3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Këshilla mbi pastërtinë

Më të lexuarat

 

Koncepti islam për pastërtinë paraqet një sistem mahnitës rregullash që inkorporohet në të gjitha aspektet e jetës, është emergjencë e jetës islame në nivelin individual dhe atë shoqëror. Në shumë nga tekstet e Shpalljes Hyjnore pastërtia trupore dhe shpirtërore vihet në spikamë. Islami është një shembull unik për theksimin e pastërtisë dhe për mënyrën e trajtimit të saj.

Përderisa tek të tjerët pastërtia është vetëm një prej atributeve të preferuara, Islami këmbëngul në domosdoshmërinë e saj dhe lidhshmërinë me besimin/imanin. Pastërtia është pjesë esenciale e jetës islame dhe kuptimi i saj shkon përtej limiteve të koncepteve sipërfaqësore të pastërtisë konvencionale.

 

Nuk ka dyshim se parimet islame të pastërtisë janë në korrelacion të plotë me normat më precize të mjekësisë preventive dhe asaj terapeutike. Sheriati islam me rregullat e pastërtisë është shumë para sistemeve të ndryshme të shëndetësisë në të kaluarën dhe në të tashmen. Allahu, subhanehu ue te’ala, në Kuran thotë:

 

“Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” (Bekare, 222). Kurtubiu në komentin e këtij ajeti thotë: Të penduarit në këtë ajet janë ata që pendohen prej mëkateve dhe shirkut, ndërsa “…ata që pastrohen” janë ata që pastronin me ujë trupin e tyre (gusli dhe abdesi) dhe që largohen nga mëkatet, siç janë edhe marrëdhëniet me gratë gjatë ciklit menstrual.

 

Ja disa këshilla për pastërtinë:

1. Hyni në banjë me këmbën e majtë! Para se të hyni në të, kërkoni mbrojtje nga Allahu dhe mos flisni në të asgjë! Kur të dilni, dilni me këmbën e djathtë duke shqiptuar këtë lutje: Gufráneke!

2. Kini kujdes nga të kryerit e nevojës nëpër rrugë apo nën hije1, sepse vërtet ajo i lëndon njerëzit!

3. Nuk bën që gjatë kryerjes së nevojës të ktheheni nga kibla, e assesi t’i ktheni shpinën, përveç nëse jeni brenda shtëpisë!

4. Mënjanoni urinimin kur jeni në këmbë, aq sa keni mundësi, që mos t’ju godasin të spërkaturat e saj2!

5. Pas mbarimit të urinës, duhet pastruar organi gjenital; po qe mundësia, me gurë apo letër, pastaj me ujë. Nëse mund t’i praktikoni të dyja, atëherë është edhe më mirë…

6. Mos përdorni dorën e djathtë për fshirjen e hundëve e as për pastrimin nga nevoja e madhe dhe punë të ndyra, por në vend të saj përdorni dorën e majtë!

7. Bëjini fëmijët synet3 atëherë kur janë të vegjël, se vërtet synetia konsiderohet prej parimeve islame.

Përktheu: Mr Fehim Dragusha/klubikulturor/kohaislame
____________________________________________________________________________________________________________________________________

Sqarim:

1Këtu është fjala për hijet e pemëve, ku njerëzit gjatë stinës së verës si rezultat i temperaturave të larta preferojnë që kohën e tyre ta kalojnë nën hije të pemëve.

2Ka shumë raste kur banjat e muslimanëve nuk janë të rregulluara sipas parimeve islame, në fakt ato u ngjasojnë banjave të huaja joislame. Pa marrë parasysh pasojat, shumë shqiptarë i kanë ndërtuar banjat që urina të bëhet në këmbë. Në shumicën e rasteve, nuk mund t’u shmangesh të spërkaturave. Dihet fare mirë nga historia e bujshme islame se Pejgamberi alejhi selam, duke kaluar pranë disa varrezave, kishte treguar që njëri prej të vdekurve ishte duke u dënuar vetëm se nuk i kishte kushtuar rëndësi kryerjes së nevojës së vogël. Feja islame vërtet që edhe në këtë çështje ka vënë bazat dhe rregullat e kryerjes së nevojës së madhe dhe asaj të vogël, prandaj të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë një jetë me baza të shëndosha islame, i këshilloj që të ruhen nga urina, ngase siç thotë edhe Pejgamberi alejhi selam: “Pastërtia është gjysma e besimit”, prandaj mbetet që t’i zbatojmë thëniet e Muhamedit alejhi selam. Shënim i përkthyesit.

3Synetia është fjalë e gjuhës arabe, e cila është huazuar në gjuhën turke, shqipe dhe shumë të tjera me një kuptim tjetër nga ai që është në gjuhën arabe. Meqë synetia është traditë profetike, atëherë te popujt joarabë është huazuar nga fjala sunet. Në gjuhën arabe, si term ekziston sinonimi el Hitan الختان. Në terminologjinë fetare synetia d.m.th: “prerja e pjesës shtesë në organin gjenital, në të cilën mblidhet pjesa e mbetur e urinës, ku nuk mund të pastrohet nga brendësia dhe as të largohet era e saj e pakëndshme. Është me rëndësi të përmendim se Imam Maliku dhe të tjerët transmetojnë nga Jahja b. Seidi, se ky kishte dëgjuar Seid bin Musejjibin të ketë thënë: “Ibrahimi është i pari që u bë synet, i pari që priti mysafirë, i pari që rroi organet gjenitale, i pari që preu thonjtë, i pari që shkurtoi mustaqet dhe i pari që u thinj. Kur e pa këtë (të thinjurit) tha: “Ç’ka është kjo (o Zoti im)?” Tha: “Urtësi.” Tha: “O Zot! Ma shto urtësinë!” (shën. i përkth).

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit