Kryetari i Shtetit të Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev, nënshkroi të premten një dekret, që mundëson tranzicionin e vendit nga alfabeti cirilik në atë me bazë romake…
Sipas dekretit të Presidentit Nazarbayev, Astana do të ngrejë një komision për kalimin e alfabetit kazak në të shkruarën me germa romake deri në vitin 2025.
Nazarbayev deklaroi më 12 prill të këtij viti se deri në 2025-n Kazakistani do të fillojë botimin e metodikës së punës, periodikëve, teksteve shkollore dhe çdo gjëje tjetër në alfabetin romak.
Ai shtoi se Kazakistani më parë ka përdorur një alfabet romak nga viti 1929 deri më 1940, por më vonë e ka zëvendësuar atë me një cirilik me bazë ruse.
Në një fjalim rreth 1 vit më parë, Nursultan Nazarbayev shprehej i bindur se kalimi në një alfabet të ri do ta bënte më të lehtë mësimin e gjuhës kazake, një dialekt turkofon.
Ai siguroi se tranzicioni nuk do të ndikojë në të drejtat e rusishtfolësve, rusishtes dhe gjuhëve të tjera duke shtuar se “përdorimi i gjuhës ruse me alfabetin cirilik mbetet i pandryshuar dhe do të vazhdojë të funksionojë”.
Më parë, alfabetin latin kanë filluar ta përdorin gjithashtu Azerbajxhani, Moldavia, Turkmenia dhe Uzbekistani, ish-anëtare të Bashkimit të Republikave Sovjetike Socialiste (BRSS). Në Uzbekistan, edhe pse zyrtarisht është kaluar në alfabetin latin, gjerësisht i përdorur është edhe ai cirilik.
Kurse në Kirgizi dhe Taxhikistan, gjithashtu ish-republika të BRSS-së, alfabeti cirilik vazhdon të përdoret ende zyrtarisht sot e kësaj dite.