-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kërkohet lirimi i menjëhershëm i Fatmir Limajt me bashkëluftëtarë

Më të lexuarat

Ish-luftëtarët e Brigadës 121 “Kumanova” kanë reaguar me rastin e paraburgimit të deputetit Fatmir Limaj dhe tre bashkëluftëtarëve të tij pas kthimit të rastit “Kleçka” në rigjykim.

“Të shtunën në mënyrë mashtruese dhe duke u anashkaluar të gjitha procedurat ligjore, katër bashkëluftëtarëve tanë iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh në orët e vona të mesnatës.

Ne, bashkëluftëtarët e Fatmir Limajt, Nexhmi Krasniqit, Naser Shalës dhe Naser Krasniqit jemi tepër të indinjuar me rastin në fjalë, ngaqë kemi të bëjmë me shkelje flagrante të drejtësisë, në veçanti të drejtave të njeriut, të cilët u futën brenda në mënyrën më mashtruese të mundshme. Bashkëluftëtarët tanë janë të pafajshëm, pafajësinë e tyre e ka vërtetuar gjykimi fer i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë në maj të këtij viti, me shpalljen e vendimit lirues nga të gjitha akuzat, kështu që asnjëherë nuk mund të pajtohemi me vendimin e Gjykatës Supreme që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Tendencat e vazhdueshme të prokurorit Salustro, që me çdo kusht bashkëluftëtarët tanë t’i fusë në burg, edhe pse argumentet kanë treguar të kundërtën në maj të këtij viti, mirëfilli dhe ashiqare shihet se kemi të bëjmë me ndërhyrjet politike në drejtësi”, thuhet në reagim.

Në reagim thuhet se kjo nuk është drejtësia perëndimore, mision ky që EULEX-i e ka në Kosovë.

“Vizita e shefit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac, në Beograd, si dhe reagimet e zyrtarëve të Beogradit, në veçanti e kryeministrit Daçiq ndaj vendimeve të drejtësisë ndërkombëtare, tek ne nxjerr në pah prapë “Gjahun e shtrigave të EULEX-it ndaj ushtarëve të UÇK-së”. EULEX-i para dy-tre ditësh liron si të pafajshëm serbin Bulatoviç kinse në mungesë të provave dhe në vend që EULEX-i të reagojë ndaj kriminelëve në veri, ai hap një proces ndaj Limajt dhe bashkëluftëtarët të tij, duke i shkelur të gjitha procedurat ligjore dhe e tërë kjo bëhet për t’i kënaqur apetitet e Beogradit”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, veprimet tepër të nxituara për ta kthyer lëndën në Gjykatën Supreme brenda javës, arrestimet dhe shqiptimi i masës së paraburgimit për këtë rast lënë dyshime të mëdha në drejtësi ngaqë deri më tani nuk kemi asnjë rast të tillë të njohur në praktikat e drejtësisë.

“Këto veprime të drejtësisë, thuhet në reagim, lënë për të kuptuar se liria e qytetarëve të Kosovës, në veçanti e ushtarëve të UÇK-së, është e pasigurt. Andaj kërkojmë me ngulm që masa e paraburgimit të hiqet menjëherë.

Ne tani nuk mund të besojmë në këtë drejtësi, sepse ka kaluar në ndjekje politike dhe kjo na kujton të kaluarën e regjimit serb. Prandaj, bëjmë thirrje publike që për shkeljen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë të deklarohen aktorët kryesorë të vendit: Presidentja, kryetari i Kuvendit, kryeministri, ministri i Drejtësisë, kryeprokurori i Shtetit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe kryetari i Gjykatës Supreme, të cilët kanë përgjegjësi institucionale dhe politike para qytetarëve të vendit”, theksohet në reagimin e nënshkuar nga ish-Komanda e Brigadës 121 “Kumanova”.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit