Kjo është një deklaratë falimentimi nga autoriteti më i lartë- në kuptimin e vërtetë të fjalës.
Në programin televiziv të ARD “Historia e parë”, ministri i Financave në Greqi, Yanis Varoufakis pranon atë që politikanët gjermanë e kanë mohuar vazhdimisht: “Greqia nuk do e shlyejë kurrë borxhin e saj”, tha ai në një intervistë të bërë në verën e vitit 2014 dhe të transmetuar tani.
Politikani e quan vendin e tij “si më të paaftin ndër të gjitha shtetet për të paguar borxhet”.
E thënë qartë: ministri i Financave në Greqi po u thotë shikuesve gjermanë në fytyrë, që miliardat e tyre kanë humbur. Jo vetëm kaq, por ai ofendon politikanët gjermanë dhe europianë, që kanë miratuar programin e ndihmës për Greqinë.
“Njerëzit e zgjuar në Bruksel, Frankfurt apo Berlin e dinin mirë që në maj të vitit 2010 se Greqia nuk do i paguante kurrë borxhet. Por e bënë këtë, sikur Greqia të mos ishte e falimentuar, por të kishte para të mjaftueshme”.
Ministri i Financave thotë se Greqia është e falimentuar dhe sulmon të gjithë politikanët, që kanë miratuar paketën e shpëtimit.
“Në këto kushte, t’i japësh shtetit më të paaftë për të shlyer detyrimet, kredinë më të madhe në histori, ky është krim kundër njerëzimit”.
Krim kundër njerëzimit? Kështu quhen zakonisht krimet e rënda të luftës si përdorimi i armëve kimike, gjenocidi./Bild