4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kërcënimet që po minojnë sistemin – Selami Xhepa

Më të lexuarat

Kërcënimet që po minojnë sistemin

Selami Xhepa

Studiuesit kanë theksuar se sistemi socialist u shemb pasi humbi legjitimitetin e tij. Brezat pasardhës të komunistëve nuk besonin më tek idealet ideologjike që kishte ushqyer propaganda komuniste. Sakrificat e panumërta që kishin bërë brezat e hershëm nuk kishin prodhuar rezultatet që priteshin në termat ekonomikë. Në vend të mirëqenies, sistemi kishte prodhuar varfëri. Komunistët e rinj më shumë dëshironin të pasuroheshin duke flirtuar me tregun dhe korruptuar sistemin, sesa të mbeteshin besnikë të ideve komuniste.

Ky ishte mesazhi qendror i një artikulli të njohur të Viktor Nee, “Të flesh me armikun: një model dinamik i rënies së besimit të sistemit socialist” (1994). Komunizmi kishte dështuar pikërisht në tezën e tij kryesore ku pretendonte epërsinë mbi sistemin kapitalist: që pronësia shoqërore mbi mjetet e prodhimit do të siguronte një mirëqenie shoqërore shumë më të lartë se kapitalizmi.

Pas rënies së komunizmit, bota u fut në epokën e kapitalizmit global. Azia dhe Lindja e kontinentit tonë përqafuan tregun dhe u integruan në tregun botëror të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Ky ndryshim u shoqërua me zhvendosje të rëndësishme në alokimin e kapitalit botëror, kryesisht me emigrimin e tij nga vendet e pasura drejt ekonomive të vendeve në zhvillim.

Ky proces prodhoi, bashkë me avantazhet e një bote me inflacion mjaft të ulët dhe norma të ulëta të interesit, rritjen dhe thellimin e pabarazive në shkallë globale. Nga njëra anë pagat në vendet e zhvilluara ranë ndjeshëm, ndërkohë që fitimet kapitaliste u rritën në përmasa të pandeshura më parë. Rënia e pagave shpjegohet me emigrimin e vendeve të mirëpaguara të punës së industrive nga vendet e zhvilluara drejt vendeve në zhvillim. Këto vende pune u zëvendësuan me punësim jocilësor në sektorin e shërbimeve në vendet e pasura.

Nga ana tjetër, kapitalistët rritën fitimet e tyre duke përfituar nga kostot tepër të ulëta të fuqisë punëtore, rregullat mjedisore dhe ato të standardeve të punës shumë më të lehtësuara në vendet në zhvillim. Ky arbitrazh ligjor dhe ekonomik sigurisht që prodhoi më shumë eficiencë në sistemin e ekonomisë botërore, por ajo solli me vete dhe probleme serioze në shpërndarjen e të ardhurave të krijuara. Migrimi i kapitalit nga vendet e pasura drejt vendeve në zhvillim nuk është përkthyer në rritjen e të ardhurave të punës në këto vende.

Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Punës, ILO, një punëtor në 10% të vendeve më të varfra, siguron një të ardhur prej 374$ në vit (matur me Paritetin e Fuqisë Blerëse të vitit 2019), ndërsa një punëtor në 10% të vendeve më të pasura, siguron një të ardhur prej 98,383$. (Burimi: ILO modelled estimates (Nov. 2021), ILOSTAT).

Pabarazitë janë thelluar dhe brenda vendit. Për çdo 1 dollar të ardhur që merrte një punëtor amerikan, po të përdorim si shembull të dhënat e vitit 2018, shefi ekzekutiv i kompanisë fitonte 265$. Sipas të dhënave të Institutit të Politikave Ekonomike, raporti i kompensimeve të CEO-ve të korporatave me atë të një punëtori është rritur nga 22 me 1 në vitet 1960, në 351 me 1 në vitin 2022. Kompensimi i të ardhurave të CEO-s për periudhën 1978-2020 u rrit me 1,322% ndërsa kompensimi punëtorëve u rrit me vetëm 18%. (Burimi: https://www.epi.org/publication/ceo-pay-in-2020/).

Veçanërisht këto pabarazi janë tashmë të dukshme në tregjet financiare. Pabarazitë janë shkaku kryesor i rritjes së militantizmit të punëtorëve në Europë sot, rritjes së nacionalizmit ekonomik dhe një faktor me potencial të lartë destabilizues i kohezionit social. Trendi i sotëm që po vërejmë në ekonominë botërore është zhvendosja nga kapitalizmi global drejt nacionalizmit ekonomik, një prirje që mund të ketë pasoja serioze për paqen dhe sigurinë në botë. Demokracia liberale gjithashtu po vihet në rrezik nga nacionalizmat në rritje. Deficiti serioz i socializmit ishte eficienca; ai i kapitalizmit është drejtësia.

Edhe procesi i “slowbalization”, siç e quajnë disa studiues ngadalësimin e ritmeve të globalizimit që është shënuar që pas Covid 19 dhe i përshpejtuar veçanërisht pas nisjes së luftës në Ukrainë, dhe de-coupling i SHBA-së me Kinën, flasin për skenarin e një ekonomie me ineficienca dhe çmime të larta. Goditjet nga ana e ofertës tashmë kanë filluar për shkak të rritjes së kostove të prodhimit në gjithë zërat – kostot e lëndëve të para, ato të energjisë dhe kostove të punës. Bashkë me normat e larta të inflacionit dhe presionin për vazhdimin e rritjes së kostove, kanë bërë që normat e rritjes ekonomike të jenë shumë të ulëta, një rritje ekonomike stanjacioni.

Prej gati tre dekadash mjedisi dhe ndryshimet klimatike dominojnë debatin akademik dhe mbahen lart në agjendën e veprimit politik. Rreziqet e ndryshimeve klimatike tashmë janë të dukshme dhe nga një vit në tjetrin pasojat e saj po bëhen më rrënimtare. Rritja e temperaturave, përmbytjet dhe thatësira, biodiversiteti dhe rritja e niveleve të ujërave në zonat bregdetare dhe të ulëta, disponueshmëria e ujit të pijshëm dhe shfaqja e baktereve që kishin qenë të ngrira nën akullnaja për mijëvjeçarë, tani po shndërrohen në rreziqe sociale, ushqimore dhe shëndetësore për jetën në planetin tonë. Shkencëtarët kanë vlerësuar se që nga fillimi Revolucionit Industrial temperatura në tokë është rritur me 1.1 gradë Celsius, dhe nëse nuk veprohet me politika konkrete, ajo do të rritet frikshëm me 4 gradë Celsius deri në vitin 2100.

Kostot ekonomike të ndryshimeve mjedisore po rriten frikshëm. Për SHBA-në fatura e kostove të ndryshimeve klimatike për vitin 2021 u llogarit në 145 miliardë dollarë dhe vlerësohet të shkojë në 500 miliardë dollarë deri në fundin e këtij shekulli. Në vendet e BE-së vlerësohet se vlera e dëmit mjedisor për periudhë 1980-2021 ishte 560 miliardë euro; 55.6 miliardë euro ishte vetëm për vitin 2021. (Burimi:https://www.eea.europa.eu/ims/economic-losses-from-climate-related.)

Shqipëria gjithashtu është klasifikuar nga Banka Botërore si një vend me shkallë të lartë të ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe me kosto që po vijnë gjithnjë në rritje.

Për mbajtjen nën kontroll të rritjes së temperaturës në 1.5 gradë celsius, në Samitin e Kopenhagës (2007) u vendos që vendet e zhvilluara do të angazhonin financime shtesë për të mbështetur vendet në zhvillim, kryesisht Kinë, Indi, Afrikë e Jugut e Brazil (ndotësit më të mëdhenj) deri në 100 miliardë dollarë shtesë deri në vitin 2020 për financimin e tranzicionit energjetik drejt energjive të pastra.

Ky angazhim u përsërit dhe në Samitin e Parisit (2015), por në fakt ato arritën në rreth 83 miliardë dollarë, sipas vlerësimeve të OECD (2022), dhe madje shumë më pak sipas Oxfam. (burimi: https://www.brookings.edu/wp-content/uploads/2023/02/Chapter-12.-Financing-climate-change-mitigation-and-adaptation-in-developing-countries.pdf) Sipas këtij studimi, vlerësimet e nevojës për investime për arritjen e objektivit të mosrritjes së temperaturës mbi 1.5 gradë celsius, luhaten nga 2.8 trilionë dollarë në vit (IPCC, 2018), në 4.5 trilionë në vit (sipas McKinsey Global Institite, 2022).

Pyetja shqetësuese është: si do të financohet ky program masiv investimesh, kur situata e borxhit global është në vetvete një kërcënim serioz për stabilitetin e sistemit financiar botëror? Sipas vlerësimeve të nobelistit të ekonomisë së vitit 2018, prof. Nordhaus, arritja e objektivit të kontrollit të klimës kërkon që kostoja e 1 ton ndotje të emetuar të jetë 200$ për ton, ndërkohë që sot është vetëm 2$/ton!

Siç u provua gjatë nisjes së konfliktit në Ukrainë, rritjes së çmimit të energjisë vendet iu përgjigjën duke ulur taksat; ndërkohë që kërkohet rritja masive e tyre. Nëse financimi nuk realizohet përmes rritjes së taksave apo çmimit të emetimit të ndotësve në atmosferë që indirekt paguhen nga konsumatorët përmes çmimeve të larta të produkteve finale, alternativa mbetet financimi përmes investimeve buxhetore të siguruara nga rritja e borxheve publike.

Borxhi publik global deri në vitin 2007 – vit i Recesionit të Madh – ishte 70% e GDP; pas krizës financiare të vitit 2007 dhe pandemisë së Covid 19 gjatë vitit 2020, borxhi publik në shkallë globale arriti në 124% të GDP. Në tërësi, borxhi publik dhe privat në fund të tremujorit të parë të vitit 2023 arriti në 305 trilionë dollarë. Një nivel i tillë i borxhit përbën një kërcënim serioz për stabilitetin e sistemit financiar.

Rritja e normave të interesit me synim frenimin e inflacionit bëri që borxhi të rritet me 8.3 trilionë dollarë në tremujorin e parë të vitit. Adresimi që bota i bëri krizës financiare dhe Covid 19 përmes rritjes masive të borxhit, e bëri sistemin financiar më të brishtë. Në adresimin e krizës financiare të vitit 2007, bankat qendrore pompuan në sistemin financiar global më shumë se 30 trilionë dollarë, të cilat u kanalizuan përmes sistemit financiar në blerjen e borxheve të qeverive, gjë që ruante (artificialisht) çmime të larta të bonove të thesarit të qeverive. Për pasojë, kriza financiare nuk mund të konsiderohet se u zgjidh; ajo thjesht u shty në kohë. Falimentimet e bankave në SHBA (Silicon Valley Bank (svb), First Republic dhe Signature Bank) dhe në Europë, gjatë muajve të fundit, ishin vazhdim i krizës së mëparshme, por kësaj radhe jo si pasojë e investimeve të gabuara dhe rendjes për norma të larta fitimi, por një portofoli investimesh të dominuara nga letrat me vlerë të borxheve të qeverive, çmimi i të cilave ra ndjeshëm për shkak të rritjes së normave të interesit (Normat e interesit qëndrojnë në lidhje të zhdrejtë me çmimin e letrave me vlerë).

Rënia e çmimit të letrave me vlerë të borxhit të qeverive, aseti më i sigurt ku investojnë bankat dhe tregu financiar në tërësi, prodhuan humbje serioze për bankat që i çuan në falimentim. Në një zhvillim të padëgjuar kurrë më parë, rënia e çmimit të letrave me vlerë të borxhit të qeverisë që nga shtatori 2022 prodhoi një humbje prej 42 miliardë dollarësh për bankën qendrore më të madhe të botës, Sistemin e Rezervës Federale, banka qendrore e SHBA-së. Duket se kemi hyrë në një rrugë pa zgjidhje: shpëtuam sistemin financiar përmes emetimit të likuiditetit në përmasa të papara, të cilat u kanalizuan në rritjen e borxheve publike dhe vendosjen e tyre në bilancet e sistemit financiar, i cili sot është marrë peng pikërisht nga këto politika.

Edhe pse kemi një kontekst të tillë kërcënues të borxheve, po diskutohet gjerësisht që bankat qendrore të financojnë edhe tranzicionin energjetik drejt energjive të pastra me qëllim arritjen e objektivave të klimës. Ide të tilla socialiste përbëjnë një devijim serioz të bankave qendrore nga mandati i tyre që është garantimi stabilitetit të çmimeve. Zgjerimi monetar përmes emetimit të letrave me vlerë të borxheve qoftë të qeverive, apo të vetë bankave qendrore, do të kërcënonte dhe më shumë një falimentim masiv të tyre me pasoja financiare dhe sociale të paimagjinueshme, ndërsa një financim përmes emetimit të parasë së re, do të prodhonte një skenar të një rritje të inflacionit në nivele të pamenaxhueshme.

Secili skenar i përfshirjes së bankave qendrore në biznesin e financimit të programeve të klimës, duket frikësues.

Demografia dhe teknologjia gjithashtu po krijojnë sfida të paprecedenta për njerëzimin. Plakja e popullsisë që buron si nga rënia e lindjeve, ashtu dhe nga rritja e jetëgjatësisë, po e bëjnë të paqëndrueshme financiarisht skemën e pensioneve të financuar përmes kontributeve. Skemat e pensioneve ishin dizenjuar në një epokë ku rritja e popullsisë ushqente një treg pune shumë dinamik dhe, bashkë me rritjen ekonomike, ofronin mundësi për mbështetje bujare për pensionistët, pa rrezikuar qëndrueshmërinë financiare të fondeve të pensioneve.

Edhe në Shqipëri në vitet ‘60-‘80 të shekullit të kaluar kishte mesatarisht 3.5 kontribuues për një pensionist. Sot ky raport është gati 1:1, ku një punëtor duhet të nxjerrë pagën e tij dhe pagën e një pensionisti. Prognozat janë një përkeqësim i mëtejshëm i këtyre parametrave, prandaj dhe reformat parametrike, rritja e moshës së pensionit dhe e normës së kontributeve nuk janë në gjendje ta përmirësojnë pozicionin financiar të fondit të pensioneve. Po ashtu presioni demografik mbi burimet ekonomike po rritet duke vënë në dyshim qëndrueshmërinë e tyre për brezat e ardhshëm.

Me një popullsi që tashmë e kaloi shifrën 8 miliardë, dhe një tkurrje të tokës bujqësore për shkak të ndryshimeve klimatike, siguria ushqimore është bërë një objektiv politik strategjik. Shumë vende, veçanërisht pas pandemisë së Covid 19, po i rikthehen politikave ushqimore të vetmjaftueshmërisë. Përparimet e teknologjisë kanë qenë shpëtimtare për njerëzimin duke ndikuar në një rritje të lartë të produktivitetit, që është themeli i progresit material të shoqërisë. Nga ana tjetër, një rrezik serioz që ajo po krijon sot është papunësia teknologjike, një fenomen për të cilën Keynesi kishte shkruar që në vitin 1936. Por me inteligjencën artificiale (AI) rreziqet janë shumëfishuar. Zëvendësimi i punës së njeriut me makinat jo thjesht për operacionet e prodhimit, por edhe për profesionet kritike dhe aktivitetet intelektuale, mund të bëjnë që të kalojmë nga taksimi punës tek taksimi algoritmeve.

Së fundmi, një diskutim serioz duhet të zhvillohet mbi modelin e funksionimit të tregjeve financiare dhe modelin tradicional bankar. Krizat financiare, gjithnjë e më të shpeshta dhe me kosto në rritje për shoqërinë, janë dëshmi se modeli i sotëm financiar ka nevojë për një ndryshim revolucionar. Reformat e derisotme kanë qenë një përpjekje për të riparuar sistemin aktual, duke forcuar kërkesat për kapital dhe përsosur standardet e mbikëqyrjes.

Por fakti është se nga Basel I tek Basel III, krizat nuk janë parandaluar. Socializimi i humbjeve, sa herë ka dështime dhe rrezik falimentimi të bankave, dhe privatizimi i fitimeve që burojnë nga riskmarrjet eksesive, e kanë bërë modelin e bankingut sot të paqëndrueshëm dhe të papranueshëm nga shoqëria. Por individët nuk janë të lirë të zgjedhin.

Bankat kanë një monopol kritik që është sistemi pagesave. Individët nuk mund të menxhojnë të ardhurat dhe kursimet e tyre, përveçse përmes sistemit bankar ku ne kryejmë transaksionet e përditshme. Edhe qytetarët që nuk duan të riskojnë të ardhurat e tyre pasi nuk e përdorin paranë si mjet investimi, nuk kanë alternativë tjetër (përveç dyshekut). Në epokën e parasë digjitale, alternativat për ta reformuar rolin e bankave duke ia hequr këtë monopol janë plotësisht të mundshme.

Nëse bankat qendrore mund të hapin një llogari digjitale për çdo individ (duke krijuar ato që njihen si portofola digjitale – praktika e emetimit të parasë digjitale nga bankat qendrore tashmë po përhapen ndjeshëm), atëherë individët do të transferonin të ardhurat e tyre pranë këtyre llogarive bankare që do të ishin tërësisht të sigurta dhe me risk zero falimentimi.

Çdo transaksion pagesash në ekonomi mund të kryhej përmes këtyre llogarive që janë të disponueshme për individët dhe subjektet ekonomike. Gjithkush do të kishte lirinë e vendimmarrjes të zgjidhte se sa pjesë të të ardhurave apo të kursimeve dëshiron t’i ketë të sigurta (kuptohet me interes zero) dhe t’i depozitojë në këto llogari, dhe sa dëshiron t’i riskojë duke i investuar në sistemin bankar apo financiar në çfarëdo instrumenti që do dëshironte. Atëherë asnjë bankë nuk do të ishte “too big to fail” pasi qytetarët kanë lirinë të zgjedhin midis riskut dhe sigurisë.

Falimentimi bankave nuk do të ishte i ndryshëm nga falimenti i çdo biznesi tjetër të gabuar; krizat financiare, siç i njohim ne sot, do të arkivoheshin në histori. Ka dhe alternativa të tjera të reformimit të sistemit aktual bankar të njohur si “fractional reserve banking” (ku vetëm një fraksion – kryesisht 10% – i depozitave mbahet rezervë dhe pjesa tjetër shkon në kreditim të ekonomisë), por mesa duket lobimi nga lordët e tregjeve financiare e pengojnë një reformë të vërtetë pasi ata humbasin pozitën e tyre monopol mbi paranë e publikut.

Të gjitha rreziqet e trajtuara shkurtimisht në këtë shkrim, përbëjnë kërcënime serioze të sistemit tonë ekonomik, politik e shoqëror. Nëse nuk ndërmarrim politika të guximshme dhe afatgjata, ndryshimet klimatike dhe valët e emigracionit, teknologjia dhe demografia, krizat financiare dhe të shëndetit, pabarazitë në rritje brenda vendeve dhe midis vendeve, etj., do të minojnë legjitimin e sistemit tonë politik duke rrezikuar ta shtyjnë njerëzimin drejt periudhave të errëta të historisë.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit