1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kërkohet “të sigurohen” minoritetet në Kosovë

Më të lexuarat

Në kuadër të angazhimeve drejt përmbushjes së kritereve që Bashkimi Evropian ia vuri Kosovës në Studimin e Fizibilitetit për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim, Qeveria e Kosovës mbajti takimin e radhës me kryetarët e komunave të vendit.

Mbrojtja dhe ofrimi i sigurisë për minoritetet – me theks te komuniteti serb që jeton në pjesën jugore e qendrore të Kosovës, ishte tema qendrore e takimit, gjatë të cilit u raportua për arritjet e deritashme dhe sfidat që ka Kosova para vetës në këtë fushë.

Interesimin e Brukselit për mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve në Kosovë, e theksoi përfaqësuesi special i BE-së në vend, Samuel Zbogar, duke thënë se ndërtimi i besimit tek institucionet kosovare, është çelës për integrimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vend.

“Çelës për integrimin e qëndrueshëm të shoqërisë së Kosovës është ndërtimi i besimit tek institucionet kosovare në mënyrë që komunitetet të kenë besim se institucionet do t’i mbrojnë ato”, u shpreh Zbogar, për të theksuar rëndësinë që të vihen para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e deritashme drejtuar serbëve të kthyer ose minoriteteve të tjera në Kosovë.

Zyrtarët kosovarë, ndërkaq, folën për “progres në përmirësimin e klimës ndëretnike dhe integrimin e minoriteteve”, por thanë se ekzistojnë sfida të vazhdueshme në këtë drejtim.

Një nga këto sfida, të cilën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi të gabuar – janë perceptimet që flasin për ekzistimin e problemeve te minoritetet-“se nuk janë të integruar, se nuk janë të sigurt ose se nuk bashkëpunojnë me institucionet”.

“Ky është vetëm një perceptim i gabuar që i shkon për shtati vetëm Serbisë, kurse realiteti është krejtësisht tjetër”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar, Thaçi.

Në takim u raportua për punën e bërë deri më tani në krijimin e këshillave komunalë për siguri në bashkësi, ndërsa u theksua rëndësia që këta këshilla të veprojnë efektshëm në krijimin e ambienteve të sigurta nëpër komuna.

Problem kryesor, sipas zyrtarëve qeveritarë, mbetet veriu i Kosovës dhe veprimi i strukturave të paligjshme të Serbisë në atë pjesë.

Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, tha se nuk duhet lejuar që qytetarët e Kosovës të manipulohen nga veprimet e strukturave në fjalë.

“Ajo çfarë nuk duhet të lejojmë është manipulimi me qytetarët tanë nga strukturat ilegale të Serbisë apo nga ndonjë institucion tjetër që ka për qëllim që ta paraqesë Kosovën si vend të rrezikshëm për të jetuar apo për të bërë biznes. Po ashtu, nuk duhet të lejojmë që asnjë individ brenda institucioneve të Kosovës të injorojë problemet e kësaj natyre”, theksoi Rexhepi./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit