Një ditë pasi deklaroi qëndrimin e tij lidhur me faktin se ushtria e Rusisë mbështet atë të Serbisë, mediat kosovare zbulojnë detaje rreth figurës së gjeneralit serb, Milan Mojsilovic. Mësohet se ushtaraku ka lindur në Mitrovicë, madje edhe ka marrë pjesë në luftën mes dy shteteve.
Shefi i Shtabit të Ushtrisë Serbe ka lindur në Mitrovicë, më 3 gusht 1967, ndërkohë që në krye të ushtrisë u emërua në shtator të 2018-ës. Mojsilovic ka marrë pjesë edhe në luftën e Serbisë me Kosovën. Ai me fillim të luftës është transferuar te Brigada 243 e Ushtrisë Jugosllave në Ferizaj.
Po ashtu ai luftoi edhe kundër Bosnjë e Hercegovinës dhe Kroacisë.
“Kemi përkrahjen nga zyrtarët e lartë ushtarakë rusë se si të veprojmë lidhur me çështjen e Kosovës. Natyrisht se jemi të interesuar për sigurinë e serbëve jo vetëm në veri të Kosovës, por në gjithë vendin”, tha Mojsilovic gjatë vizitës zyrtare në Moskë. Deklarata në fjalë solli reagime të mëdha.