1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Kërcimi i frikshëm i inflacionit

Më të lexuarat

Inflacioni i çmimeve të konsumit në Amerikë rritet deri në 4.2% Mungesat dhe pengesat nënkuptojnë se çmimet do të vazhdojnë të rriten. Por a do të zgjasë kjo?

 

Teksa ekonomia e Amerikës rimëkëmbet nga pandemia, e ndihmuar nga një stimul fiskal me vlerë disa trilionë dollarë, pyetja kryesore në mendjet e investitorëve është nëse dhe kur do të ngrihet inflacioni. Rezerva Federale është zotuar të tolerojë një periudhë të rritjes së çmimeve mbi objektivin, në mënyrë që ekonomia të gjallërohet, shkruan The Economist.

Kryetari Jerome Powell ka thënë se “as nuk po mendon” për rritjen e normave të interesit. Megjithatë, me çmimet e aseteve të mbështetura nga normat e ulëta të interesit, investitorët kanë qenë të shqetësuar, duke menduar se inflacioni i lartë mund të detyrojë Bankën Qendrore të hyjë në veprim.

Më pas erdhi një surprizë e madhe e inflacionit. Shifrat e publikuara më 12 maj treguan se indeksi i çmimeve të konsumit në Amerikë u rrit me 4.2% në bazë vjetore në prill, një normë që nuk është parë që nga viti 2008, dhe shumë më lart se niveli 3.6% që pritej nga parashikuesit. S&P 500, indeksi kryesor i tregut të aksioneve në Amerikë, ra me 2% atë ditë.

Deri tani, faktori më i madh që ka ndikuar në këtë përshpejtim, lidhet më tepër me të kaluarën, sesa me presionet e çmimeve të sotme, kryesisht nga rënia e çmimit të naftës vitin e kaluar. Megjithatë, pa marrë parasysh çmimet më të paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë elektrike, edhe rritja mujore ishte 0.9%, më e larta që nga vitet 1980. Të dhënat mujore nuk mund të tregojnë nëse inflacioni i lartë është afër. Por na tregojnë diçka për realitetet e rihapjes ekonomike.

 

 

Kërkesa po gjallërohet

Kërkesa e konsumatorit në ekonominë më të madhe në botë po gjallërohet. Çeqet e stimulit me vlerë deri në 1,400 dollarë u shpërndanë për shumë amerikanë gjatë vitit. Tani një fushatë e suksesshme e vaksinimit po i lejon ata të dalin dhe të shpenzojnë dhe masat kufizuese kanë filluar të lirohen. Sipas një gjurmuesi të përpiluar nga banka JPMorgan Chase, shpenzimet e kartave të kreditit u rritën nga e dhjeta e trendit para-pandemik, në thuajse deri në të njëjtin nivel deri në muajin maj.

Shpejtësia dhe natyra e rimëkëmbjes pas masave kufizuese duket se ka i kapur shumë firma të papërgatitura. Kompanitë nuk kanë pasur kaq të ngjarë të raportojnë vonesa në dërgesat e furnizuesve, që nga mesi i viteve 1970, sipas studimit të publikuar në mars nga banka Goldman Sachs. Inventarët e shitësve me pakicë, për sa u përket të ardhurave, kanë rënë në nivelet më të ulëta të të gjitha kohërave, duke treguar se dyqanet po shesin më tepër se ç’kanë mundësi të ofrojnë.

Shumë firma, sidomos ato më të voglat, kishin porositur furnizime të pamjaftueshme dhe tani po i rrisin ato në mënyrë të furishme. (Në të kundërt, inventarët e firmave të mëdha nuk kanë rënë, ose ngaqë ato ishin më të afta të parashikonin shpenzimet e ardhshme, ose sepse zinxhirët e tyre të furnizimit janë më të larmishëm.)

 

Rreziqet

Megjithatë, rritjet e kërkesës nuk mund të përmbushen menjëherë. Marrim për shembull furnizimet e importuara. Edhe në një kohë normale, duhet njëfarë kohe për të kënaqur kërkesat shtesë për dërgesat ndërkombëtare; një anije mund t’i duhen disa javë për të lundruar nga Kina në Amerikë. Komplikimi i shtuar në vitin 2021 është se firmat duhet të përballen gjithashtu me mungesat e kontejnerëve në disa porte. Disa kishin ngecur në vendin e gabuar gjatë valës së parë të karantinave.

Për më tepër, punonjësit nuk mund të punësohen brenda natës. Firmat po përpiqen të rekrutojnë staf të mjaftueshëm për të mbushur pozicionet bosh – ndoshta një arsye kryesore pse raporti i vendeve të punës për prillin, publikuar në 7 maj, tregoi se Amerika kishte shtuar vetëm 266,000 vende pune, shumë më pak se 1 milion që kishin pritur ekonomistët. Numri i pozicioneve bosh po arrin nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.

Po të kombinohen së bashku rritja e kërkesës dhe furnizimi i tensionuar, rezultati janë çmime më të larta. Makinat dhe kamionët e përdorur janë një shembull i mirë. Çmimet e tyre u rritën me një shifër prej 10% në prill, duke kontribuar në rritjen e papritur të inflacionit. Duke qenë se njerëzit janë ende nervozë nga fluturimet dhe transporti publik, më shumë dëshirojnë të udhëtojnë me makina private për të takuar të afërmit në pjesë të tjera të vendit, ose për të shkuar në punë. Por mungesa globale e çipave kompjuterikë gjithashtu ka kufizuar furnizimin me automjete të reja.

Të sigurta nga kërkesa e qëndrueshme, kompanitë e tjera gjithashtu mund të fillojnë të rrisin kostot për klientët. Kostoja e transportimit të artikujve nga Kina në Amerikë tani është tre herë më e lartë se sa para pandemisë dhe çmimet e inputeve u rritën në pranverë.

Çfarë mund të na tregojnë këto presione për inflacionin e ardhshëm? Në mënyrë që ai të mbetet i lartë, rritje të tilla të çmimeve duhet të vazhdojnë të përsëriten, duke rritur edhe pagat. Por faza e tanishme mund të konsiderohet në mënyrë të arsyeshme si e përkohshme, teksa furnizuesit përshtaten me ndryshimin e shijeve të konsumatorëve. Edhe kur ekonomitë u bllokuan në vitin 2020, firmat gjetën shpejt mënyra të reja për të rritur burimet dhe për të zbutur pengesat.

Megjithatë, ndërsa rimëkëmbja vazhdon, do të vijnë surpriza të tjera. Kombinimi i Departamentit të Thesarit mjaft bujar, një Rezerve Federale tolerante dhe një ekonomie në rihapje e sipër, e vë Amerikën në një territor të paeksploruar. Bëhuni gati për më shumë frikë nga inflacioni në muajt e ardhshëm./ Përktheu: Lira Muça

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit