3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Këshilla mbi shitblerjen

Më të lexuarat

Shpejto që të gjesh furnizimin, ushqimin, veshmbathjen, punën; ruaju nga papunësia dhe përtacia!

Korrigjoji shitblerjet në mënyrë që të jenë në përputhje me ligjin e Allahut, ndaj ruaju nga shitblerjet e pahijshme!

Ki kujdes që mos të merresh me shitblerje të ndaluar (haram) e as të pasurohesh përmes kamatës – interesit, fajdesë, kreditit! 1

Mos e lavdëro mallin që ke në pronësi, por lëre blerësin ta shikojë atë dhe të mendojë ai personalisht!

Largohu nga gjërat e dyshimta!2

Bëhu i sjellshëm dhe zemërgjerë gjatë shitjes dhe blerjes; trego sjellje të mira gjatë kërkimit të riskut (furnizimit) dhe gjatë performancës së shitblerjes!

Po qe se blerësi është penduar për mallin që ka blerë, ktheja të hollat dhe pranoja pendimin, pa dyshim që Allahu i Gjithëmëshirshëm do ta pranojë pendimin tënd Ditën e Llogarisë!

Mos pakëso gjatë matjes së mallit duke i ngrënë hakun blerësit!

Këshillo gjatë shitblerjes dhe ruaju nga mashtrimi!

Mos ndërhyj gjatë shitblerjes së vëllait tënd musliman derisa të përfundojë ai dhe mos u fejo me atë vajzë e cila është fejuar apo është duke u fejuar!3

Ruaju nga monopolizimi (grumbullimi i mallrave me qëllim të shitjes me çmim më të lartë në kohët e vështira)!4

Bëhu i sinqertë në punët që realizon; ruaju nga gënjeshtra dhe betimi i rrejshëm!5

Bëhu i besueshëm dhe ruaju nga mashtrimet, pasi Pejgamberi alejhi selam transmetohet të ketë thënë në lidhje me këtë: “Me përpikëri kryeje amanetin që të është besuar dhe mos tradhto atë që te ka tradhtuar!”

Mos e bëj shprehi të marrësh borxh (para me hua), mirëpo nëse huazon, atëherë ta kesh qëllimin që sa me shpejt t’i kthesh parat atij që t’i ka huazuar!

Mos e vono borxhin kur ke mundësi të paguash, ngase vonesa në këtë rast konsiderohet padrejtësi (zullum)!

Shpejto që personit që ka ndërruar jetë dhe të cilit ia do të mirën, t’i paguash borxhet!

Ruaju betimit të rrejshëm kërcënues!

Ruaju nga krediti (kamata, interesi, fajdeja) zemërimi, vjedhjes, plaçkitjes dhe mashtrimit!

Asgjë mos merr nga pasuria e tjetrit pa lejen e pronarit, qoftë edhe përkohësisht!

Punëtorin paguaje sa me parë, para se djersët t’i jenë tharë!

Mos shpenzo nga pasuria jote pa pasur ndonjë qëllim të arsyeshëm!

Vazhdon…
Autori: Ahmed Izzuddin El-Bejanunij
Përktheu: Mr Fehim Dragusha/klubikulturor/kohaislame

SQARIM:

1 Është e vërtetë e hidhur se në ditët e sotme shohim biznese të ndryshme, të cilat fare nuk përkojnë me mësimet dhe normat e shëndosha islame. Ndoshta për disa, dikur shitblerja e alkoolit konsiderohej diçka e thjeshtë, tashmë në tregun tonë ajo është bërë e përditshme, saqë këta biznesmenë duke parë të ardhurat mujore nga ky biznes, kanë harruar se blerësit e tyre do të kërkojnë nga ta edhe gjëra të tjera. Ajo që na trondit të gjithëve është se lakmia është gjëja më e keqe që njeriun e shkatërron për një kohë të shkurtër. E them këtë për faktin se njerëzit e tillë nuk mjaftuan vetëm me alkool, ata më vonë filluan të hapin lojërat e fatit, bastoret, klubet e natës, çka është me e keqja, në trojet tona shqiptare, filloi edhe shitblerja e drogës, të cilën po e pason prostitucioni, armët, kamata, përse e gjithë kjo? Ky është rezultat i mospërfilljes së fjalëve të Allahut. Allahu xh.sh. na ka tërhequr vërejtjen nga llojet e tilla të bizneseve duke thënë në ajetin e Tij kuranor: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.* Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotin dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)? (El-Maide, 90-91)

3 Kjo këshillë është shumë me rëndësi për muslimanët kudo që janë, e veçmas për vëllezërit tanë shqiptarë, të cilët nëse ke pasur rastin t’i shikosh se si tregtojnë nëpër tregje, do të shohësh se nëse dikush dëshiron të blejë një lopë, apo veturë, do të vijë tjetri dhe ndërhyn, duke thënë se unë po e blej, apo a bën që unë ta marr me këtë çmim. Një gjë e tillë është e ndaluar juridikisht. Islami na mëson që kur të mbarojë nga diskutimi rreth çmimit, atëherë mund të ndërhysh dhe të blesh mallin në fjalë. E njëjta gjë vlen edhe për një vajzë e cila është në prag të fejesës apo është fejuar. Nëse vajza është fejuar dhe ti shkon e fejohesh, një gjë e tillë është haram. (shënim i përkthyesit).

4 Autori na tërheq vërejtjen që të largohemi nga përfitimet e tilla, siç ndodh në kohërat e vështira ku shumë tregtarë apo biznesmenë, grumbullojnë mallrat dhe gjërat që janë shumë të rëndësishme për jetën e njeriut, fjala vjen: mielli, vaji, karburantet, të gjitha këto njeriu gjatë luftës ka shumë nevojë që t’i posedojë, mirëpo për fat të keq që kur këto ndodhin, çmimet e tyre ngrihen aq lart, saqë shumë shpejt këta njerëz bëhen trefish të pasur nga çmimet marramendëse.

5 Shumë tregtarë, të cilët nuk i kanë frikën Allahut, janë në gjendje që për të arritur sukses në biznesin e tyre, gënjejnë, betohen rrejshëm, duke thënë: “Pasha Zotin lopa është e mirë” apo, “Betohem në Allahun se vetura është shumë e mirë dhe nuk ka më të mirë.”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit