përveçse brenda shtëpive të tyre, ku secili prej bashkëshortëve ushtron lirinë e tij në natyrshmërinë e tij duke mos u shtirur, atëherë është shumë normale që njohja prej familjes dhe shokëve e këtyre gjërave personale do të çojë te përplasja mes tyre, tek inati e urrejtja e ndërsjellë, tek humbja e besimit dhe e xhelozisë së lavdërueshme. Si rrjedhojë e kësaj lidhja bashkëshortore dështon dhe përfundon me shkurorëzim. Ky është përfundimi i pritur kur nuk njihen këto gjëra. Sekretet më të mëdha që nuk duhet të shfaqen, pa marrë parasysh fuqinë e kundërshtimit mes bashkëshortëve, janë sekretet e marrëdhënieve, ngase i Dërguari ka paralajmëruar për këtë duke thënë: “Njerëzit më të këqij tek Allahu në Ditën e Gjykimit janë burri dhe gruaja të cilët bëjnë marrëdhënie intime e më pas i shpërndajnë sekretet e njëri-tjetrit.”[8]

Imam Neveviu kur komenton këtë hadith thotë: “Në këtë hadith ka argument për ndalimin që burri të shfaqë çfarë ndodh mes tij dhe gruas së tij prej çështjeve të marrëdhënieve dhe detajet e tyre dhe se çfarë vepron gruaja prej fjalëve apo veprave etj., ndërsa vetëm përmendja e marrëdhënieve, nëse nuk ka në të dobi e as nevojë, është e papëlqyer ngase është në kundërshtim me etikën. E nëse ka në të nevojë apo ndonjë dobi, atëherë nuk ka diçka të keqe në përmendjen e tyre, siç ka thënë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Unë dhe kjo e bëjmë këtë”, gjithashtu i ka thënë Ebu Talhas: “A keni pasur marrëdhënie sonte?” Allahu e di më së miri.”
Pra, duhet të kemi kujdes nga përhapja e sekreteve bashkëshortore në përgjithësi dhe të marrëdhënieve në veçanti ngase kjo sjell thashetheme dhe njollosje të personalitetit, gjë që e kundërshton natyrshmëria e shëndoshë dhe sheriati i pastër.

Këshilla e gjashtë: Kujdesi nga ftohja e dashurisë mes bashkëshortëve

Nëse pyet cilindo çift dhjetë vite pas martesës për ndjenjat ndaj njëri-tjetrit pas kësaj kohe të gjatë, se a i kanë të njëjtat ndjenja siç i kishin kohën e fejesës, përgjigjja pa dyshim është jo. Shkaku i kësaj është zbehja e dashurisë, ndërsa shkak i zbehjes së dashurisë është angazhimi i përhershëm në punë, në kujdesin ndaj fëmijëve, mosveçimi i tyre pasional jashtë shtëpisë e ndoshta edhe brenda saj, mosshfaqja e asaj që kanë në zemër, neglizhimi i rasteve gazmore mes tyre, neglizhenca ndaj zbukurimit etj.

Në vend të ndjenjës së dashurisë shohim ndjenjën e mëshirës, të dhembshurisë, e cila mbretëron në veprimet e bashkëshortëve. Mirëpo vetëm mëshira, dhembshuria e ndjenja e sigurisë ndaj shokut të jetës ndodh të mos u rezistojnë sprovave, të cilat janë shtuar, përzierjes mes gjinive pa ndonjë faktor ndalues, si feja apo turpi, përzierje që ka kapluar të gjitha poret e jetës bashkëkohore.
Zhveshja dhe banaliteti i gruas është ndër sprovat më të rrezikshme, e cila është përhapur si zjarri në lëndën djegëse dhe shumë sprova të tjera. Të gjitha këto kanë bërë që të dy bashkëshortët kanë nevojë për ndjenja pasionale të forta që e lidhin me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos shkatërrohet ndonjëri prej tyre e të zhytet në grupin me të cilin nuk di si ta kundërshtojë e ta refuzojë.
Për këtë arsye është e kërkuar që bashkëshortët të ngjallin shpirtin e rinisë dhe kthimin e lidhjeve pasionale mes tyre, në mënyrë që lidhja e tyre bashkëshortore të burojë nga kjo lidhje dhe të ngrihet në piedestalet më të larta shpirtërore e pasionale, larg sprovave që kanë zbehur lidhjen e tyre shpirtërore me angazhimet dhe brengat e tepërta.
Për këtë arsye i këshilloj bashkëshortët së paku me këto dy çështje:

E para: Zbukurimi dhe rregullimi për njëri-tjetrin

Prej gjërave që e lumturon zemrën e burrit është që kur të kthehet në shtëpi ta gjejë gruan e tij në formën më të mirë, me aromën më të mirë, duke i uruar mirëseardhje me fjalë të mira e guximtare që e bën t’i harrojë brengat dhe problemet e tij ditore.
Shumë prej problemeve që lindin janë si rezultat i mospërfilljes së kësaj pike gjallëruese nën pretekstin se ka shkuar rinia dhe ka përfunduar.
Assesi oj grua dashamirëse, jeta bashkëshortore dhe vazhdimësia e saj kërkon flijime të shumta. Duhet ta paramendosh burrin tënd të gjorë të cilit ende i rreh zemra dhe ka nevojë për një afrim dashuror nga ti, e jo sa herë që kthehet të gjejë tek ti mospërfillje e injorim, me rroba jo të bukura, e zënë gjithmonë me punët e kuzhinës dhe të pastrimit.

Atij ka mundësi i ikën syri me qëllim apo jo te shoqet e tij në punë apo gratë e tjera që e tërheqin atë dhe më pas vazhdon të bëjë krahasimin mes teje dhe tyre. Dhe të jesh e bindur se ato do ta mundin dhe do të jenë më të rrezikshme, vetëm nëse burri yt i frikësohet Allahut dhe e ul shikimin e nuk të tradhton, ngase frikësohet nga e ndaluara. Kjo çështje llogaritet e mirë e tij dhe jo e jotja, mirëpo ajo çfarë fsheh ai në zemër është se ka nevojë për ushqim pasional për të cilin është i etur dhe nuk e gjen tek ti, prandaj dije se kjo do ta bëjë atë të dalë nga natyrshmëria e tij si reagim ndaj mospërfilljes tënde karshi tij.
Ndodh të hidhërohet për shkaqe të paarsyeshme apo ta shprehë fjalën shkurorëzim vend e pa vend, ndërsa nga ana jote fillon dyshimi për sjelljet e tij dhe në këtë ndryshim të tij shejtani luan lojën e vet në ndezjen e zjarrit, të fut dyshime se mos ka ndonjë lidhje me ndonjë grua tjetër dhe kështu fillojnë problemet.
Nga krejt kjo të mjafton vetëm të kujdesesh pak për veten tënde, ngase burri yt ka të drejtë këtu, pra le të jetë shtëpia jote, parajsa jote dhe baza e lumturisë sate, dil para tij në formën më të mirë dhe me aromën më të mirë e më pas do të shohësh çudira!
Imam Sujutiu thotë: “Juristët kanë shpeshtuar këshillimin e tyre ndaj grave që të zbukurohen brenda shtëpive, duke i lëshuar flokët dhe duke i zbukuruar ato, duke u parfumuar me parfumet më të mira para burrit në mënyrë që atij t’i kënaqet zemra.”[9]

Gjithashtu edhe burri duhet t’i kushtojë rëndësi kësaj çështjeje, ngase gruaja bëhet e lumtur kur e gjen burrin e saj në formë të mirë dhe me aromë të këndshme, siç tregohet në hadithin e njohur se i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem gjithmonë kishte me vete krehrin dhe pasqyrën si në udhëtim ashtu edhe në shtëpi.

I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem na ka urdhëruar me ligjet e natyrshmërisë të cilat përmbajnë pastërtinë e përgjithshme, siç qëndron në hadithin e Enesit radijAllahu anhu, i cili thotë: “I Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem na ka caktuar që shkurtimin e mustaqeve, prerjen e thonjve, shkuljen e qimeve ndër sqetulla, rruajtjen në vendet e turpshme të mos i lëmë më shumë se dyzet net.”[10]
Burri duhet ta kuptojë se ai është njësoj si gruaja e tij dhe të ketë për model Ibën Abbasin radijAllahu anhuma, i cili thotë: “Unë zbukurohem për gruan time ashtu si zbukurohet ajo për mua dhe nuk kam dëshirë të marr tërë të drejtën time që ka ndaj meje e të më obligojë të drejtën e saj, që kam unë ndaj saj, ngase Allahu thotë: “Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra.” (El-Bekare: 228)
Ibën Xhevziu thotë: “I mençuri duhet të gjejë kohën e duhur që ta urdhërojë gruan e tij të rregullohet për të e më pas të mos gjurmojë çdo send, në mënyrë që t’u rregullohet jeta. Edhe gruaja duhet vetë të ketë kujdes rreth kësaj, të mos e takojë vetëm se në formën më të mirë dhe në këtë mënyrë jeta vazhdon.”[11]

E dyta: Vendosja e urave për mirëkuptim e konsultim

Pengesa psikologjike e cila ekziston si rrjedhojë e mospërfilljes nga të dy bashkëshortët ndaj njëri-tjetrit për shkak të problemeve me fëmijët, me edukimin dhe kujdesin ndaj tyre, brengat e shqetësimet të cilat e rrethojnë një familje për shkak të kalimit të viteve dhe ftohjes së pasionit etj, kjo pengesë duhet patjetër të zhduket dhe të ndërtohet në vend të saj ura e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës mes tyre. Boshti i kësaj ure duhet të jetë ruajtja e të drejtave të të dy palëve, në mënyrë që lidhja dhe ndihmesa të ekzistojë mes tyre në baza të njohura e të shëndosha.

Burri assesi të mos i nëpërkëmbë të drejtat e gruas për shkak të një gabimi apo një gjëje që urren tek ajo, por edhe gruaja të mos jetë neglizhente ndaj të drejtave të burrit për shkak të koprracisë së tij apo të ndonjë keqtrajtimi të tij si rezultat i keqkuptimit apo hidhërimit të shpejtë etj.. Bashkëshortët duhet të tejkalojnë çdo gabim apo lëshim nga pala tjetër. Nuk është e kërkuar që shoku të jetë shembull dhe pa të meta. Për këtë shkak edhe i Dërguari sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ka këshilluar burrin që të mos i marrë parasysh disa gabime të gruas për shkak të dobësisë së saj kur ka thënë: “Nuk e urren besimtari (burri) besimtaren (gruan), nëse e urren nga ajo një sjellje është i kënaqur me një sjellje tjetër të saj.”[12]
Po mjaftohemi me këto këshilla që përmendëm për zgjidhjen e problemeve bashkëshortore. Allahu qëndron pas qëllimit dhe vetëm Ai udhëzon në rrugën e drejtë.

Autor: Sejid Mubarek Ebu Bilal
Përshtati me disa shkurtesa: Mr.Fidan Xhelili
Aman (Jordani)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit