-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Katër raste të kafshimeve nga gjarpërinjtë dhe 160 të pickuar nga rriqrat

Më të lexuarat

Një person është infektuar me ethe hemorragjike gjatë këtij viti, përderisa janë shënuar më shumë se 160 raste të pickimeve nga rriqrat, si burim kryesor i infeksioneve me këto ethe.

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, drejtori Hamdi Ramadani tha se Prishtina këtë vit prin me numrin e të pickuarve nga rriqrat.

“Numri i paraqitjes së pacientëve në Klinikën Infektive nga pickimi prej rriqrave, ka qenë i madh. Mbi 164 raste janë lajmëruar dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Me 128 raste prin Prishtina, derisa rastet tjerat janë nga të gjitha komunat e Kosovës”.

“Nga këta pacientë, janë hospitalizuar dy persona, derisa njëri ka qenë i dyshimtë me ethe hemorragjike pas analizave laboratorike. Por, falë kujdesit, gjendja e tij shëndetësore po shënon përmirësim”, tha Ramadani.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, kanë thënë se po përcillet çdo pickim i dyshimtë dhe se analizat laboratorike për këtë vit kanë rezultuar me vetëm një rast me sëmundjen e etheve hemorragjike.

“Në qoftë se krahasohet me vitin e kaluar, për periudhën e njëjtë kohore, numri i pickimeve nuk ka edhe dallim të madh, por që sistemi i mbikëqyrjes është tejet vigjilent sikurse edhe punëtorët shëndetësorë të kujdesit parësor”, tha Isme Humolli, epidemiologe.

Por, jo vetëm pickimi i rriqrave është problematik në Kosovë. Edhe kafshimi nga gjarpërinjtë ka bërë që qytetarët të përballen me këtë dukuri.

Hamdi Ramadani bën të ditur se kanë qenë katër raste gjatë kësaj periudhe kohore të këtij viti që janë hospitalizuar si pasojë e kafshimit nga gjarpri.

“Në Klinikën Infektive janë shënuar edhe disa raste me kafshim të gjarprit, ku janë trajtuar katër raste. Gjendja shëndetësore e tyre është e mirë, pas hospitalizimit, ndonëse kanë pasur tabllo klinike të rëndë”.

“Por, me rritjen e temperaturave mund të rritet edhe numri i personave që kafshohen nga gjarpinjtë. Ne posedojmë terapi adekuate për trajtimin e kafshimit”, tha Ramadani.

Për dallim nga vitet e kaluara kur komunat si, Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina, njiheshin si zona endemike me rriqra, por edhe me sëmundje të etheve hemorragjike, këtë vit, kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, është ai që po karakterizohet për kah numri i madh i pickimeve të qytetarëve nga rriqrat.

Pickimet nga rriqrat, sipas përvojës nga e kaluara, janë përcjellë shpesh edhe me komplikime shëndetësore e me ethe hemorragjike, krime kongo, të cilat në disa raste kanë përfunduar edhe me vdekje, ndërsa në vitin 2013 kanë vdekur 11 persona dhe janë pickuar nga rriqrat 5.200 qytetarë./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit