18.4 C
Pristina
Wednesday, July 3, 2024

Kënga dhe muzika në Islam

Më të lexuarat

Argumentet nga Kurani dhe Suneti janë të qarta në ndalimin e këngës dhe muzikës, po ashtu edhe fjalët e sahabëve, të tabiinëve dhe të dijetarëve të Sunetit tregojnë për ndalimin e këtyre gjërave që do t’i cekim më poshtë.

Argumentet nga Kurani

1. Allahu i Lartësuar thotë: “(Zoti) Tha (Iblisit): “Shko, e kush prej tyre
vjen pas teje, shpërblimi juaj është xhehenemi, shpërblim i plotë”. Dhe me atë alarmin e zërit tënd, mashtroje atë që mundesh prej tyre, me kalorësit e këmbësorët tu thirri (bërtitu) ata, përzieju me ta në pasuri dhe në fëmijë dhe premtoju atyre, po shejtani nuk u premton tjetër, përveç mashtrim.” (El Isra, 63-64)

Muxhahidi, ndër komentuesit më të mëdhenj më të mëdhenj të Kuranit ka thënë: “Ka thënë ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se me zërin e shejtanit ka për qëllim këngën dhe fyellin dhe veglat e tjera muzikore.”
Dahaki ka thënë: “Zëri i shejtanit i përmendur në këtë ajet ka për qëllim zërin e fyellit dhe të daulles.”

2. Allahu i Lartësuar thotë: “Po ka nga njerëzit që blenë tregime boshe e
më qëllim që t’i largojnë njerëzit prej rrugës së Allahut.” (Llukman: 6)
Ka thënë Muxhahidi (për të cilin kanë thënë se nëse të vjen komenti i Muxhahidit për ndonjë ajet, të mjafton): “Ky ajet ka për qëllim fjalët boshe dhe dëgjimin e këngës dhe të gjërave të tjera të ngjashme me të.”
Dhe ka thënë: “Është betuar Abdullah Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, duke thënë: “Pasha Allahun, që nuk e meriton adhurimin askush përveç Tij (tri herë është betuar kështu), ky ajet “që blenë tregime boshe” ka për qëllim këngën.”

3. Allahu i Lartësuar thotë: “A prej këtij ligjërimi (Kurani) po çuditeni? E po qeshni dhe nuk po qani? Duke humbur jetën tuaj (të çmuar) në lojë e dëfrim (në kotësi, muzikë etj)?” (En-nexhm, 59-61)
Akreme ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Es-semud” (lojë e dëfrim) është kënga në gjuhën e popullit Himjer, që është një prej fiseve arabe. Ka thënë ibn Abasi: “Ata thonë “Esmidi ja Fulane”, që nënkupton “këndo për ne”.

Akreme në komentin e këtij ajeti ka thënë: “Kur jobesimtarët dëgjonin Kuranin, fillonin të këndonin me qëllim që t’i largonin njerëzit nga dëgjimi i Kuranit me këngë dhe për këtë shkak ka zbritur ky ajet.”

Argumentet nga hadithet e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem

1. Transmeton Ebu Malik el Eshari, Allahu qoftë i kënaqur me të, se e ka dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem duke thënë:
“Do të ketë prej umetit tim një popull që do ta lejojnë amoralitetin, mëndafshin, alkoolin dhe muzikën.” (Buhariu, nr. 5590)
Shejh Ebu Bekër El Xhezairi ka thënë: “Ky hadith tregon qartë se muzika është haram. Edhe sikur mos të kishte ardhur asnjë hadith tjetër ose ajet për ndalesën e muzikës do të mjaftonte ky hadith për ndalimin e muzikës e në veçanti për këngët në kohën e sotme, fjalët e të cilave janë të shëmtuara, përcillen me piano të ndryshme, kitare, tupanë, fyell, etj., të cilat e hijeshojnë këngën, po ashtu edhe me zëra të ndryshëm.” (Hukmul Islam fil Musika uel Gina f.27)
Shejh Albani, Allahu e mëshiroftë, kur e sqaron këtë hadith, thotë: “Ndalimi i muzikës në këtë hadith tregohet në dy fjalë:

1) Thënia e Pejgamberit salallahu alejhi ue selem: “Do të ketë prej umetit tim një popull që do ta lejojnë”,kjo fjalë është e qartë se këto gjëra që janë të përmendura në hadith, në mesin e tyre edhe veglat muzikore, janë të ndaluara dhe do të vijë një popull dhe do t’i bëjë hallall (të lejuara) ato.

2) Krahasimi i muzikës me gjërat që të gjithë dijetarët thonë se janë haram, si: imoraliteti (zinaja) dhe alkooli. Edhe sikur mos të ishte haram muzika, nuk do të ishte krahasuar me zinanë dhe alkoolin.
Pastaj ka thënë: “Dhe mos u mashtro o ti lexues i nderuar nga ajo që dëgjon nga disa persona të njohur dhe të afirmuar, të cilët i lejojnë veglat muzikore, sepse ata pasha Allahun japin fetva (përgjigje) duke i pasuar të tjerët dhe me fetatë e tyre janë duke ndihmuar epshet e njerëzve. Për këtë shkak ki kujdes o ti musliman dhe njihe Islamin tënd nga Kurani dhe Suneti i Pejgamberit salallahu alejhi ue selem dhe mos thuaj se ka thënë filani, sepse e vërteta nuk njihet nga personat. Duhet ta dish të vërtetën dhe pastaj t’i njohësh personat që e ndjekin të vërtetën.” (Silsile Sahiha 1/144)

2. Transmeton Ibn Ebi Ed-Dunja nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Do të ketë në këtë umet nënçmime, shpifje dhe shëmtim dhe kjo do të ndodhë kur të pinë verë, të luajnë me këngëtare dhe të luajnë me këngë-muzikë (el-meazif).” (Termidhiu. Shejh Albani ka thënë se hadithi është sahih, shih Sahil el xhami es-sagir nr. 5467)

3. Transmeton Abullah ibn Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar umetit tim alkoolin, bixhozin, birrën, tarabukun dhe lahutën.” (Taberaniu dhe Bejhakiu, kurse shejh Albani ka thënë se hadithi është shih. Shih Sahil El Xhami 1747) (Komenti i këtij hadithi është mar nga Ebu Bekër el Xhezairi në librin e tij “Risaletu shejh El Xhezairi f.28).

 

Thëniet e dijetarëve të selefit dhe të atyre bashkëkohorë

Ebu Bekër Es-Sidiku, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kënga dhe veglat muzikore janë fyell i shejtanit.”
Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Kënga mbin nifakun (hipokrizinë) në zemrën e njeriut.”
Kasim Ibn Muhamedi ka thënë: “Kënga është send pa vlerë dhe çdo send pa vlerë e ka vendin në zjarr.”
Omer ibn Abdul Azizi ka thënë: “Fillimi i këngës është nga shejtani, kurse fundi i saj është hidhërimi i Mëshiruesit.”
Malik ibn Enesi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Këngën tek ne e bëjnë vetëm fasikët.”
Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Muzika është dëfrim i urryer, i përngjan sendeve pa vlerë dhe mashtrimit e gënjeshtrave.”
Imam Ahmed ibn Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kënga mbjell nifakun (hipokrizinë) në zemër dhe për këtë shkak nuk e dua.”
Dijetarët e medhhebit hanefi, Allahu i mëshiroftë të gjithë, kanë thënë: “Dëgjimi i muzikës është mëkat, kurse nëse njeriu knaqet me të është kufër.”
Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kënga është ë ndaluar me Kuran dhe Sunet.”
Ibn Salahu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Këngët me vegla muzikore janë të ndaluara sipas ixhmasë së dijetarëve.”

Shejh Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dëgjimi i muzikës dhe i këngëve është haram dhe nuk ka dyshim në ndalimin e tyre. Dhe ka thënie të selefëve prej sahabëve dhe tabiinëve se kënga mbjell nifakun (hipokrizinë) në zemër.” Pastaj, pasi sjell argumentet e ndalimit, thotë: “Dhe pas kësaj, unë i këshilloj vëllezërit e mi musliman që të kenë kujdes dhe mos të dëgjojnë këngë dhe muzikë dhe mos të mashtrohen duke thënë se ka prej dijetarëve të cilët e lejojnë muzikën sepse argumentet e ndalimit të muzikës janë të qarta.” (Esiletul Muhime f.21)

Shejh Bin Bazi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dëgjimi i muzikës është haram dhe i urryer dhe është prej shkaqeve të sëmundjes së zemrave, hipokrizisë së zemrave dhe ndalimit të zemrës nga përkujtimi i Allahut dhe nga namazi.”
Dhe ka thënë: “Dhe muzika është prej mëkateve të mëdha dhe meazif përfshin këngët dhe instrumentet muzikore. Për këtë temë ka ajete dhe hadithe të tjera krahas atyre që i përmendëm, të cilat i ka përmendur Ibn Kajimi në librin e tij “Igathetul-Lehfan min mekaidish-shejtan.”

Si dhe: “Kurse dëgjimi i muzikës pa qëllim dhe duke mos ia kushtuar vëmendjen, si p.sh nëse e dëgjon muzikën teksa je duke ecur në rrugë, në dyqane, veturë (autobus, kombi etj), ose nëse dikujt i vjen zëri i muzikës në shtëpinë e tij nga fqinjët e tij duke mos i kushtuar vëmendje muzikës, atëherë ky peron nuk ka mëkat dhe e ka për obligim t’i këshillojë dhe të ndalojë me urtësi dhe t’i largojë njerëzit nga ky haram aq sa ka mundësi, sepse Allahu nuk e obligon njeriun përveçse sa mundet.” (Fetva Islamije 3/290)

Përktheu: Eroll Nesimi
8.3.2009

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit