-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kërkohet një mjekër për “Armikun Kombëtar”

Më të lexuarat

A nuk ishte edhe ai një shpirt?” tha Muhamedi a.s. Profeti im, kur u pyet pse trishtohej tek kalonte afër funerali i një hebreu. Ndërsa e kishin mohuar dhe gjakosur me gurë rrugëve të Taifit, nuk kërkoi hakmarrje, por u lut dhe shpresoi se nga pasardhësit e atij brezi të paditur do të dilnin njerëz që do adhuronin Allahun.
Por këto nuk I di gjithkush, Nuk I di psh. një pedagog shqiptar, I njohur I vjetër, I cili të nesërmen e atentateve, pasi u sigurua në rrugë se nuk e shihte njeri, më përshëndeti nga larg me një shtrëngim të ulur grushti, shenjë e cila në shumë kultura tregon përgëzim dhe një lloj kënaqësie që shijohet në grup… (E njëjta shenjë e beftë gëzimi që një gazetar I RAI-t tregoi po të nesërmen e atentateve, kur korrespondentë t e Lindjes e lajmëronin për shpërthime të fuqishme në Kabul…) Pedagogu, një burrë që ka inate të vjetra me Amerikën, nuk e njeh fare fenë time; ai thjesht është I bindur se tek unë dhe tek mjekrra ime ka partnerë për të ndarë hallvën makabre të një feste vdekjeje. Nga larg, gjesti I tij futbollistik më erdh’ krejt si grusht stomakut.
Me të njëjtin paragjykim provokativ, edhe media shqiptare mësyu xhamitë dhe institucionet islamike për të dhunuar kë të gjente përpara. Pyetja shtruar besimtarëve: “çfarë mendoni për aktet terroriste në Shtetet e Bashkuara?” parapret në fakt veç dy lloj përgjigjesh. Ndërkaq që çdo njeri normal e di se për këtë lloj pyetjeje mund të ketë vetëm një lloj përgjigjeje; e pyetjet që kanë vetëm një përgjigje, ti thjeshtë nuk mund t’I bësh… Por një injorancë mbase e pashërueshme, apo një dashakeqësi e deleguar, I bën gjithsesi të ta vendosin tytën e mikrofonit në fyt dhe të të thonë: je me kriminelët a me viktimat?
Në të njëjtën linjë mendimi pastaj në darkë, mësohesh të shohësh në TV, se sa normale është që ndërsa flitet për terror, kjo të ilustrohet me pamje normale minaresh, njerëzish normalë që falen normalisht… njerëzish me mjekërr!
Fara është hedhur; urrejtja është kanalizuar: Në të nesërmet e para të atentatit, në rrugë sheh veten të fyhesh si asnjëherë gjatë jetës tënde më parë. Njerëz me gazeta në dorë që të shigjetojnë me gisht, me sy të ndezur, me gojë të hidhur…
Qëndisur me stigmën e dukshme të pakicës, ecën me mjekërr dhe anonimat nëpër rrugët e qytetit tënd të kolonizuar me urrejtje dhe në gjoks detyrimisht të grumbullohet urrejtje, por më tepër trishtim. Nuk mundesh të sqarosh asgjë; djalosh njëzet e diçka vjeçar që nuk e ke besuar kurrë se do ta jetosh një ditë historinë, se edhe hebrenjtë ishin njerëz si ti me yllin prej cope qepur dukshëm në fat. Si një kështjellë e rrethuar, a si një anije që digjet, braktiset shenja e grupit; çdo të nesërme pas atentateve; djelmosha kokëulur faqeplagosur dalin nga dyert e xhamive; kanë hequr mjekrrën njerëzore, për të veshur maskën urbane të të qenit “tribalisht korrekt”, të të qenit “ne” dhe jo “ata”.( Dy vajza që I njoh, motra, të përjashtuara vite me rradhë nga e drejta për të vazhduar shkollën për shkak të mbulesës fetare, pikërisht këto ditë hoqën mbulesën nga koka. Kishin bërë durim në kohë paqje, por tani është vërtet ndryshe.) Një mekanizëm, I frikshëm në përsosmërinë e vet, është vënë në lëvizje. Kultura e timonuar dhe informacioni I tillë me anë të magjisë pavlloviane të përsëritjes së klishesë së rrezikshme kanë veçuar tek njerëzia të njëjtin reagim. I sheh të sinkronizojnë lëvizjet dhe qëndrimet popullata të tëra rreth teje: të njohur dhe të panjohur, të afërm dhe të largët, të dashur e jo të dashur, gra dhe burra, të rinj dhe të vjetër, besimtarë dhe jobesimtarë. Një kult I vërtetë që fokuson rreth mjekrrës të pranuar masivisht si atavizëm evolucionar në Sizifin e përditshëm të luftës shfarrosëse me veten përballë me brisk në dorë, (idenë për hypje-zdrypje në një majë mali të shumëzuar me ty, ta forcon edhe më bora e industrisë së shkumës.) Pastaj kemi rrënjosjen spartane, më gjerë greko-romake- fashiste, përftuar nga ushtria dhe ballafaqimi me forcat e rendit, që automatikisht e kthen mjekrrën në antonim me rregullin, rendin, pastërtinë dhe kështu barazim me margjinën, të ndaluarën, irracionalen. Ki parasysh edhe lejfenizmin. Gjithashtu ngjyresat e bollshme nga letërsia e detyrueshme shkollore për sakrifica të frikshme (lexo çmenduri) murgërore, mistikë mesjetare lindore tendencioze (Rasputini?) plus sulltanat. Plus tridhjetë e ca vjet propagandë për radikalizëm dhe terrorizëm islamik që nga revolucioni iranian me rekuizitën e vet mjekërrore në rubrika, dosierë, reportazhe, filma, romane, zhargon, lojra kompjuteri … E gjitha kjo nxjerr dhunshëm kokë, duke çarë hipokrizinë e respektit për diversitetin, në çaste kritike e sidomos në katastrofa gjithëtronditë se si kjo e fundit, ku implikohesh njëheri me monumentalizmin në simbole dhe numerikë. Pastaj vërtetë është e pafalshme për njeriun e thjeshtë nëse mes gjithë kësaj nuk ve në shënjestër njeriun me mjekërr, sidomos kur siç thamë mediat ilustrojnë lirshëm retorikën për terrorin me pamje minaresh e besimtarësh me mjekrra. Kur edhe burra shtetesh të mëdha, flasin për “kryqëzatë” “kundër të keqes” apo përplasje a “epërsi” me qytetërimin islam, dhe më pas nën breshër reagimesh shpejtojnë të vënë pikat mbi I-të që nuk egzistojnë duke sqaruar se nuk kanë gjë me Islamin apo muslimanët. Por njerëzit e thjeshtë e morën mesazhin. E mbase vërtet nuk kanë gjë me muslimanët: në rrugët e Amerikës vritet tjetri vetëm se ka mjekërr, pa qenë detyrimisht musliman. Është rasti I një indiani të besimit sikh vrarë në një pikë karburanti, dhe raste të tjera goditjesh të sikhëve edhe gjetkë në botë, (feja e tyre u kërkon mbajtjen e mjekrrës) denoncuar si raste dhune urrejtëse lidhur me atentatet. Vërtet, edhe pa mjekërr e pa Islam, furia hakmarrëse e injorancës së kultivuar gjithashtu këto ditë vrau edhe një të krishterë egjiptian për fajin e mjaftueshëm se po mbante në lëkurë shenjën e të qenit arab në kohën dhe vendin jo të duhur.
Ata që kanë bërë krimin në fakt nuk janë disa idjotë të mjerë patriotikë që mund edhe t’I zërë policia. Kriminelët janë ata që përgatitën tabelën e qitjes me lexime të shtrembëruara të ngjarjeve, duke akuzuar drejtpërdrejtë apo tërthor thelbin e fesë islame si kriminal dhe qindra milionë muslimanë si përbindësha të mundshëm. Janë ata që vite me rradhë definuan “islamik” terrorizmin, kur ky nuk është atribut fetar, dhe definuan sipas interesit lëvizjet çlirimtare të popujve herë “terrorizëm” e herë “luftë për liri”. I gjen edhe tek ne, injorantë apo sadistë që duke bërë si specialistë tradhëtojnë reputacionin në faqet e para të gazetave tona më të mëdha, kur shkruajnë se muslimanët I falen pesë herë në ditë Muhamedit (!!!), kur duan ta paraqesin devocionin islamik në profile kamikaxesh, apo japin të dhëna për “vendet arabe si Irani (!!!), Egjipti etj”, duke shpikur talibanë dhe baza terroriste në Shqipëri, apo duke sugjestionuar me termin “xhihad”. (Kjo fjalë në gjuhën arabe, tregon përpjekje , sakrificë. Në traditën islamike “xhihad I madh” tregon përpjekjen për të luftuar egon, që të zbutet dhe të përsoset e të përkulet më në fund para madhërisë së Zotit. Kurse “xhihad I vogël” është e njëjta përpjekje e spostuar jashtë vetes kundër padrejtësive dhe tiranisë derisa gjithë madhështia në tokë t’I takojë vetëm Zotit. Por kjo absolutisht nuk është interpretuar 1400 vjet rresht si vrasje civilësh, apo si terror “hedh gurin fsheh dorën”, por kur ka marrë forma të pashmangshme luftarake, ka qenë ose mbrotjeje të ligjshme, ose problem I fushës së marrëdhënijeve ndërkombëtare; çështje ministrish, traktatesh, ambasadorësh e jo pirateri anarkiste kundër të pafajshmëve. Në një bisedë në një televizion me një gazetar të respektuar, koncepti që u përftua nga fjala ime e gjatë dhe natyrisht e redaktuar, u fokusua tek “xhihadi I Ramazanit”, tek përpjekja që besimtari bën me veten për të treguar se jeton pa ngrënë e pa pirë, po jo pa Zotin. Meqë disa e kanë vënë në dyshim këtë lexim timin për xhihadin, po jap pa redaktim fjalën e ministrit britanik të shtetit për Zyrën e Jashtme dhe të Komonuelthit në vitin 1999, z. Derek Fatchett : “Ajo çka ata (shumë njerëz në Perëndim shën. im) kanë nevojë të njohin është se ekziston një xhihad I madh- jo një luftë e shenjtë kundër të pabesëve, por një përpjekje përbrenda njeriut për të qenë I ndershëm dhe I drejtë. Dhe Ramazani është koha kur Kurani I Shenjtë I thërret besimtarët të meditojnë mbi këtë përpjekje.” ( dërguar për “Jordan Times”, 18 Janar 1999)
Duke veçuar bukur faktin se ndonëse me një “çetë profetësh” të përbashkët me traditën judeo-krishtere, tekstet islamike nuk e kanë përfshirë kurrë historinë e kreshnikut Samson, studiuesi britanik Abdal-Hakim Murad (ish- Timothy Winter) fshin edhe të fundmin spekullim teologjik që mund të akuzojë mendësinë muslimane për përligjje të “akteve heroike vetvrasëse”. Bëhet fjalë pra për tregimin biblik, dramatizuar nga Noli ynë me mjekërr, me trimin Samson I cili I zënë rob tek filistinët, shembi shtyllat e tempullit pagan, dhe “rrëmbeu me vete, në vdekje, më shumë filistinë sesa kishte vrarë gjatë tërë jetës së tij.” Fuqinë e vet titanike, Samsoni e kishte tek flokët (kam përshtypjen se tek “Israelitë dhe filistinë” Noli ka shtuar edhe mjekrrën.) Po prapë, nuk ka dyshim se rrëzimi I ndërtesave dhe vrasja e të pafajshmëve, sot nuk është punë qimesh dhe nuk është punë besimtarësh me mjekërr, apo edhe pa mjekërr; mjafton vetëm të kenë kuptuar vërtetë çfarë është mjekrra. Se mjekrra është paqë me Zotin duke mos prishur atë (mjekrrën) që Ai krijoi me mirësi; është paqë me veten, duke mos u kacafytur përditë para pasqyrës në një koreografi vetvrasjeje me thikë në fyt; është paqe me ata njerëz që duan paqe, të cilëve kështu u dhuron mundësinë të të identifikojnë , të të përkufizojnë, të ta dijnë kufirin… U jep një dije për veten tënde, e cila sipas natyrës që ka dija, u jep edhe një minimum pushteti njerëzve mbi ty, të cilin s’ta fal kushdo sot, I fortifikuar pas kamuflazhit të (pamjes së) rastit, sipas leverdisë: herë zyrtar, herë sportiv, herë serioz e herë agresiv. Jep mundësi për policinë në aeroporte apo të tjera porta ta lokalizojë shpejt rrezikun dhe të bjerë rehat ndërkaq që njëfarë Timothy (tjetër ky, që nuk arriti të bëhej musliman, si Timothy më lart), bjond dhe pa mjekërr hedh në erë ndërtesa federale në Oklahoma.
Përveç Heroit Kombëtar, Poetit Kombëtar, dhe lekut kombëtar (poeti, heroi plus Budin, Nolin dhe dy variantet e dymijlekshit me Ismail Qemalin) ca shqiptarë duan të bëjnë me mjekërr edhe Armikun Kombëtar.
Mediat dhe “specialistët” vazhdojnë të pjellin rrugëve vezë qose të urrejtjes, korba të rinj për një qiell mishngrënës ballkanik.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit