0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Këndvështrimi Islam mbi familjen

Më të lexuarat

Romeo Ismahilaj

 

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Lavdërimet dhe falenderimet e pafundme i takojnë Allahut, Krijuesit të pashoq i Cili është i Dashur dhe i Drejtë me krijesat e Tij. Paqa dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi krijesën më të nderuar dhe më të lartë të Tij, profetin Muhamed, familjen e Tij, shokët e tij dhe mbi gjithë njerëzit e mirë që ka pasur e do ketë kjo botë.

1. Realitet i hidhur, por edhe më shumë mundësi për të shpresuar…

– Ne jemi krijesat të cilat në brendësinë tonë mbartim dhimbjet e shumë shekujve të kaluar për shkak të padrejtësisë që i është bërë gjinisë njerëzore e njëkohësisht na shoqëron ndjenja e brengës kur e mendojmë fatin e së ardhmes. Përpos kësaj premise skeptike me ne bashkëjeton edhe forca e shpresës se një ditë do e arrijmë paqen e brendshme dhe harmoninë sociale.

Në momentet kur segmente të ndryshme të bashkësisë njerëzore hasin probleme të niveleve të larta e komplekse atëherë çdonjëri prej nesh i drejton sytë tek faktorët prej të cilëve besohet se problemet do zgjidhen dhe dhimbja do kthehet në aspiratë. E kaluara historike por edhe shumë modele aktuale na tregojnë se feja ka një rol kyç në zgjidhjen e problemeve sociale dhe krijimin e kohezionit i cili e garanton harmoninë e mirëqenien midis njerëzve.

Problemet dhe sfidat me të cilat përballet sot familja në përgjithësi dhe familja shqiptare në veçanti, burojnë nga karakteri i civilizimit të sotëm dhe ndikimi i tij në institucionin e familjes. Zhvillimi i lartë i teknologjisë dhe mjeteve masive të komunikimit ndikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndërnjerëzore, duke e futur shoqërinë në një sfidë serioze përsa i përket përkufizimeve të mënyrës së jetesës dhe menaxhimit të jetës shpirtërore. Kështu, edhe pse shumica e njerëzve nëpër botë janë besimtarë, feja u shndërrua në element të dorës së dytë për nga roli dhe rëndësia. Në këtë mënyrë vetë ne e privuam veten prej dobisë dhe vlerave të pazëvendësueshme që feja i posedon për ta orientuar individin, familjen dhe shoqërinë drejt integritetit dhe stabilitetit të synuar.

Në mënyrë që sëmundjeve të familjeve të ashtuquajtura moderne t’u gjendet ilaçi i duhur dhe që shoqëria të mos i përjetojë të njëjtat probleme në të nesërmen e afërt, e kemi të domosdoshme të kuptojmë burimin e problemeve aktuale dhe qëllimin e mesazheve hyjnore.

Ne besojmë se Islami – si fe universale me burim hyjnor dhe me karakterin e një marrëdhënie të drejtëpërdrejtë mes njeriut dhe Zotit – posedon forcën dhe metodologjinë për t’i ndriçuar rrugën të gjitha familjeve, ashtu si ka dëshmuar në të kaluarën historike, por edhe në ditët e sotme, ku kategori të ndryshme sociale e kanë kuptuar drejt këtë fe hyjnore, duke i zbatuar ashtu si duhet porositë e saj.

2. Koncepti Islam mbi familjen

Qëllimi i kësaj teme është nxjerrja në pah e besimit fetar si faktor i rregullimit të familjes dhe të konsolidimit të saj, së pari e kemi të nevojshme t’i kthehemi një çështjeje me rëndësi themelore: si e koncepton Islami familjen dhe çfarë rëndësie i jep asaj. Aftësia e Islamit si sistem vlerash, moralesh, normash juridike dhe mbi të gjitha si një mënyrë e veçantë e përgjegjësisë hyjnore, në sfidën për të ndikuar pozitivisht tek familja, përcaktohet nga vetë mënyra se si Islami e përkufizon këtë institucion dhe çfarë vlerash kultivon tek ajo. Profeti Muhamed (s.a.v.s.) ka thënë: “Të gjithë ju jeni barinj dhe secili është përgjegjës për tufën e tij. Mëkëmbësi është bari, burri në familjen e tij është bari, gruaja është bareshë në shtëpinë e burrit të saj dhe rojtare e fëmijëve. Pra, të gjithë ju jeni barinj dhe se­cili është përgjegjës për tufën e tij”. (Muttefekun alejhi).

Në perceptimet dhe konceptimet e filozofive, por edhe shoqërive të lashta, të qenit bari simbolizonte institucionin më të lartë sundues të bashkësive njerëzore, i cili përtej privilegjit të postit si funksionari më i lartë, mbartte në përgjegjësinë e tij barrën e të gjitha aspekteve të jetës duke nisur që prej nevojave materiale dhe ekonomike të jetesës deri tek jeta e organizuar në bazë normash e parimesh, si dhe kohezioni i qëndrimeve etike.

Duke e parë si amanet ndaj Zotit të gjithësisë, si një çështje të rëndësisë së madhe për të cilën do japim llogari para Zotit, atëherë një bindje e patundur kundrejt kësaj llogari-dhënie do e shndërronte angazhimin tonë në investim maksimal për kultivimin e sjelljeve bamirëse, të moralshme e tejet humane, të cilat do jenë shkëndijat e para për të ndriçuar errësirat e problemeve familjare. Besimtarët përkujdesen, që marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të familjes, si dhe përkujdesja për edukimin e zgjidhjen e problemeve të tyre të jetë sa më e shëndetshme, në mënyrë që të arrihet kohezioni dhe ekuilibrimi i familjes.

Ai element tek i cili ne shpresojmë vazhdimisht dhe që na bën të jemi vazhdimisht të vëmendshëm përsa i përket perspektivës së familjes, është fakti se: në zemrat dhe damarët tanë ekziston bindja, që përpjekja jonë për të zgjidhur problemet familjare dhe për të mbjellë dashurinë brenda saj, si faktori i çdo stabiliteti shoqëror, lidhet me mbikëqyrjen dhe mbështetjen e pakufizuar e të pashtershme të Zotit të gjithësisë, sikundërse neglizhimi i kësaj sfere sanksionohet po nga Zoti. Vetë Krijuesi ynë na paralajmëron e na këshillon në lidhje me këtë çështje, kur thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri…” (Tahrim – 6.)

3. Rëndësia e marrëdhënieve familjare dhe edukimit

Islami vazhdimisht potencon në këshillat dhe ftesën për përmirësim dhe konsolidim sa më të madh të marrëdhënieve me familjen dhe brenda familjes. Profeti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “Prej të hollave që i ke shpenzuar në rrugë të All-llahut, prej të hollave që i ke shpenzuar për lirimin e robërve, prej të hollave që i ke dhënë për të varfërit dhe prej të hollave që i ke shpenzuar për fa­miljen tënde, shpërblimi më i madh është për ato që i ke shpenzuar për familjen tënde”. (Muslimi). Nëse shoqërinë e shohim si një trup të vetëm atëherë familja në bazë të këtij hadithi merr rolin e një organi jetësor siç mund të jetë zemra ose mushkëria. Pra profeti a.s investimin e çdonjërit prej nesh tek familja e ka ngritur në nivelet më të larta të rëndësisë dhe vlerave.

Në një tjetër thënie profeti Muhamed a.s. thotë: “Nuk është prej nesh ai i cili nuk ka mëshirë ndaj fëmijëve, e as ai i cili nuk i respekton pleqtë.”

“ Gjithandej nëpër botë religjioni (dhe kultura) mësonte krejtësisht të kundërtën. Po s’pati frymë njerëzore, plaku është krijesa më e tepërt në botë. As religjioni, as civilizimi s’mund të kenë qëndrim tjetër. Është fjala për shkallën e vlerave.” (Islami midis Lindjes dhe Perëndimit, Alija Iztebegoviq)

Roli i femrës në Islam

Ndërsa përsa i përket rolit të gruas në familje Islami e ka ngritur atë në gradat më të larta të vlerave dhe repektimit duke i dhënë prioritet si nga aspekti moral edhe nga normatizimi juridik. Profeti Muhamed s.a.v.s. ka thënë: “Më i ploti besimtar me iman është ai që është më i mirë në moral kurse më të sjellshmit prej jush janë ata që janë më të sjellshëm ndaj grave të tyre”. (Tirmidhiu thotë: hadith hasen sahih).

Ashtu si fetë hyjnore në përgjithësi edhe Islami e shenjtëron femrën brenda kufijve njerëzorë për shkak të rolit të saj qënësor në edukimin e brezave. Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Kush ka tre (ose dy ose një) vajza ose motra, i trajton mirë dhe nuk preferon djemtë më shumë se ata dhe i edukon mirë, Allahu do t’i bëjë ato mburojë nga zjarri dhe do t’i dërgojë në parajsë” (Ibn Maxhe, Tirmidhiu, Ebu Davudi).

Ndërsa tek marrëdhënia e fëmijës me prindërit Zoti na drejtohet nëpërmjet Kur’anit Fisnik me fjalët : Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (El-Isra; 23-24). Kurse profeti Muhamed na mëson se “Parajsa është nën këmbët e nënës”. Në aspektin e vlerave morale Islami edhe më tej orienton drejt një ekulibrimi sa më të përkryer të marrëdhënieve njerëzore.

· Marrëdhënia bashkëshortore

Një prej apekteve të cilat Islami e kuron në mënyrën më të mirë dhe i jep familjes garanci për suksesin në sfidat e saj është edhe marrëdhënia bashkëshortore, raport ky shumë problematik në aktualitetin tonë prej të cilit burojnë probleme rrënjësore deri edhe në shpërbërje të familjeve. Islami lidhjen bashkëshortore e ka shenjtëruar dhe e ka rregulluar me ligje të përsosura duke i dhënë prioritet dobisë së familjes e shoqërisë. Zoti ynë thotë në Kur’an : “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë.” (Rrum – 21). Ndërsa profeti Muhamed a.s. na mësoi se “kur burri dhe gruaja e shohin në sy njëri-tjetrin me dashuri, Zoti i sheh ata me mëshirë.”

Reflektim…

Në fund po e mbyll me këshillat e një njeriu të urtë drejtuar djalit të vet të cilat Zoti na i tregon në Kur’an. Tek to në mësojmë fillesën dhe fundin e një fryme dhe metode edukuese e cila gjeneron familje solide e të harmonizuara:

“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”.

Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.

“O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë.

O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve!

Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!

Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”! (Llukman; 14-19)

Islami në sferën e e çdo marrëdhenie njerëzore përcakton paraprijëse njëherazi edhe shoqëruese marrëdhënien me Zotin dhe përgjegjësinë ndaj Tij. Prandaj kundrejt mjeteve të tjera për t’i përmirësuar problemet e familjes dhe rolit të saj, le t’i kthehemi fillimisht e në mënyrë të vazhdueshme marrëdhënies me Zotin.

Nëse veprat dhe qëndrimet tona do jenë në përputhje me atë të cilën na porosit Zoti, më pas edhe familjet, institucionet edhe shtetet do e përmirësojnë rolin e tyre dhe do i shërbejnë dobisë së njeriut.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit